Elbasani e nisi sezonin e ri të Superiores me këmbën e mbarë, duke marrë një fitore të rëndësishme 1-0 përballë Flamurtarit në stadiumin “Elbasan Arena”. Një ndeshje e luftuar, ku verdheblutë u shpërblyen me tri pikët e para falë një presingu të lartë që detyroi kundërshtarin të gabojë.
Ishte një sinjal i qartë se skuadra e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç synon të jetë e fortë dhe e organizuar që në fillim të kampionatit. Kapiteni i ekipit, Bruno Lulaj, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” pas ndeshjes, analizon këtë nisje pozitive, ndalet tek sekreti i fitores dhe pranon se gjithçka nisi që në ditën e parë të përgatitjeve. Ai flet për ndryshimet në skuadër, për punën e bërë në repartin difensiv dhe për objektivat e mëdha që klubi i Elbasanit ka këtë sezon, mes të cilëve, Kupat e Europës. Lulaj thekson se fitore të tilla japin moral dhe tregojnë se grupi ka më shumë eksperiencë se një vit më parë, ndërsa paralajmëron se sfida e radhës me Egnatian do të jetë një test i vërtetë për forcën e verdhebluve.
Një fitore e rëndësishme në start. Sa të kënaqur jeni?
Normalisht që jemi shumë të kënaqur, sepse kjo ishte ajo që kërkonim që në ditën e parë të fazës përgatitore. Donim ta nisnim kampionatin siç duhet, sepse siç thuhet, fillimi i mbarë është gjysma e punës. Kemi bërë një start shumë të mirë nga ana e rezultatit, morëm tri pikë të vlefshme dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu.
Fitorja erdhi me autogol. E kishit menduar këtë skenar apo rëndësi ka vetëm fitorja?
Të them të drejtën, ne punojmë shumë në fazën defensive dhe sidomos në mënyrën se si bëjmë presingun ultraofensiv. Ndaj, nuk ishte çudi për ne që kundërshtari mund të gabonte dhe të përfitonim. Sigurisht, një autogol nuk mund ta mendosh paraprakisht, por presingu i fortë bëri të vetën.
Në disa momente edhe Elbasani u vu në vështirësi. Çfarë mund të bëhej më mirë?
Sigurisht që ka gjithmonë vend për përmirësim në çdo repart të lojës, si nga ana difensive, ashtu edhe nga ajo ofensive. Ne do të punojmë fort për të korrigjuar këto gabime. Nuk duhet të harrojmë se ishte ndeshja e parë e sezonit dhe ende po kërkojmë të kapim ritmin optimal pas një faze përgatitore shumë të ngarkuar.
Si e sheh skuadrën e këtij sezoni në krahasim me atë të vitit të kaluar?
Gjëja më e mirë është që nuk ka shumë ndryshime nga viti i kaluar, pasi është ruajtur boshti i skuadrës. Kemi më shumë eksperiencë se një vit më parë dhe kjo ndihet në fushë.
Ndeshja e radhës me Egnatian, si e prisni?
Normalisht do të jetë një ndeshje e fortë, e luftuar dhe me shumë cilësi. Mos harrojmë që ata janë kampionët në fuqi, ndaj do t’i vlerësojmë maksimalisht. Por do të shohim edhe veten tonë dhe do të hyjmë në fushë për të marrë maksimumin.
Cilat janë objektivat e Elbasanit për këtë sezon?
Si fillim, objektivi ynë është gjithmonë ndeshja e radhës. Pastaj dihet që synimi përfundimtar janë kupat e Europës dhe për këtë do të punojmë çdo ditë.