Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës është zhvilluar me debate ditën e sotme. Nënkryetari i Këshillit Bashkiak Julian Hodaj përjashtoi Endri Shabanin nga mbledhja, pasi nuk lejoi që të vijonte mbledhja.
Shabani ngriti shqetësimin për dy kërkesa që ka bërë dhe nuk janë futur në rendin e ditës, shqyrtimi i mandatit të kryetarit aktual dhe një interpelancë me kryetaren e bashkisë.
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak Julian Hodaj argumentoi se këto kërkesa janë jashtë kompetencave të këshillit bashkiak, duke theksuar se këshilli nuk ka pushtet për të emëruar apo shkarkuar kryetarin e bashkisë.
Endri Shabani: Kam sjell dy kërkesa, e para ka të bëjë me shqyrtimin e mandatit të kryetarit aktual, dhe e dyta për një interpalenacë me kryetaren e bashkisë dhe këto si shoh në rendin e ditës’, tha Endri Shabani.
Julian Hodaj: Të dyja propozimet janë përtej kompetencat e këshillit bashkiak, këshilli nuk është parlament nuk e emëron dhe shkarkon kryetarin e Bashkisë.
Endri Shabani: Po të tregojë rregulloren dhe kjo s’është normnale.
Julian Hodaj: Mos bëni replikë me mua zoti Shabani. Jeni i përjashtuar.
Ndërkohë, Megi Fino u zgjodh kryetare e Këshillit Bashkiak. Me propozim të Kryetarit të Grupit të këshilltarëve socialist, Eridian Salianji, Fino u propozua në krye të këshillit bashkiak, ndërsa Endrit Braimllari në postin e nënkryetarit. Megi Fino do të zëvendësojë në këtë detyrë Romina Kukon.
Megi Fino lindi në Janinë më 7 Prill 1993. Studimet parauniversitare në programin International Baccalaureate (IB) Diploma i përfundoi në Pekin në vitin 2012. Më pas studioi drejtësi në City, University of London në Britaninë e Madhe, prej të cilit zotëron edhe diplomën Master (LLM) në të Drejtë Publike Ndërkombëtare dhe në vijim diplomën e Masterit Profesional të Praktikës Ligjore (LPC). Në vitin 2015, u diplomua në gjuhën kineze (mandarin) nga SOAS University of London.
U zgjodh nënkryetar i Këshillit Bashkiak Tiranë, Braimllari: Gjuha e llogores politike dhe ndasitë të lihen mënjanë! Përgjegjësi e shtuar
Endrit Braimllari, gjatë një interviste në Report Tv
Ish-drejtuesi i strukturave të partisë së Lirisë (ish-LSI), tashmë pjesë aktive e PS-së edhe si kandidat në zgjedhjet parlamentare të 11 majit për kryqytetin në listën e hapur, Endrit Braimllari, ka reaguar sot për zgjedhjen si nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës gjatë mbledhjes së sotme.
Ai e quan përgjegjësi të shtuar, teksa falenderoi anëtarët e këshillit për besimin që i dhanë. Brahimllari bëri thirrje për largim nga gjuha e llogores politike dhe lënien mënjanë të ndasive, me qëllim bashkëpunimin për ta çuar para jo vetëm Tiranën, por edhe Shqipërinë Europiane.
Reagimi i plotë i Endrit Braimllarit:
“Urime dhe suksese Megi Fino për zgjedhjen në krye të Këshillit Bashkiak të Tiranës! Të gjithë së bashku le të dëshmojmë se vetëm përmes punës dhe frymës së bashkëpunimit mund të arrijmë që t’i përgjigjemi kërkesës së qytetarëve për të miratuar vendime në të mirë të qytetit.
Qytetarët kanë nevojë për një frymë europiane, për bashkëveprim dhe shërbim ndaj tyre.
Gjuha e llogores politike dhe ndasitë duhet të lihen mënjanë, kur bëhet fjalë për zgjedhje dhe zgjidhje në sherbim të qytetit dhe qytetareve. Përpara se te jemi politikanë, jemi qytetarë të këtij vendi, jemi prindër të atyre fëmijëve, të cilët kanë nevojë të ecin me ritmet europiane, për një zhvillim pandalshëm për Shqipërinë 2030.
Dua të falenderoj të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak, të cilët më besuan në detyrën e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak. Një përgjegjësi e shtuar për të qenë pranë çdo qytetari të Tiranës, duke vazhduar misionin e shërbimit ndaj tyre.
Gjithashtu shpreh përgëzime dhe mirënjohje për drejtuesen e deritanishme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, znj. Romina Kuko, e cila përmes një gjuhe pozitive mundësoi lehtësinë e bashkëpunimit mes këshilltarëve, nxiti angazhimin si përfaqësues të qytetarëve, me qëllim rritjen e Këshillit si institucion vendimmarrës.
Pikërisht kjo gjuhë bashkëpunimi nevojitet për të çuar përpara punët e frytshme për Tiranën dhe Shqipërinë Europiane”.