Qyteti i Pogradecit do të mirëpresë më 26 korrik 2025 një nga aktivitetet më të rëndësishme sportive të verës, Maratonën Kombëtare dhe Ndërkombëtare. Ngjarja është organizuar nga shoqata “Maraton Albania” në bashkëpunim me Bashkinë Pogradec dhe do të nisë në orën 19:00.
Ky aktivitet përfshin dy disiplina garimi. Gjysmë-maratona me gjatësi 21 kilometra nis nga fshati Lin dhe përshkon aksin rrugor buzë liqenit deri në qendër të qytetit. Mini-maratona prej 10 kilometrash nis nga qendra e Pogradecit dhe zhvillohet përgjatë segmentit Pogradec – Buçimas – Tushemisht, për të përfunduar sërish në pikën e nisjes, përgjatë shëtitores dhe unazës së qytetit.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë këtij aktiviteti, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara. Struktura të shumta policore do të jenë të pranishme për të siguruar mbarëvajtjen e maratonës dhe për të menaxhuar qarkullimin rrugor. Do të ketë ndërprerje të përkohshme të lëvizjes së automjeteve në disa akse kryesore.
Në segmentin Lin–Pogradec do të bllokohet krahu i majtë i rrugës, ndërsa në aksin Tushemisht–Pogradec do të bllokohen të dy korsitë. Po ashtu, disa segmente të brendshme rrugore brenda qytetit të Pogradecit do të jenë të bllokuara deri në përfundim të aktivitetit.
Bllokimi i qarkullimit do të zgjasë nga ora 19:00 deri në orën 21:00. Policia e Korçës ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për këto masa të përkohshme dhe i falënderon për bashkëpunimin në funksion të një aktiviteti sportiv të sigurt dhe dinjitoz.