Në fshatin Strikçan të Bulqizës, në vendin e quajtur “Fusha e Gurrës”, një grup arkeologësh shqiptarë kanë zbuluar një monument unik, të pari të këtij lloji në Shqipëri. Bëhet fjalë për një varr monumental të periudhës romake, i cili sipas specialistëve daton në shekujt III–IV të erës sonë.
“Ky varr, në formë mausoleumi, ka përmasa rreth 9 metra me 6 metra, me dhoma funerare 2.40 metra të larta, paradhomë dhe shkallare monumentale, të zbukuruara me motive gjeometrike në stuko. Ndersa porta peshon 1 ton”, tha për mikrofonin e Report TV, arkeologu, Erikson Nikolli.
Për herë të parë kemi një varr monumental në territorin e rajonit te Dibres, i cili dëshmon për praninë e elitave të shoqërisë romake në këtë zonë.
Gjetjet brenda varrit e bëjnë atë edhe më domethënës. Përveç arkitekturës, arkeologët kanë evidentuar një inventar të pasur: enë qelqi të tipologjive të ndryshme, një krehër kocke, thika, si dhe fragmente tekstili të thurura me fije ari, me të cilat individi i varrosur ishte mbështjellë.
Por surpriza më e madhe mbetet mbishkrimi biling në latinisht dhe greqisht, i cili i kushtohet individit të varrosur në këtë varr, i quajtur Gelliano, si dhe një dedikim drejtuar perëndisë më të rëndësishme romake Jupiterit.
“Mbishkrimi është dëshmi e drejtpërdrejtë e lidhjeve kulturore dhe fetare të kësaj zone me botën romake. Është një dokument i çmuar epigrafik, që i shtohet hartës së trashëgimisë sonë”, shton ai
Sipas arkeologut, varri është grabitur që në lashtësi dhe më pas në periudha të ndryshme, por gjithsesi jane ruajtur pjese te rendesishme.
“Ne presim që gërmimet e mëtejshme të nxjerrin edhe struktura të tjera dhe mbishkrime të cilat do të plotësojnë kuadrin historik të kësaj treve”, tha Nikolli.
Ky varr monumental jo vetëm që ngre vlerën arkeologjike të zonës, por hap një kapitull të ri për historinë e vendit.