Një ditë pas ngjarjes së rëndë ku mbeti i plagosur Zekirja Shaini, kandidati i BDI-së për komunën e Likovës në Maqedoninë e Veriut, autoritetet maqedonase kanë vënë në pranga bashkëshorten e tij.
Gjithashtu, në lidhje me ngjarjen, në stacionin policor të Kumanovës, janë shoqëruar edhe 6 persona.
“Më 07.10.2025, punonjës policie nga Stacioni Policor i Kumanovës arrestuan A.A. (43) nga Tetova, për arsye të bazuara në dyshimin se ajo është e përfshirë në tentativën për vrasje të bashkëshortit të saj, Z. Sh. (43) nga fshati Sllupçan, Lipkovë.
Gjithashtu, në lidhje me ngjarjen, gjashtë persona janë thirrur për intervistim në Stacionin Policor të Kumanovës, ndërsa në shtëpinë e B.S. (50) nga Kumanova, është kryer bastisje me urdhër gjyqësor. Pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër A.A. do të parashtrohet kallëzim adekuat penal, ndërsa kundër L. F. (36) nga Gostivari, i cili dyshohet për tentativë vrasjeje dhe gjendet ende në arrati, gjithashtu do të paraqitet kallëzim penal pas konsultimit me Prokurorinë Themelore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Shaini mori tre plagë në këmbë dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë autori ndodhet ende në arrati.