Olympique Marseille ka nisur bisedimet me Lille për transferimin e anësorit shqiptar, Edon Zhegrova. 26-vjeçari ka edhe një vit kontratë me klubin verior francez, teksa vlerësohet mes 15 dhe 20 milionë eurove.
Pas afrimeve të Igor Paixao dhe Pierre-Emerick Aubameyang, si dhe në pritje të largimeve të mundshme të Neal Maupay, Amine Harit dhe Faris Moumbagna, drejtuesit e Marseille po punojnë për të forcuar më tej repartin sulmues. Medhi Benatia, drejtori sportiv i Marseille ka ndjekur me interes profilin e Zhegrovës prej kohësh dhe është një nga mbështetësit kryesorë të këtij operacioni.
Transferimi i Zhegrovës nuk është pa sfida. Një nga pengesat kryesore aktualisht është statusi i tij si lojtar jashtë Bashkimit Evropian. Sipas rregullave të Ligue 1, një klub francez mund të ketë maksimum katër lojtarë jo të BE në skuadër dhe aktualisht Marseille i ka të gjitha vendet e zëna.
Kjo situatë e ndërlikon procesin e afrimit të Zhegrovës, për të cilin Lille nuk do të heqë dorë lehtë. Nëse ndonjë nga vendet lirohet përmes ndonjë shitjeje ose ndryshimi statusi të ndonjë lojtari aktual, Marseille mund të intensifikojë ofertën për përfaqësuesin e Kosovës.