Betimi i Vokshit në Presidencë kishte mbetur “peng” për shkak të pretendimeve të Llagamit se një votë ishte shpallur e pavlefshme dhe rrjedhimisht ishte ajo gjyqtare kushtetuese. Pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi ankimimin e saj, iu hap rruga betimit të Vokshit para presidentit Begaj.
Mbeti ‘peng’ i ankimimit të Llagamit, sot Asim Vokshi betohet në Presidencë si anëtari i ri i Gjykatës KushtetueseAsim Vokshi
Rreth dy muaj pasi fitoi garën për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, sot, në orën 10:00, gjyqtari Asim Vokshi do të bëjë betimin në Presidencë si anëtari i ri i kësaj gjykate. Ai do të zëvendësojë Holta Zaçajn, mandati i së cilës ka mbaruar që në muajin prill.
Gjykata e Lartë shpalli fitues Asim Vokshin për zëvendësimin e Zaçajt, por rezultati u kundërshtua nga kandidatja tjetër Naureda Llagami. Ajo pretendoi në Gjykatë Administrative dhe më pas në Kushtetuese, që një votë e shpallur e pavlefshme, i takonte asaj, e rrjedhimisht e bënte atë gjyqtare kushtetuese.
Por Kushtetuesja ia rrëzoi kërkesën dhe pas kësaj, presidenca caktoi datën e betimit të Vokshit. Betimi i tij largon nga Kushtetuesja Zaçajn, e cila mban edhe detyrën e kryetares së këtij institucioni. Ikja e saj do të bëjë që gjykata të zgjedhë edhe një kryetar të ri, teksa përkohësisht drejtohet nga nënkryetarja Marsida Xhaferllari.
Presidenti Bajram Begaj, që në fillim të këtij muaji, ka hapur thirrjen për kandidatë që do të zëvendësojnë Sonila Bejten, një tjetër gjyqtare që është në proces largimi, thirrje e cila është e hapur deri në 30 nëntor.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka më shumë se një vit që ka një gjyqtar kushtetues mangët. Elsa Toska u dorëhoq në shtatorin e vitit 2024, por prej asaj kohe, përplasjet institucionale kanë penguar zëvendësimin e saj.