Kryeministri njoftoi dy dite me pare krijimin e Operatorit Kombetar te Trajtimit te Mbetjeve. Do te jete nje strukture si Operatori i Shperndarjes se Energjise Elektrike(OSHEE), por per hedhurinat tona urbane, me bashkite si kliente te struktures(do te paguajne per sherbimin qe do te ofroje ajo).
Menaxhimi i mbetjeve urbane tek ne vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore të qeverisjes vendore, ndërsa ndarja e mbeturinave tona që në burim, përmes kazaneve të ndryshëm, dështoi plotësisht si nismë.
Me ne fund! Shqipëria ka nevojë për një qasje të re dhe të centralizuar në menaxhimin e mbetjeve. Ngritja e një Operatori Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve nuk është thjesht reformë administrative, por një domosdoshmëri strategjike për mbrojtjen e mjedisit, rritjen e cilësisë së jetës dhe integrimin europian.
Ky institucion do të garantojë eficiencë, transparencë dhe zhvillim të qëndrueshëm, në një sektor ku kemi patur dështime njëri pas tjetrit, me kosto të larta për qytetarët dhe ekonominë.
Përgjegjësia ligjore e trajtimit të hedhurinave urbane aktualisht i është ngarkuar bashkive. Mirëpo shumica e tyre shpesh nuk kanë kapacitetet financiare, teknike dhe njerëzore për të përballuar këtë proces kompleks të përditshëm.
Kjo ka sjellë situata të përsëritura të mungesës së pastrimit në kohë, depozitimit të pakontrolluar dhe ndotjes së mjedisit, duke ndikuar negativisht në shëndetin e qytetarëve, në turizëm dhe në zhvillimin e qëndrueshëm te vendit. Shumë bashki nuk arrijnë të sigurojnë buxhetet e nevojshme për shërbimet e pastrimit dhe menaxhimit të mbetjeve. Nga ana tjetër, venddepozitimet(landfillet) dhe inceneratorët janë të kufizuar dhe shpesh të përqendruar në zona të caktuara, duke e bërë transportin e mbetjeve të shtrenjtë dhe jo efektiv.
Tabela 1. Kosto e dështimeve 2001-2024
– Demi ekonologjik 60 mln euro
– Vend-depozitime te papershtatshme 43 mln euro
– Transport per ne landfill tejet i shtrenjtë 36 mln euro
– Kosto e tejkaluar e inceneratoreve 19 mln euro
Jemi ku thërret qameti me mbetjet!
Vetëm rreth 15–17 përqind e mbetjeve tona përpunohen apo riciklohen, ndërkohë që Bashkimi Evropian kërkon shifra mbi 50 përqind.
Ndarja në burim mungon, pasi qytetarët tanë nuk kanë sisteme funksionale të ndarjes së mbetjeve sipas materialeve (plastikë, qelq, organike etj.), duke e bërë të pamundur trajtimin efektiv të tyre.
Mungesa e inceneratorëve funksionalë, pikave të grumbullimit dhe impianteve të riciklimit e përkeqëson situatën. Ne kemi në shumë bashki mungesë të theksuar kontrolli dhe transparence. Shpesh kontratat për menaxhimin e mbetjeve janë të paqarta dhe mungon monitorimi i vazhdueshëm. Tek ne, mbi 70 përqind të mbetjeve urbane përfundojnë në venddepozitime, shpesh të pakontrolluara, duke na çuar shumë larg standardeve të BE-së.
Kjo sjell që me objektivin për riciklimin në 50 përqind të mbetjeve tona të jemi shumë larg. Gati mision i pamundur! Ndërsa krijimi i një strukture të vetme na e mundëson misionin.
Bashkimi Evropian kërkon landfill-e të menaxhuara sipas normave të veta teknike. Këtë nuk e kemi realizuar ende. Vendet e BE-së, edhe ato fqinje me ne, po kalojnë drejt një modeli ku mbetjet shihen si burim energjie dhe lënde të parë, ndërsa te ne ende dominon mendësia e depozitimit.
Bashkimi Evropian kërkon me Kapitullin 27(“Mjedisi”) të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit përdorimin e fondeve IPA dhe të mekanizmave të tjerë financiarë të tij, për modernizimin e infrastrukturës se menaxhimit të mbetjeve.
Ne në këtë drejtim nuk kemi lëvizur. Kjo kërkon përfshirjen aktive të qytetarëve në sfidën e menaxhimit të mbetjeve të tyre, pasi pa edukim mjedisor dhe sensibilizim publik, reformat ligjore mbeten të pamjaftueshme dhe në mes të rrugës.
Nëse Shqipëria nuk arrin të përmbushë standardet e BE-së për menaxhimin e mbetjeve, do të përballet me pengesa serioze në procesin e integrimit, për shkak të mosplotësimit të kapitullit 27 “Mjedisi” të MSA-se.
Do të kemi kosto të larta financiare nga gjobat dhe detyrimet për mbylljen e venddepozitimeve joaktive, rritje të rrezikut për shëndetin publik nga ndotja e ujërave nëntokësore, ajrit dhe tokës, si dhe dëmtim të imazhit të vendit si destinacion turistik, duke ndikuar drejtpërdrejt negativisht në ekonominë tonë.
Avantazhet e një strukture të vetme
Ngritja e një Operatori Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve do të shërbejë si një instrument i rëndësishëm për garantimin e një sistemi modern, të unifikuar dhe të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve në përputhje me standardet e BE-së.
Bashkimi Evropian e ka të kodifikuar qartë, përmes Direktivës Kuadër për Mbetjet (2008/98/EC) dhe akteve të tjera të lidhura, që çdo vend kandidat duhet të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm menaxhimi të mbetjeve. Ky sistem bazohet mbi hierarkinë e mbetjeve: parandalim → ripërdorim → riciklim → rikuperim energjie → depozitim si opsioni i fundit.
Tabela 2. Të mirat e Operatorit Kombëtar të Mbetjeve
– Centralizim dhe unifikim: krijimi i një strukture kombëtare që koordinon dhe standardizon trajtimin e mbetjeve
– Efiçiencë ekonomike: reduktim i kostove përmes ekonomisë së shkallës dhe përdorimit të teknologjive të reja
– Zhvillimi i ekonomisë qarkulluese: kthimi i mbetjeve në burim ekonomik, duke nxitur riciklimin dhe gjenerimin e energjisë nga mbetjet
– Transparencë dhe besueshmëri: vendosja e mekanizmave të monitorimit në kohë reale dhe publikimi i raporteve për publikun
– Përmbushja e standardeve të BE-së: minimizimi i deponimit dhe rritja e riciklimit, duke afruar Shqipërinë me objektivat e “Marrëveshjes së Gjelbër (Green Deal)”.
Ky model mund të sjellë disa përfitime kryesore tek ne. Një organ i vetëm do të hartonte standarde kombëtare për mbledhjen, ndarjen dhe trajtimin e mbetjeve. Përqëndrimi i fondeve dhe përdorimi i një buxheti të centralizuar mund të reduktojë kostot dhe të sigurojë investime të mëdha për infrastrukturë moderne.
Operatori unik kombëtar do të mund të përfshijë teknologjinë e avancuar, përse jo edhe inteligjencën artificiale, në përballimin e problemeve të përditshme të mbetjeve, duke zbatuar sisteme dixhitale për monitorimin në kohë reale të mbledhjes dhe depozitimit të mbetjeve. Me operatorin kombëtar, çdo qytetar, pavarësisht vendbanimit, do të ketë akses në një shërbim të barabartë dhe cilësor. Prandaj na duhet kjo strukturë fort sot.