Tetori është caktuar si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ të kësaj sëmundjeje.
Nga presidenti i Republikës, kryeministri, ministria e shëndetësisë e deri tek mjekët janë përsëritur thirrjet ndaj grave dhe vajzave që të kujdesen për veten duke bërë mamografinë.
Por në “kulmin” e Tetorit Rozë, mamografia në spitalin Onkologjik të QSUT nuk funksionon.
Pacientëve nuk u është dhënë ende një njoftim se kur do të mund ta kryejnë mamografinë, ndërsa Report Tv nuk ka marrë ende asnjë përgjigje për këtë çështje, deri në publikimin e këtij shkrimi.
Kjo ministri vijoi edhe në këtë ditë me thirrjet për ndërgjegjësim për kancerin e gjirit, në një kohë që vetë nuk mund të ofrojë shërbimin bazë në Spitalin më të madh onkologjik në Shqipëri.
E sikur të mos mjaftonte kjo, as pacientët me kancer gjinekologjik, që duhet të trajtohen përmes aparaturës së brakiterapisë, nuk po e marrin dot shërbimin prej disa muajsh.
Burime nga spitali Onkologjik sqarojnë se ekipi shqiptar i teknikëve të specializuar për riparimin e këtyre aparaturave duhet të konsultohet me ekspertë të huaj për të ndërhyrë, një procedurë që shpesh zgjatet me javë apo muaj. Brakiterapia e nisi punën vetëm një vit më parë, por ndërprerjet kanë qenë të shpeshta. Këto dhe probleme të tjera nxorrën në rrugë kritikët ndaj sistemit shëndetësor.
Dhjetëra protestues u mblodhën para Ministrisë së Shëndetësisë për të shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me shërbimin e spitalit Onkologjik. Sipas tyre, ‘Tetori Rozë’, i njohur si muaji i ndërgjegjësimit të grave për parandalimin e kancerit të gjirit, është kthyer në tetor të zi. Ata thonë se gratë janë lënë të braktisura për shkak të mosfunksionimit të disa pajisjeve dhe mungesës së ilaçeve. Një nga protestuesit rrëfen se prej viteve ’90 endet dyerve të Onkologjikut, por situata, sipas tij nuk ka ndryshuar.
Protestuesit mbanin në duar tullumbace të zinj, si simbol të zhgënjimit për kushtet në të cilat trajtohen pacientët me kancer. Ata kërkuan që institucionet të ndërhyjnë menjëherë për të rikthyer në funksion aparaturat dhe për të garantuar barnat jetike. Report Tv solli raportime dhe histori nga e gjithë Shqipëria që nxjerrin në pah bashkëudhëtimin e vështirë me sëmundjen e rëndë.
SHKODËR
Arjola Zadrima është nënë e dy fëmijëve dhe pas humbjes së bashkëshortit do të përballej me semundjen e kancerit të gjirit.
“Ndonëse mjekët më thoshin se nuk ky nuk është ky fundi, njeriu nuk e mendon këtë, njeru mendon fundin, por në të vertetë ishte vec fillimi i një lufte të madhe. E verteta është se nuk kthehesh më sikur ke hyrë në atë sfidë”, tha ajo për Report TV.
Pesë vite më parë u njoh me këtë sfidë, por gjeti forcën tek familja dhe poezia për ta kapërcyer dhe për të qënë një mbështetje për të gjitha gratë dhe vajzat.
“Kishte një vit e ca ditë që kisha humb tim shoq, dhe pyetja ishte: Po tani?! Ndërsa vajza më tha forcë: Ti je njeriu kryesor i jetës tonë. Unë e di që ata të dy (fëmijët) janë në venat e mia të gjakut”, tha ajo.
Poetja shkodrane tregon vështirësitë por edhe betejën e brendshme.
“Unë nuk e kam mbaruar betejën sepse bëj ekzaminime çdo 6 muaj. Zgjohem çdo ditë me frikën a kam për ta çuar këtë ditë deri në fund!”, thotë ajo me mjekren që i dridhet nga emocionet.
Gjatë betejës ajo kishte edhe një mënyrë për të lënë gjurmë të kësaj përballje nëpërmjet poezisë. Thirrja e poetes nuk është vetëm e drejtëpërdrejtë por edhe një mesazh për të gjithë gratë. Në këtë muaj sensibilizimi të gjithë duhet të kenë guximin të bëjnë kontrollet për të shpëtuar jetë. Ndërsa e mbyll intervisten për Report TV me këtë mesazh:
“Jeta është e bukur nuk duhet të dorëzohemi. Fatin e kemi ne në dorë!”
VLORË
Gjithçka nisi në tetorin e vitit 2022, gjatë një kontrolli rutinë. Diagnoza ishte një goditje e dyfishtë për Irena Lancin, pasi edhe nëna e saj ishte prekur nga kanceri i gjirit.
“Është mundësia e parë që më jepet të flas për veten time dhe për këtë diagnozë. në tetor të 2022-it kam bërë check up rutinë që bëhet dhe aty u diagnostikova me kancer gjiri momenti i parë ishte shumë i vështirë për mua, për pjesëtarët e familjes dhe më e dhimbshmja në gjithë këtë histori ishte sepse një vit më përpara mami im ishte diagnostikuar me kancer gjiri dhe e hoqi gjoksin. Gjithsesi kjo eshtë një histori e kaluar. unë të gjithë trajtimin tim e kam ndjekur në spital shtetëror dhe dua të falenderoj me gjithë shpirt gjithë stafin mjekësor”, shprehet Irena Lanci.
Me lot në sy kujton momentet e vëshitra:
“Mbaj mend që një moment e humba komplet, ndoshta u lodha, ndoshta nuk e di çfarë ndodhi me mua, por vajza ime e vogël më ka ardhur në dhomë, më ka përqafuar dhe më ka thënë ti je mami më e bukur në botë. Atë moment nuk kam për ta harruar kurrë. Unë nuk kisha as flokë, isha shumë e fryrë nga ilacet. Ajo më ka dhënë forcën më të madhe”.
Nënë e dy vajzave dhe punonjëse në sektorin public ne Vlore, Irena nuk e ndërpreu punën gjatë trajtimit me kimioterapi. Sot, Irena bën analiza periodike dhe ndjek një regjim të kujdesshëm ushqimor.
“Eshtë një sëmundje që do shumë forcë, sepse do kalosh shumë ka shumë faza.Si fillim duhet ta pranosh që ti e ke dhe më tepër është psikologjike, por unë për këtë pjesë kam luftuar shumë dhe sa herë për një vit e gjysëm kam bërë kimiot dhe kimiot i lija të premteve, sepse të hënën doja me patjetër të isha në punë dhe kjo gjë më ka dhënë dhe më ka bërë shumë të fortë. Për një vit e gjysëm kam bërë këto kimot qe të rëndojnë shumë fizikisht, por e gjeja forcën për hir të dy vajzave që kam. Ato më dhanë forcën dhe fuqinë që unë të ecja gjatë gjatë kësaj periudhe ka patur momente shumë të dhimbshme”, tha Lanci për Report TV.
Ndërsa Brikela Hoxhaj, mësuese në një shkollë jopublike të Vlorës e ka më të vështirë.
“Unë nuk kisha shfaqje të diçkaje apo të ndonjë dhimbje të veçantë, por thjesht ishte ndoshta dhe një rutinë që ishte lënë pak pas dore që duhej bërë. Erdhi si një rrufe në qiell të hapur, sepse ishte diçka që s’e prisja dhe as e mendoja ndonjëherë”, u shpreh Hoxhaj.
Aktualisht Brikela po vazhdon trajtimin me kimioterapi por sërish e gjen forcën për të dhënë mësim.
“Ka momente që nuk ndihesh fort mirë, ka momente që nuk ke mundësinë fizike apo edhe mendore, kështu që bëj një shkëputje të vogël, por përsëri rikthehem për të qenë përsëri këtu. Ka momente që e humbet veten sepse thua pse mua, por ka momente që pastaj thua ok do bëhem e fortë sepse kam arsye për të qenë e fortë”, shprehet mësuesja nga Vlora.
Mesazhi i Irenës dhe Brikelës është i thjeshtë: Kontrolli i hershëm shpëton jetë dhe dashuria familjare të jep forcën për të përballuar sfidat e jetës.
LEZHË
Ishte vjeshta e vitit 2024, kur jeta e Verës ndryshoi. Filloi të ndjente disa shqetësime fizike që nuk i kishte përjetuar më parë. Pas disa vizitave te mjekët dhe ekzaminimeve të shumta, ajo u diagnostikua me kancer gjiri dhe prej një viti tashmë, ajo po lufton me këtë sëmundje.
‘Unë e zbulova me anë të vizitave dhe ishte në fazë të hershme dhe më pas bëra të gjitha analizat’, tha ajo.
56-vjeçaren, Vera Loshi, nga fshati Ishull-Lezhë e gjejmë duke marrë mjekimet e radhës në Spitalin Rajonal të Lezhës. E fortë dhe me shumë kurajë, Vera tregon se sëmundja u kap në fazë të hershme dhe trajtimi po ecën mjaft mirë.
‘Kam bërë kimioterapi, rreze dhe gjilpëra njëherë në 3 javë dhe tani ndihem mirë’, tha ajo.
Nëna e dy fëmijëve tregon se forcën për ta përballuar sëmundjen e gjeti te besimi në Zot dhe mbështetja e bluzave të bardha, të cilët i qëndruan pranë në çdo hap të kësaj beteje të vështirë. Më tej, 56-vjecarja rrëfen për Report TV se ishte ajo që i dha forcë edhe familjes.
‘Familja e priti keq, por unë u dhash forcë atyre, u thash do t’ja dal dhe po ja dalë’, tha ajo.
Numri i grave të prekura nga kanceri i gjirit në qarkun e Lezhës është rritur gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të shërbimit onkologjik, vetëm në nëntëmujorin e parë janë regjistruar 30 raste të reja, kryesisht në grupmoshën 45 deri në 60 vjeç.
KUKËS
Prej nëntë vitesh, çdo tetor, 54-vjeçarja Rita Kastrati nga Kukësi vishet me rozë. Edhe ambientin e parukerisë ku punon prej 34 vitesh e zbukuron me ngjyrën simbol të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Është mënyra e saj për t’u përcjellë grave dhe vajzave mesazhin që kontrollet mjekësore duhet të bëhen rregullisht, jo vetëm në Tetorin Rozë.
Në moshën 45-vjeçare, Rita mori lajmin që i tronditi jetën.Ishte diagnostikuar me tumor në gji. Më parë nuk kishte bërë asnjë kontroll, derisa dhimbjet e forta e detyruan të shkojë te mjeku.
“Kur mora vesh nga mjeku se kam tumor në gji ishte një tronditje e madhe.Një moment që më ndryshoi jetën.Nuk është e lehtë.Normalisht kam kaluar frikë dhe pasiguri.Shumë sfida.Gjatë kësaj periudhe ti mendon.Të dorëzohem apo të luftoj për jetën.Por e mblodha veten.Dhe thashë unë nuk dorëzohem.Do ta fitojë këtë betejë”, shprehet ajo.
Deri më sot, ajo ka kryer 28 seanca kimioterapie. Kujton edhe fjalët e mjekëve në Onkologjik që i dhanë motivim.
“Doktori më tha se ne do të bëjmë maksimumin, por 80% është gjendja jote emocionale dhe 20% mjekimi. I thashë patjetër këtë 80% do e kemi. Bashkimi bën fuqi”, tregon ajo.
Sot, përveç profesionit të saj si parukiere, Rita është një zë i fortë i ndërgjegjësimit dhe mbështetjes për gratë që kalojnë të njëjtën sëmundje.
“Ju lutem, mos u dorëzoni. Luftoni me optimizëm. Mos prisni vetëm tetorin për të bërë kontrolle. Kujdesuni çdo ditë për shëndetin tuaj.”
POGRADEC
Në Pogradec jeton nënë Ryfetja, 78-vjeçe, e cila për më shumë se një dekadë ka luftuar me kancerin e gjirit. E diagnostikuar në moshën 56-vjeçare, ajo përballoi 14 operacione, gjashtë kimioterapi dhe pesë muaj rrezatime por kurrë nuk e humbi shpresën. E vetme, me burrin e sëmurë dhe fëmijët në emigracion, ajo u përball me te gjitha veshtirësitë. Në çdo ndërhyrje e në çdo kimio, nuk e humbi shpresën.
“Vetë kurohesha, vetë operohesha. Burri ishte në shtëpi, po s’dinte gjë se ai nuk dëgjon mirë. Fëmijët s’mund të vinin, s’kishin karta. Vetëm dilja nga operacioni, rrija dy ditë në reanimacion dhe kthehesha në shtëpi. Kam bërë 14 operacione, por nuk u dorëzova”, tha më tej, duke sqaruar se ka vuajtur nga disa sëmundje, por tashmë gëzon shëndet të plotë.
Një grua e fortë, sic e cilëson veten, me zemër çeliku, Ryfete Palla ka një mesazh për gratë e vajzat.
“Motrat tona, nënat tona, të mos kenë frikë. Të bëjnë kontrolle. Kanceri, po e kape në kohë, kurohet. Por nëse ke frikë, tumori të ha nga brenda, pa e kuptuar”, shprehet ajo për Report TV.
Nënë Ryfetja rrëfen edhe anën tjetër të sistemit shëndetësor; atë ku shumë pacientë ndeshen me korrupsion, mungesë humanizmi në Onkologjikun e QSUT-së.
“Unë vetë nuk pata probleme, s’më mungoi as financa e as trajtimi se m’i dërgonin paratë fëmijët, por shihja të tjerë që vinin e s’kishin lekë, s’i priste njeri. u shpreh ajo.
Të gjitha këto histori janë udhërrëfyes i rëndësishëm i një rrugëtimi sfidues. Thirrjet e tyre kanë një emërues të përbashkët: mos neglizhoni veten, e ardhmja varet nga e sotmja.