Për të dytin vit radhazi, degët e informatikës dhe inxhinierisë janë më të kërkuarat nga maturantët, me mbi 31% të aplikimeve. Pas tyre renditen shkencat mjekësore dhe ekonomia. Drejtori i rrjetit akademik shqiptar Arjan Xhelaj sqaroi se regjistrimet nisin më 29 gusht dhe do të zhvillohen në 7 faza 48-orëshe.
Degët e informatikës dhe ato të inxhinierisë mbeten më të kërkuarat nga maturantët për edhe vitin e ri akademik. Mbi 31% e tyre kanë përzgjedhur të paktën një program të lidhur me teknologjinë e informacionit ose inxhinierinë, duke lënë pas shkencat mjekësore dhe infermierinë, që zënë rreth 30% të aplikimeve.
“Ata që mbanin kurorën në këto dy vitet e fundit janë inxhinieritë dhe teknologjia të cilët e kanë tejkaluar shkencat mjekësore dhe janë vend të parë, po në një përqindje shumë të ulët, mbi 31% e maturantëve kanë zgjedhur së paku një nga këto degë. Pastaj vijnë shkencat mjekësore që janë rreth 30% dhe në vend të tretë në rang kombëtar janë shkencat ekonomike që përfshijnë ekonominë, biznesin, financën, dhe degë të ndryshme të këtij grupimi që janë rreth 18%.”, thotë Arjan Xhelaj, drejtor i rrjetit akademik shqiptar.
Drejtori i rrjetit akademik shqiptar Arjan Xhelaj sqaroi se orientimi i të rinjve është në përputhje me kërkesat e tregut të punës, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj.
Ndërkohë, programet e mësuesisë vijojnë të mbeten më pak të preferuarat, me një përqindje që nuk kalon 7.5, duke ruajtur të njëjtat ritme si vitet e mëparshme. Degët profesionale, po ashtu kanë shënuar rritje.
“Programe dy-vjeçare kanë një ecuri të mirë, janë rreth 10%. Pastaj degët e mësuesisë kanë ngelur stabël. Të themi gjithë programet që çojnë te mësuesia janë stabël. Lëvizin diku te 7.5%. Universiteti Bujqësor me ato programe të reja që ristrukturoi ka një të themi shifër të mirë aplikimesh.”, – thotë Arjan Xhelaj
Mbi 20.000 maturantë aplikuan për studime në universitetet publike dhe private, një shifër që nuk ishte arritur më parë.
Procesi i regjistrimit nis më 29 gusht dhe do të zhvillohet në shtatë faza 48-orëshe. Çdo maturant që shpallet fitues ka dy ditë kohë për t’u regjistruar, përndryshe vendi i tij i kalon automatikisht kandidatit në listë pritjeje. Pas këtyre fazave, parashikohet edhe një mundësi çregjistrimi për ata që duan të ndryshojnë zgjedhjen, duke hyrë sërish në garë për raundin e dytë.