Mbrojtja e Vllaznisë ka qenë në qendër të kritikave para nisjes së këtij edicioni në Superiore, ku reparti i prapavijës së shkodranëve ka vuajtur shumë në kompeticionet europiane. Duke pësuar 8 gola në 4 ndeshjet ndaj Daugavpils dhe Vikingur, shifra që patjetër nuk i shkojnë për shtat një ekipi të konsoliduar.muratajPo ashtu, performancat e mbrojtjes kuqeblu ishin zhgënjyese edhe në miqësoret e fundit sezonale, ndaj kundërshtarëve modestë si Besa, Laç apo Kukësi, duke vënë në pikëpyetje afrimet në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit. Të cilët thuajse kanë ribërë totalisht repartin e mbrojtjes, duke krahasuar me sezonin e shkuar ku tashmë nuk janë më në skuadër futbollistë si Juriç, Stojanoviç apo Repaj.
Por reagimi më shumë se pozitiv dhe një “goditje” ndaj kritikave ka ardhur që në ndeshjen e parë për Vllazninë dhe në veçanti për mbrojtjen e shkodranëve. Përballë Egnatias, një prej ekipeve pretendente dhe kampiones në fuqi të vendit, Vllaznia ishte totalisht dominuese duke triumfuar me shifrat 2-0. Pikërisht ky sukses i parë në kampionat erdhi nga mbrojtja, aq shumë e kritikuar, ku dyshja Gurishta-Bajrami dhuroi 3 pikët e para sezonale të Vllaznisë.
Dy mbrojtësit gjetën golat dhe zhvilluan një performancë shumë pozitive gjatë 90 minutave. Por, përveç golave, niveli i dyshes dhe jo vetëm në prapavijë ishte shumë pozitiv, me Vllazninë që thuajse nuk i la asnjëherë rrogozhinasve shanse reale për të shënuar. Një meritë për këtë ka edhe portieri Jukaj, që u tregua vendimtar në 2-3 raste përballë sulmuesve kundërshtar. Një reagim ashtu siç e donte Edi Martini për skuadrën e tij, e cila kishte marrë disa “vërejtje” para nisjes së edicionit. Tashmë duket se skuadra është totalisht e konsoliduar dhe një nga pretendentet kryesore të sezonit.
MURATAJ – Ishte me të vërtetë një surprizë në formacionin titullar të Vllaznisë kundër Egnatias dhe rezultoi një lëvizje e “qëlluar” nga ana e Martinit. Fjala është për Edon Muratajn, i cili ndaj rrogozhinasve zhvilloi ndeshjen e parë zyrtare me fanellën kuqeblu. La mbresat e para tek tifozët shkodranë, të cilët e duartrokitën performancën e tij në momentin kur 23-vjeçari u zëvendësua nga Kastrati në minutën e 58-të. Murataj ishte një shqetësim më vete për mbrojtjen e Egnatias, që duhej të përballonte shpejtësinë dhe fantazinë e futbollistit me pasaportë belge. Ai po ashtu ishte protagonist duke fituar një penallti në minutat e fundit të pjesës së parë, 11-metërsh i cili u humb nga Balaj. Po të shënohej, patjetër do të rritej edhe vlera e ish-mesfushorit të Lafnitz në fund të 90 minutave ndaj rrogozhinasve.
Për mesfushorët e tjerë kuqeblu, Murataj do jetë një “rival” i fortë për një vend titullari në formacion. Pavarësisht se në fillim nuk konsiderohej titullar, performancat e tij në ndeshjet miqësore dhe tashmë në Superiore kundër Egnatias treguan vlerat e tij, që mund t’i garantojnë sërish vendin e titullarit dhe kënaq stafin teknik të Vllaznisë, që tek numri “11-të” nuk shohin thjesht një alternativë.