Dy të vrarë dhe 2 të plagosur është bilanci i një atentati që trondit Shkodrën mëngjesin e kësaj të hëne në një lokal pranë Bashkisë së qytetit. Shënjestër e atentatit ishte 43-vjeçari Erogen Brajoviç, allias Vaso, i cili është anëtar i fisit të Bajrit, vëllai i Denis Brajoviç (Bajri). Nga atentati mbeti e plagosur edhe kamerierja 25-vjeçare Meri Kaceri. Ndërkohë, i vdekur mbeti Armando Pali, dhe Liridon Kraja (Lushi) 31-vjeç, truproja e Erogen Brajoviç. Autori 29-vjeçar, Ragip Gila u vu në pranga.
Dinamika e atentatit
Armando Pali dhe Erogen Brajoviç ishin duke pirë kafe në një lokal pranë Bashkisë së Shkodrës, kur autori qëlloi me breshëri plumbash në drejtim të tyre. Burime nga grupi hetimor, bëjnë me dije për Report TV se shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Erogen Brajoviç. Report Tv solli pamjet nga vendi i ngjarjes, ku dallohet momenti kur të plagosurit futen me urgjencë në ambulancë për tu dërguar në spital, ndërkohë që një grua dëgjohet teksa qan me të madhe. Truproja e Erogen Brajoviç, ndërroi jetë në spital pas plagëve të marra nga breshëria e plumbave.
Autori ka qenë i armatosur me dy armë, si dhe ka pasur të veshur antiplumb. Ai ka hyrë brenda në lokal dhe ka qëlluar në drejtim të tyre. Më pas, autori ka dalë jashtë nga dera e dytë e lokalit, në një rrugicë pas Bashkisë së Shkodrës, ku me armë në duar ka ecur për disa metra. Motorin me të cilin mbërriti në vendin e ngjarjes e ka braktisur dhe nën kërcënimin e armës ka grabitur automjetin me të cilin është larguar, një “BMW” ngjyrë gri.
Gjatë rrugës në ikje, ai është përplasur me dy automjete, e pasi ka mbërritur në lagjen Skënderbeg, ka braktisur mjetin dhe në këmbë ka tentuar të largohet nga lumi Kir. Policia përmes forcave Shqiponja, ka arritur ta ndalojë 29-vjeçarin Ragip Gila. Ky është ndër të paktat raste, kur në atentate të tilla të mirëmenduara, autori bie në pranga në kohë rekord. Dhe kjo, pasi plani nuk i shkoi si duhet.
Autori, jo vetëm që nuk ia doli të ekzekutojë shënjestrën e dyshuar, por edhe u aksidentua në tentativë për t’i ikur policisë dhe kështu ra në pranga. Report Tv solli edhe pamjet nga momenti i arrestimit, ndërkohë që të riu iu sekuestrua edhe arma me të cilën kreu masakrën. 29-vjeçari sapo kishte dalë nga burgu, pasi në vitin 2023 ishte arrestuar pasi u kap me 1 armë gjahu, 7 jelekë antiplumbë, municion luftarak, maska e paruke.
Kush është shënjestra dhe viktimat?
Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç është vëllai i Denis Bajrit, i shumëkërkuari që u ekstradua në korrik nga Dubai me akuzën e vrasjes së Gjin Ndojit në vitin 2020 në Shkodër për llogari të Ervis Martinajt. Përveç të vëllait, edhe emri i Erogenit ka dalë si i përfshirë në vepra kriminale. Në vitin 2023, u përmend në një dosje të SPAK si pjesë e grupit të Bajrave. Në atë kohë u lëshuan 14 masa sigurimi për akuzat vrasje me paramendim, grup të strukturuar kriminal, sigurim kushtesh për vrasje, korrupsion, shpërdorim detyre dhe nxjerrje të sekretit hetimor.
Ndërkohë, viktima Armando Pali nuk njihet si person me precedent penal. Më herët ai ka qenë anëtar i këshillit Bashkiak bashkë me Erogen Brajoviçin. Pali ka pnuar edhe në IMT-në e Shkodrës më herët, ndërsa viktima tjetër Liridon Kraja, është truproja e Brajoviç.
Pistat e hetimit
Një grup hetimor është ngritur për të zbardhur masakrën që i mori jetën 2 personave dhe la të plagosur 2 të tjerë. Ende nuk dihen motivet e ngjarjes, por nuk përjashtohet pista e hakmarrjes duke marrë parasysh se Erogen Brajoviç është anëtar i fisit të Bajrave. Nuk dihet nëse ngjarja ka lidhje me masakrën e Dobraçit në tetor të vitit 2024 dhe nëse është hakmarrje për këtë ngjarje, që përplasja mes grupit Bajri dhe Lici i mori jetën Hamza Lici dhe Arlind Bushati. Viktimë mbetën edhe një çift bashkëshortësh që lëviznin pranë.
Ngjarja vjen gjithashtu pak ditë pas vrasjes së 34-vjeçarit Kristian Kola, i cili u ekzekutua mbrëmjen e 4 shtatorit në një lokal në lagjen “Vasil Shanto” të Shkodrës.
VIKTIMAT
Armando Pali – Ish-anëtar i Këshillit Bashkiak Shkodër dhe ish-punonjës i IMT-së
Liridon Kraja (Lushi), 31 vjeç, truproja i Erogen Vaso (Brajoviç)
TË PLAGOSUR
Erogen Vaso (Brajoviq), 43 vjeç, – vëllai i Denis Brajoviç
Meri Kaceri, 25 vjeçe
AUTORI
Ragip Gila
Vrau 2 persona dhe plagosi 2 të tjerë, autori Ragip Gila u lirua nga burgu me shërbim prove 5 vite: Mos të kryejë vepër penale
Gagip Gila, 29-vjeçari që sot vrau 2 persona në Shkodër dhe plagosi 2 të tjerë, është liruar nga qelia pak kohë më parë ku vuante dënimin për prodhim dhe shitje droge.
29-vjeçari u dënua fillimisht nga Gjykata e Shkodrës me 5 vite burgim. Në aplikimi të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 3.4 vite burg.
Gila qëndroi në qeli më shumë se 1 vit, deri në sa në 4 mars të këtij viti, Ragip Gila u lirua përfundimisht.
Në zbatim të nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale, Ragip Gila u lirua me kusht nga Gjykata e Shkodrës. Dënimi i tij u pezullua dhe për 5 vite do të ishte në shërbim prove.
Në vendimin e dhënë, specifikohen edhe kushtet e shërbimit të provës.
“Vënia në provë e të pandehurit Ragip Gila për në periudhë kohe prej 5 vjet, me kusht që gjatë kohës së provës ai të mos kryejë vepër tjetër penale. Gjatë kohë së provës, i pandehuri Ragip Gila të mbajë kontakte me Degën Territoriale të Shërbimit të Provës Shkodër. Urdhërohet i pandehur Ragip Gila të mos shoqërohet me persona të dënuar dhe të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë”, thuhet në vendimin e arsyetuar të gjyqtarit Albert Keraj.
Paradoksi qëndron se 6 muaj pas lirimit nga qelia dhe vendosjen e tij në shërbim prove, Ragip Gila vrau 2 persona në mes të Shkodrës dhe plagosi 2 të tjerë.
Të vrarë mbetën Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi). Ndërsa u plagosën Erogen Brajoviç alias Erogen Vaso, dhe kamerierja 25-vjeçare e lokalit ku ndodhi masakra.
Vetë autori u arrestua pak minuta pas ngjarjes.
Erogen Brajoviç u godit me tre plumba, i prekën arteriet kryesore! Dërgohet drejt spitalit të Traumës
Erogen Brajoviç, shënjestra e atentatit në Shkodër, është drejtuar Spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar. Gazetari Ergys Kavaja raporton se plumbat i kanë prekur arteriet kryesore.
43-vjeçari ka marrë tre plumba në trup, ndërsa me një plumb është goditur Liridon Kraja, i cili ndërroi jetë.
Disa plumba ka marrë edhe viktima tjetër Armando Pali dhe dy plumba kamarierja Meri Kaceri, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën në rëpartin e reanimacionit.
Bardh Spahia reagon pas masakrës në Shkodër: Më pak nxënës u rikthyen në shkollë! Qyteti duhet t’i rikthehet qytetarëve
Deputeti demokrat i qarkut të Shkodrës, Bardh Spahia ka reaguar së fundmi për masakrën e ndodhur ditën e sotme në qendër të qytetit ku 2 persona mbetën të vrarë e 2 të tjerë të plagosur.
Spahia shkruan se terrori në kryeqendrën e veriut i ndodhur pranë shkollave e qytetarëve, ka bërë që më pak nxënës të rikthehen në bankat e shkollës nga frika, ndërsa shton se qyteti duhet t’i rikthehet qytetarëve për të rifituar shpresën e humbur.
“Masakra tjetër sot në Shkodër,
kujtesë e ashpër dhe tronditëse e sundimit të krimit në Shkodër.
Një ngjarje e rëndë që lë pas frikë, dhimbje dhe pasiguri.
Në një ditë që duhej të ishte festë për fëmijët dhe prindërit, Shkodra u përball me dhunë ekstreme që nuk duhet të kishte vend kurrë në zemër të qytetit, në oborrin e bashkisë, pranë shkollave dhe familjeve të qytetit tonë.
Sot më pak nxënës u rikthyen në bankat e shkollës sepse aty ku sundon krimi i bërë një me shtetin, nuk ka vënd për dije dhe as shpresë.
Shkodra nuk mund të vazhdojë të sundohet dhe shtypet nga krimi. Shkodra duhet ti rikthehet qytetarëve dhe të rifitojë shpresën e humbur!”, shkruan politikani.
Zbardhet dinamika e atentatit në Shkodër/ Autori mbante dy armë e jelek antiplumb! Hyri në lokal e qëlloi, më pas doli nga dera e dytë e grabiti automjetin
Zbardhet dinamika e atentatit me dy viktima dhe dy të plagosur mëngjesin e kësaj të hëne në Shkodër. Gazetari Sokol Dema raporton se autori Ragip Gila ka qenë i armatosur me dy armë, si dhe ka pasur të veshur jelek antiplumb.
Ai ka hyrë brenda në lokal dhe ka qëlluar me breshëri plumbash. Më pas ka dalë jashtë nga dera e dytë e lokalit, në një rrugicë pas bashkisë së Shkodrës, ku me armë në duar ka ecur për disa metra dhe nën kërcënimin e armës ka grabitur automjetin tip BMW ngjyrë gri, me të cilin është larguar.
Gjatë rrugës në ikje, ai është përplasur me dy automjete, e pasi ka mbërritur në lagjen Skënderbeg, ka braktisur mjetin dhe në këmbë ka tentuar të largohet nga lumi Kir. Policia, përmes forcave Shqiponja, ka arritur ta ndalojë dhe vërë në pranga, duke i sekuestruar dhe armët.
Shënjestër e atentatit ishte 43-vjeçari Erogen Brajoviç, allias Vaso, anëtar i fisit Bajri, dhe vëllai i Denis Brajoviç (Bajri). Të vrarë mbetën miku i tij, Armando Pali dhe Liridon Kraja (Lushi), truproja. Plumbat kanën edhe kamarieren 25-vjeçare të lokalit ku ndodhi ngjarja, Meri Kaceri, e cila ka dëmtime të lehta.
Autori i masakrës në Shkodër dyshohet se veproi i vetëm, braktisi motorin nga ku qëlloi me breshëri plumbash dhe grabiti automjetin nën kërcënimin e armës
Ragip Gila, 29-vjeçari që vrau dy Armando Palin dhe Liridon Krajën në një lokal në Shkodër, si dhe plagosi Erogen Brajoviç (i dyshuar si shënjestra) dhe kamarieren 25-vjeçare Meri Kaceri, dyshohet se ka vepruar i vetëm.
Burime për Report TV bëjnë me dije se i riu ka qenë me motor kur ka qëlluar me breshëri plumbash drejt lokalit ku ndodhej Brajoviç me Palin, dhe më pas ka arritur të marrë një automjet tip BMW nën kërcënimin e armës.
Por në tentativë për t’i ikur policisë, ai është aksidentuar në dalje të qytetit të Shkodrës. Më pas ka braktisur automjetin dhe ka tentuar të arratiset në këmbë drejt lumit Kir, por aty është kapur nga Forcat Shqiponja. 29-vjeçarit, që kishte pak muaj që kishte dalë nga burgu, iu gjet edhe arma me të cilën kreu krimin.
Në vitin 2023, ai u arrestua pasi u kap me 1 armë gjahu, municion luftarak, 7 jelekë antiplumbë, maska e paruke.
Masakra në lokalin pranë bashkisë së Shkodrës, reagon Beci: Ngjarje që duhet të marrë ndëshkimin më të ashpër, jam në kontakt me ministrin e Brendshëm
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ka reaguar për masakrën me dy të vrarë dhe dy të plagosur në një lokal pranë bashkisë.
Beci shprehet se ngjarja kriminale duhet të marrë ndëshkimin më të ashpër të ligjit, ndërsa shton se ka kontaktuar me ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha dhe strukturat e tjera kundër krimit.
“Të dashur qytetarë,
Ky mëngjes për Shkodrën nuk ishte ai i zakonshmi, siç ndodh çdo ditë në qytetin tonë. Një ngjarje kriminale që duhet të marrë ndëshkimin e ashpër të ligjit ka tronditur zemrën e qytetit.
Kam kontaktuar me Ministrin e Brendshëm dhe me të gjitha strukturat që luftojnë krimin, në emër të jetës dhe sigurisë së qytetarëve të Shkodrës, të cilët nuk meritojnë të përballen me skena të tilla.”, shkruan Beci.
Dyshohet se ishte shënjestra e atentatit, por mbeti i plagosur! Del fotoja e Erogen Brajoviç, vëllai i Denis Brajoviç
Erogen Brajoviç
Ky është Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç, 43 vjeçari që mbeti i plagosur në atentatin me armë zjarri mëngjesin e kësaj të hëne në Shkodër, i cili dyshohet se ishte edhe shënjestra. 43-vjeçari është anëtar i grupit të Bajrave dhe vëllai i Denis Bajrit, i akuzuar për vrasjen e Gjin Ndojit në vitin 2020 në Shkodër.
Autori i atentatit në Shkodër kishte pak muaj që kishte dalë nga burgu! Në 2023 u kap me armë, municion, jelekë antiplumbë, maska e paruke
Ragip Gila, 29-vjeçari i arrestuar për atentatin me dy të vrarë dhe dy të plagosur në Shkodër, kishte pak muaj që kishte dalë nga burgu, raporton gazetari Sokol Dema. Ai ishte arrestuar më 6 dhjetor të vitit 2023 pasi u kap me 1 armë gjahu, municion luftarak, 7 jelekë antiplumbë, doreza, maska dhe paruke.
“Në lagjen “Partizani”, shërbimet e Policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Imazhi fals”, kanë ndërhyrë në banesën e 26-vjeçarit R. G., ku kanë gjetur dhe sekuestruar 7 jelekë amntiplumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, 1 kokore metalike, 1 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme, si dhe sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.”, njoftoi policia asokohe për arrestimin e të riut.
Pamjet e aksionit, Policia në vrap për të kapur autorin e atentatit në Shkodër, momenti kur i vendosen prangat
Report Tv ka siguruar pamjet e aksionit të Policisë, për arrestimin e autorit të atentatit me 2 të vrarë dhe 2 të plagosur në Shkodër. Në pamje, shihet momenti kur policët vrapojnë për të vënë në pranga autorin 29-vjeçar Ragip Gila. Pas vrapit, blutë dhe forcat shqiponja arrijnë të neutralizojnë të riun dhe ta arrestojnë pranë lumit Kir.
Në momentin kur ka qëlluar me breshëri plumbash, autori ka qenë me një motor të zi dhe më pas është larguar me një mjet tip BMW. Por gjatë momentit të largimit, është aksidentuar në dalje të qytetit dhe më pas ka braktisur mjetin dhe ka tentuar të largohet në këmbë.
Por, i riu ra në pranga, ndërsa iu sekuestrua edhe arma e krimit. Gila kishte pak muaj që kishte dalë nga burgu, ndërsa në dhjetor të vitit 20123 u arrestua se ishte kapur me 1 armë gjahu, 7 jelekë antiplumb municion luftarak, paruke e maska.
Atentati me dy të vrarë dhe dy të plagosur në Shkodër, policia njoftim zyrtar! Identifikohet autori
Policia ka dalë me një njoftim zyrtar për atentatin në Shkodër, duke zbardhur dinamikën e ngjarjes. Autori Ragip Gila ka qëlluar me armë zjarri në ambientet e jashtme të një lokali në lagjen Qemal Stafa pranë bashkisë, ku për pasojë ka humbur jetën Armando Pali dhe mbetën të plagosur Erogen Vaso (Brajoviç, truproja e tij Liridon Kraja (Lushi), si dhe kamarierja 25-vjeçare Meri Kaceri.
31 vjeçari Liridon Kraja ndërroi jetë pasi u ndërua në spital. Nën kujdesin e mjekëve janë edhe Brajoviç dhe kamarierja. Autori u kap pas disa minutash ndjekje nga policia.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 08:50, në lagjen “Qemal Stafa”, në ambientet e jashtme të një lokali, dyshohet se shtetasi R. G. ka qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë janë plagosur shtetasi E. V. (B.), 43 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, si dhe shtetasja M. K., 25 vjeçe, e cila është dëmtuar lehtë.
Gjithashtu, si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën në vendngjarje shtetasi A. P., ndërsa në Spitalin Rajonal Shkodër ka ndërruar jetë edhe shtetasi L. K. (L.), 31 vjeç.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorit. Pas disa minutash ndjekjeje, bënë të mundur kapjen e tij dhe sekuestruan një armë zjarri automatike.
Ndërkaq, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Atentati në Shkodër, autori u aksidentua në tentativë për t’i ikur policisë! Braktisi automjetin dhe tentoi të arratisej në këmbë
Autori i masakrës me dy të vrarë dhe dy të plagosur në një lokal në Shkodër ka bërë aksidenti në dalje të qytetit në tentativë për t’iu larguar policisë. Mësohet se ai është aksidentuar te ura e trenit dhe më pas në këmbë ka tentuar që t’i ikë policisë në pjesën e lumit Kir.
Ai është vënë në pranga nga forcat Shqiponja, ndërsa është sekuestruar edhe arma e krimit. Mësohet se ai krimin e ka kryer me një motor ndërsa më pas ka tentuar të largohet me automjetin tip BMW.
Rëndohet bilanci i atentatit në Shkodër, ndërron jetë edhe truproja e anëtarit të grupit të Bajrit (EMRI)
Rëndohet bilanci i atentatit në Shkodër. Një prej personave që mbeti i plagosur, Lirodon Kraja, mësohet se ka ndërruar jetë. Burime për gazetarin e Report Tv, Sokol Dema bëjnë me dije se personi që ndërroi jetë është truproja e anëtarit të grupit të Bajrit, Erogen Vasos (Brajoviç). Ky i fundit dyshohet se ishte shënjestra e atentatit.
Atentati në Shkodër, pranga një prej autorëve! Ishte me motor kur qëlloi me breshëri plumbash, u largua me një ‘BMW’ gri
Report Tv zbardh të tjera detaje nga atentati në Shkodër. Dyshohet se blutë e Shkodrës kanë arritur të arrestojnë një prej autorëve që qëlloi me breshëri plumbash në një lokal pranë bashkisë, ku 1 person mbeti i vrarë dhe 3 të tjerë u plagosën.
Dyshohet se ai ka qenë me një motoçikletë në momentin që ka qëlluar me breshëri, ndërkohë që më pas është larguar me një mjet tip ‘BMW’ ngjyrë gri. Burimet i thanë gazetarit të Report Tv, Sokol dema se autori është arrestuar në zonën e njohuri si shinat e Trenit.
U plagos në atentat, kush është Erogen Brajoviç! Vëllai i Denis Brajoviç që u ekstradua në korrik nga Dubai dhe i akuzuar për vrasjen e Gjin Boriçit për llogari të Martinajt
Erogen Vaso alias Brajoviç dyshohet të ketë qenë shënjestra e atentatit që tronditi Shkodrën., i cili mbeti i plagosur, është vëllai i Denis Bajri (Brajoviç). 43 vjeçari është një emër i njohur në Shkodër për shkak se ka qenë anëtar i këshillit bashkiak, por edhe i përfshirë në vepra kriminale.
Brajoviç rezulton i përfshirë në grupin Bajri, pasi në vitin 2023, emri i tij doli në një dosje të SPAK. Në atë kohë u lëshuan 14 masa sigurimi për akuzat vrasje me paramendim, grup të strukturuar kriminal, sigurim kushtesh për vrasje, korrupsion, shpërdorim detyre dhe nxjerrje të sekretit hetimor.
Fillimisht ka qenë këshilltar bashkiak me Partinë Bashkimi për Drejtat e Njeriut. Në vitin 2007-të, ai është akuzuar për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për përfitim të pasurisë”. Në qershor të vitit 2020, ai ishte subjekt i OFL-së për justifikimin e pasurisë.
Në atë kohë, Gjykata e Lartë e Podgoricës në Mal të Zi i kishte caktuar masën arrest në burg për veprat penale “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja e mbetur në tentativë” dhe “Mbatja pa leje e armëve dhe eksplozivëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Malit të Zi.
Ndërsa vëllai i tij, Denis Bajri (Brajoviç), i cili u arrestua në shkurt të 2024, pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza” dhe u ekstradua nga Dubai drejt vendit tonë më 23 Korrik 2025. Ai akuzohet se vrau mikun e tij Gjin Boriçi (Ndojit) në Vau Dejës më 9 gusht 2020 për llogari të Ervis Martinajt.
Në përgjime SPAK ka mundur të zbardh biseda që konfirmojnë autorësinë e vrasjes dhe që korrespondojnë fiks me oraret e ekzekutimit. Fillimisht, Denis Bajri në “SkyECC” njofton Behar Bajrin dhe i shkruan “kryvi”. Të njëjtin mesazh pak minuta më vonë ia nisën edhe Ervis Martinajt.
Gjithsej ndaj tij rëndojnë 5 akuza të rënda të ngritura nga SPAK dhe që kanë të bëjnë me aktivitetin e grupit të Bajrave të Shkodrës. Bajri u arrestua më 27 shkurt 2024 në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Edhe Denis Brajoviç ka qenë subjekt i OFL-së, pasi u hetua për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
U vra në atentatin në Shkodër, kush është Armando Pali! Ish-anëtar i Këshillit Bashkiak dhe ish-punonjës i IKMT-së
Armando Pali mbeti i vrarë nga atentati me breshëri plumbash në qendër të Shkodrës, pranë një lokali pranë bashkisë. Ai ishte duke pirë kafe me anëtarin e grupit të Bajrit, Erogen Vaso (Brajoviç) kur autorët janë afruar dhe kanë qëlluar me breshëri ndaj tyre. Dyshohet se shënjestër ka qenë Erogen Vaso (Brajoviç), vëllai i Denis Bajrit.
Ndërkohë, Armando Pali rreth 10 vite më parë ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, nën logon e PBDNJ. Ndërkohë, ai ka qenë edhe punonjës i IMT-së së Shkodrës.
SI.E./Shqiptarja.com