Këtë të premte duke nisur nga ora 18:00 me kohën shqiptare, në Washington, u mbajt ceremonia e shortit për grupet e Kupës së Botës 2026. Për herë të parë Botërori do ketë 48 skuadra dhe jo 32, ndërsa po për herë të parë do mbahet në tre shtete dhe në 16 qytete.
Nëse kalon Poloninë në gjysmëfinalen play-off dhe fituesen e çiftit Ukrainë – Suedi, kombëtarja shqiptare e futbollit do vendoset në Grupin F të finaleve të Kupës së Botës 2026. Rivalë për tanët do jenë (gjithmonë nëse kalon) emra si Holanda, Japonia dhe Tunizia.
Nga ana tjetër, Kosova, nëse kalon Sllovakinë në gjysmëfinalen play-off dhe fituesin e çiftit Turqi – Rumani, do vendoset në Grupin D të Kupës së Botës, me rivalë si SHBA, Paraguai dhe Australia.
Grupet e Kupës së Botës 2026:
Grupi A: Meksikë, Afrika e Jugut, Korea e Jugut, Play-off D
Grupi B: Kanada, Play-off A (Itali), Katar, Zvicër
Grupi C: Brazil, Marok, Haiti, Skoci
Grupi D: SHBA, Paraguai, Australi, Play-off C (Kosova)
Grupi E: Gjermani, Curaçao, Bregu i Fildishtë, Ekuador
Grupi F: Holandë, Japoni, Play-off B (Shqipëria) Tunizi,
Grupi G: Belgjikë, Egjipt, Iran, Zelanda e Re
Grupi H: Spanjë, Kepi i Gjelbër, Arabia Saudite, Uruguai
Grupi I: Francë, Senegal, FIFA play-off 2 (Irak vs Bolivi – Suriname), Norvegji
Grupi J: Argjentinë, Algjeri, Austri, Jordani
Grupi K: Portugali, FIFA play-off 1, Uzbekistan, Kolumbi
Grupi L: Angli, Kroaci, Gana, Panama
Ndeshjet e grupeve
Dy ekipet e para nga secili grup do të kualifikohen direkt, së bashku me tetë ekipet më të mira të vendit të tretë nga të gjitha grupet. Kjo do të përcaktojë 32 ekipet që avancojnë në raundin tjetër.
Botërori i Amerikës së Veriut:
48 kombëtare
3 shtete pritëse
16 qytete pritëse
12 grupe 104 ndeshje: (72 në fazën e grupeve + 32 me eliminim direkt)
7 ish kampionë të kualifikuar
4 kombëtare debutuese
40 ndeshje më shumë se edicioni i mëparshëm
Nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026

FIFA i jep Trumpit ‘Çmimin e Paqes’: Një nga nderet më të mëdha të jetës sime
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ishte fituesi i “Çmimit të Paqes FIFA” për herë të parë, të cilin organizata e futbollit e dha gjatë shortit të Kupës së Botës 2026 në Washington.“Kjo është medalja jote”, i tha Infantino presidentit amerikan.
“Ky është vërtet një nga nderet më të mëdha të jetës sime. Ne shpëtuam miliona jetë. Kjo do të jetë një ngjarje e paprecedentë, nuk kam parë kurrë diçka të tillë.
Gianni Infantino ka bërë një punë të jashtëzakonshme, keni vendosur një rekord të ri në shitjet e biletave. Është një imazh i mirë për ju dhe lojën e futbollit, siç e quajmë ne. Është përtej shifrave që mendonim. Bota është një vend më i sigurt tani”, tha Trump.
Presidenti i FIFA-s i sigurt: Do të jetë Kupa e Botës më e mirë në histori
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino beson se Kupa e Botës 2026 do t’i tejkalojë të gjitha pritshmëritë.
Në hapjen e ceremonisë së shortit për Kupën e Botës, deklaroi se mbi gjashtë miliardë njerëz do ta shohin eventin madhështor.
“Kjo do të jetë Kupa e Botës më e mirë në histori. Do të kemi shtatë milionë njerëz në stadiume. Gjashtë miliardë njerëz do ta shohin Kupën e Botës në shtëpi dhe përreth botës. Kjo është si të zhvillohen 104 Super Bouls brenda një muaji. Është gjigante. Sonte jemi këtu për të festuar”, deklaroi ai.
Katër skuadrat debutuese në Kupën e Botës 2026
Kepi i Gjelbër, me rreth 600,000 banorë, u bë vendi i tretë më i vogël që kualifikohet për Botërorin pas Islandës në 2018, duke mposhtur Eswatin. Suksesi i tyre është rezultat i një zhvillimi të qëndrueshëm në futboll gjatë 40 viteve të fundit dhe i një strategjie për të gjetur lojtarë me lidhje me vendin në mbarë botën, duke përfshirë gjashtë lojtarë të lindur në Holandë dhe një irlandez, Roberto Lopes, i cili u ftua të luante për Cape Verde përmes LinkedIn.
Curacao, me vetëm 150,000 banorë, do të bëhet vendi më i vogël që do të marrë pjesë në Botëror. Ata siguruan kualifikimin pas një barazimi ndaj Xhamajkës dhe do të udhëhiqen nga Dick Advocaat, 78 vjeç, i cili do të bëhet trajneri më i moshuar në historinë e turneut. Curacao ka arritur një rritje të jashtëzakonshme, duke kaluar nga vendi i 150-të në renditjen botërore të FIFA-s në 82-të në vetëm dhjetë vite.
Nga Azia, Jordania dhe Uzbekistani bëjnë debutimin e tyre, me uzbekët që kanë lojtarë të shquar si mbrojtësi i Manchester City, Abdukodir Khusanov, i pari nga Uzbekistani që luan në Premier League.
Legjendat e sportit amerikan që do vendosin grupet e Botërorit, asnjë futbollist
Programi do të prezantohet nga supermodelja gjermane Heidi Klum dhe ajo do të shoqërohet nga aktorët amerikanë Kevin Hart dhe Danny Ramirez.
Ceremonia e hedhjes së shortit do të drejtohet nga ish-futbollisti anglez Rio Ferdinand, me ndihmën e prezantueses Samantha Johnson, ndërsa lojtari legjendar i futbollit amerikan Eli Manning do t’i mirëpresë të ftuarit në tapetin e kuq.
Goglat do të tërhiqen nga katër legjenda të sportit në Amerikë, por çuditërisht asnjëri prej tyre nuk është lojtar futbolli. Ata janë, ish-lojtari i futbollit amerikan Tom Brady, ish-lojtari i hokejit Wayne Gretzky, lojtari i bejsbollit Aaron Judge dhe ish-basketbollisti Shaquille O’Neal.
Konfirmohet prania e Trump në shortin për grupet e Kupës së Botës 2026

Gjithashtu, kryeministri kanadez Mark Carney, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum dhe presidenti i SHBA-së, Donald J. Trump kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë ngjarje historike, ku bota do të zbulojë përbërjen e 12 grupeve me nga katër skuadra për Kupën e parë të Botës me 48 ekipe.
Finalet e Botërorit 2026 do mbahen nga 11 qershori – 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.