Mesfushori i kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani, që aktivizohet me Leccen në Serie A, është lojtari me më shumë kilometra të përshkuara në kampionatin italian të futbollit deri më tani këtë sezon.
Sipas statistikave zyrtare të Serie A, Ramadani ka përshkuar në total këtë sezon 115.9 kilometra në fushë, duke u renditur i pari në listën e futbollistëve që kanë vrapuar më shumë gjatë këtij edicioni. Pas tij renditet Karlstrom i Udineses me 114.7 kilometra.
29-vjeçari shqiptar është një nga shtyllat kryesore të mesfushës së Lecces dhe një element kyç për ekipin, ku ka qenë titullar në të gjitha 10 ndeshjet e kampionatit deri tani, duke grumbulluar 874 minuta lojë.
Ramadani është vlerësuar si “Maratonomaku” i Serie A, duke treguar forcën fizike dhe durimin e jashtëzakonshëm që e bëjnë një nga mesfushorët më të rëndësishëm në Itali.