Të gjitha repartet janë të rëndësishme, por nëse nuk ke mesfushën, nuk ke asgjë. Kjo praktikisht është vërejtur te Partizani fillimisht pas ikjes së Magetit dhe Muratajt në verën e shkuar e më pas edhe Rrapajt në janar. Në vitin 2025, Partizani ka shfaqur probleme të mëdha dhe lojtarët e mbetur nuk kanë arritur në asnjë moment të ngrihen në nivelin e duhur.
Madje, në një moment, trajnerit Gega iu desh të shpikte, duke ngjitur Sembenen si mesfushor qendre, për ta plotësuar me Koten dhe Mehmetin, që gjithashtu treguan limite dhe shfaqën luhatje ndeshje pas ndeshjeje. Asnjëri nga mesfushorët e Partizanit nuk mund të themi se është i kompletuar dhe gati për ta udhëhequr repartin. Në këtë situatë, të kuqtë me siguri do të përqendrohen për të sjellë lojtarë të tjerë që synohet se do të rrisin cilësinë dhe do të kthejnë mesfushën në një pikë të fortë.
Procesi ka nisur me Herolind Shalën, por edhe me të do të duhet një punë voluminoze për ta kthyer në formën e tij optimale, pasi ka luajtur shumë pak, për të mos thënë fare. Sakaq, në dyshim është e ardhmja e Gjelbrim Taipit, të cilit flitet se i skadon kontrata në këtë verë dhe rinovimi duket ende në dyshim.
Me Gegën ai nuk ishte titullar dhe kjo të lë të dyshosh nëse vijon të jetë pjesë e projektit, teksa edhe Mehmeti pati një “xixë” në ndeshjen kundër Egnatias, me trajnerin, që e zëvendësoi që në pjesën e parë, pasi e kritikoi disa herë për lëvizjet në fushë.