Entuziazmi për miken e madhe, SHBA me ardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ka rënë në Gjermani. Me deklaratat e tij Trump e ka tronditur ndjenjën e sigurisë së gjermanëve tek SHBA. Deklaratat e tij mbi konfliktin në Ukrainë, kërcënimet vazhdueshme ndaj BE me tarifat ndëshkuese i sjellin shumë shqetësime Brukselit dhe qeverisë gjermane. E pikërisht në kohë të tilla të trazuara, kur flitet në media edhe për fundin e marrëdhënies transatlantike, shkon në SHBA një transatlantik i bindur si Friedrich Merz. Të enjten (05.06.) Merz zhvillon vizitën e parë si kancelar në SHBA dhe takohet me Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Mediat gjermane janë shumë të përmbajtura në vlerësimet e tyre. “Vizitat në SHBA kanë qenë gjithmonë një sfidë për kancelarët federalë, sepse gjërat trajtohen ndryshe në qendrën e fuqisë botërore sesa në provincën gjermane. Në këtë drejtim, Merz mund të jetë shumë i gëzuar nëse e kalon vizitën e punës me Trump pa ndonjë lëndim të dukshëm”, shkruan “Rhein-Neckar Zeitung.
Megjithë deklaratat e Trump kundër Evropës, Evropa ka nevojë për SHBA-në ende, sidomos në çështjet e sigurisë. Megjithatë kancelari gjerman ka bërë të qartë, se fokus pavarësinë e Evropës e Gjermanisë nga SHBA. Deklarata e tij pas fitores në zgjedhje bëri bujë, kur tha, se pavarësimi nga SHBA do të jetë “prioritet absolut” i tij po ashtu edhe forcimi i Evropës. Natën e zgjedhjeve që pas daljes së parashikimeve të para Merz u shpreh se: “Të paktën që nga deklaratat e Trump një javë më parë, është e qartë se kjo pjesë e amerikanëve është kryesisht indiferente ndaj fatit të Evropës.” Kjo deklaratë u bë pas skandalit në Zyrën Ovale, kur Trump u përplas me presidentin ukrainas, Zelenski para kamerave.
Nuk duhet të kenë qenë e lehtë për Merz që njihet si transatlantik i bindur të japë deklarata të tilla. “Tagesschau” analizon marrëdhënien e Friedrich Merz me SHBA, për të cilin një ndër garancitë me të cilat është rritur është se “Shtetet e Bashkuara – ky shtet i fuqishëm në anën tjetër të Atlantikut – janë një partner i ngushtë, madje një mik i Gjermanisë. Gjatë gjithë jetës së tij, Merz ka jetuar këtë marrëdhënie të veçantë gjermano-amerikane, qoftë si përfaqësues biznesi, por edhe si kryetar i Urës së Atlantikut dhe, jo më pak e rëndësishme, edhe si politikan në role të ndryshme.”
Kjo pritet të reflektohet edhe në vizitën e Merz në Uashington, sipas mediave gjermane. Tre tema ka të ngjarë të dominojnë vizitën e parë të transatlantikut Friedrich Merz si kancelar: mosmarrëveshja mbi tarifat që kërcënon Trumpi, lufta ruse kundër Ukrainës dhe diskutimi lidhur me shpenzimet e NATO-s.
Rritja e shpenzimeve ushtarake të Gjermanisë
Të paktën kur bëhet fjalë për shpenzimet e NATO-s, Gjermania po bën hapa të mëdhenj drejt përmbushjes së kërkesave të Trump. Gjermania është në rrugën e duhur për të bërë më shumë, tha Merz. Konkretisht, 3.5 përqind e produktit të brendshëm bruto do të shpenzohet për ushtrinë dhe një 1.5 përqind shtesë për infrastrukturën e nevojshme. Gjithsej qindra miliardë euro. Ky hap i Gjermanisë ndoshta ndihmon për të folur për mbështetjen e Ukrainës tek Trump. Në këtë pikë qeveria amerikane i shkakton shumë kokëçarje evropianëve. Trump e ndryshon herë pas here qëndrimin e tij. Në një moment e kërcënon Ukrainën, në momentin tjetër papritmas fyen Putinin, duke thënë se ai po vret shumë njerëz dhe nuk ka idenë se çfarë dreqin po bën Putini. Këto fjali u japin shpresë evropianëve. Por gazeta gjermane “Handelsblatt” që analizon vizitën e Merz në SHBA prapë e këshillon Merz, se “pas një përshëndoshjeje miqësore në Shtëpinë e Bardhë, fokusi i Merz duhet të vazhdojë të jetë forcimi i pavarësisë së Evropës.”
Nga perspektiva e qeverisë gjermane, do të ishte në këto kushte sukses që në një farë mënyre Trump të qëndronte në kursin pro-ukrainas, shkruan “Tagesschau.”