Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar pas 18 orësh në seancë plenare ndryshimet e Kodit Penal. Me 85 vota pro dhe 9 kundër, u miratua dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët, sipas udhëzimeve të Bashkimit Europian për procesin e integrimit.
Ligji shoqërohet me masa mbrojtëse për sigurinë e gazetarëve, duke dënuar ata që i kërcënojnë apo dhunojnë për shkak të profesionit. Lamallari e cilësoi një shembull të diskriminimit pozitiv që shteti shqiptar ka ndaj medias. Socialistët u shprehën kundër propozimit të PD-së që të hiqet shpifja si vepër penale për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë edhe burg deri në 1 vit për ata që parkojnë dysh. Po ashtu ashpërsohen dënimet për ndërtim të paligjshëm e zjarrvënie.
Për këtë pjesë, ministri i Drejtësisë theksoi se parkimi dysh do të trajtohet si vepër penale vetëm në raste kur kjo shkelje pengon qarkullimin e autoambulancave, zjarrfikësve apo operacionet e Policisë së Shtetit.
Ligjvënësit e Partisë Demokratike thanë se mazhoranca po synon të miratojë ndryshimet në Kodin Penal me shpejtësi dhe në fshehtësi. Në vazhdën e këtyre pretendimeve, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike kërkoi shtyrjen e miratimit të draftit.
“Kryetar, ju kërkoj ta tërhiqni dhe ta shqyrtoni edhe njëherë, që kur të vijë në Kuvend të mos ketë deputetë që të mos dinë çfarë ndryshimesh keni sjellë”, – tha Bardhi, por mori si përgjigje nga Lamallari se këto ndryshime kanë marrë “bekimin” e Brukselit.
Në një postim të ndarë në rrjetet sociale, Lamallari shkruan se “sfida e madhe që kemi tani përpara është projekti për një Kod të ri Penal”, procesi i të cilit është në vijim.