Mes sfidave sociale dhe ekonomike, në 2026 rritet me 50% pagesa për fëmijët me aftësi të kufizuara e kujdestarët
Pagesa për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuar do të rritet me 50% nga viti i ardhshëm. Po me të njëjtën shifër do të rritet edhe pagesa për kujdestarët e tyre. Nga ky shtim mbështetjeje do të përfitojnë 13 mijë fëmijë e kujdestarë.
Rreth 10 mijë familje shqiptare, që kanë fëmijë me aftësi ndryshe, çdo ditë përballen me sfida që vjen për shkak edhe të mbështetjes së ulët financiare. Shqetësimi ky që ngrihet në çdo vjeshtë nga shoqëria civile dhe jo vetëm, teksa diskutohet buxheti i shtetit dhe ndarja e fondeve për institucionet.
Por vitin e ardhshëm, me buxhetin e pritshëm 2026, fonde shtesë janë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me synim rritjen e pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre. Me skemën e re të mbështetjes parashikohet rritje me 50% ose me 6100 lekë në muaj për këtë kategori.
“Në vitin e ardhshëm qeveria planifikon të rrisë me 50% pagesën për 10,252 fëmijë me aftësi të kufizuar dhe për 3,527 kujdestarët e tyre, nga 12,200 lekë/muaj aktualisht në 18.300 lekë/muaj”, thuhet në kërkesën drejtuar Ministrisë së Financave për financim shtesë në 2026-ën.
Për këtë rritje të pagesës mujore për 13,779 individë, ka një kosto shtesë prej 1 miliardë lekë (10 mln euro), që Ministria e Shëndetësisë kërkon të parashikohet në buxhetin e vitit që vjen.
Sipas dokumentit Buxhetor 2026–2028, për programin ‘Përkujdesi Social’, ku përfshihen pagesat për aftësinë e kufizuar, ndihma ekonomike, bonusi i bebeve apo mbështetja e nënave të vetme, në vitin e ardhshëm do të shpenzohen 27.6 miliardë lekë nga 27.5 miliardë lekë të planifikuara për këtë vit.
Por Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që këto tavane të rriten me 3 miliardë lekë në mënyrë që të mbulohet skema e re e bonusit të bebeve dhe rritja e pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuar, që do të nisin zbatimin nga janari i 2026-ës.