Rrit madhesinë e shkrimit Zvogëlo madhesinë e shkrimit
Mbërrijnë në Portin e Durrësit 3 anijet italiane, njëra prej të cilave, “Libra”, i dhurohet Flotës Detare të Shqipërisë. Ceremonia mbahet sot (8 prill), ku marrin pjesë autoritete të larta zyrtare nga dy vendet, Ministria e Mbrojtjes dhe ushtarakë.
Mes anijeve që u ankoruan në port është edhe e famshmja historike dhe muze “Amerigo Vespucci”, e cilësuar edhe si anija më e bukur në botë. E dyta është katamarani “Lo spirito di stella”, i cili ka qëllim kauzat sociale dhe drejtohet nga persona me aftësi ndryshe, kurse e treta është anija patrulluese “Libra”, e cila do t’i dhurohet Forcës Detare shqiptare.
Ky lajm ishte ndarë prej javës së kaluar dhe me këtë mjet lundrues Forcat e Armatosura përforcohen në misionet patrulluese në det të hapur.
“Amerigo Vespucci”, u nis nga porti i Ortonës në Itali, ajo do të qëndrojë në qytetin bregdetar deri në 11 prill. Ndalesa në Durrës do të jetë e para nga dy të planifikuara jashtë vendit në turin e Mesdheut, së bashku me atë në Valetta të Maltës të planifikuar nga data 25 deri më 29 prill.
Të mërkurën, në orën 12:00, do të mbahet edhe një konferencë për shtyp për prezantimin e Giro d’Italia 2025, një nga garat çiklistike më të famshme në Evropë, që këtë vit do të nisë Shqipëria.