12
Ish-Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një tjetër vizitë në Hagë, ku ka takuar ish-kryetarin e PDK-së dhe ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Përmes një postimi publik, Krasniqi ka thënë se, edhe pas viteve të gjata të procesit gjyqësor, Veseli dhe bashkëluftëtarët e tij vazhdojnë ta ruajnë dinjitetin, qetësinë dhe besimin në drejtësi.
“Sot, një tjetër vizitë në Hagë, për ta takuar Kryetarin Kadri Veseli. Edhe pas gjithë këtyre viteve të gjata e të vështira, ai dhe bashkëluftëtarët e tij vazhdojnë ta mbajnë lart dinjitetin, qetësinë dhe besimin në drejtësi”, ka shkruar Krasniqi.
Ai e ka përshkruar Veselin si të palëkundur në bindjet e tij dhe me dashuri të madhe për Kosovën, duke theksuar se pritja e gjatë dhe shtyrjet e vazhdueshme të vendimit po e rëndojnë gjithë procesin.
“Si gjithmonë, i fortë në bindjet e tij, me dashuri të pashuar për Kosovën dhe me mall të madh për njerëzit dhe vendin e vet. Kjo pritje e gjatë nuk është e lehtë për askënd, sidomos kur vendimi vazhdon të shtyhet dhe procesi zvarritet pafundësisht”, thuhet në postim.
Krasniqi ka ritheksuar besimin në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe ka kërkuar që procesi të marrë fund sa më parë me një vendim të drejtë dhe të pandikuar.
“Po i numërojmë ditët deri në kthimin e tyre aty ku përkasin: në atdheun e tyre, pranë familjeve dhe popullit të Kosovës. Deri atëherë, keni të fala të gjithë nga Kryetari dhe shokët e tij!”, ka përfunduar Krasniqi.