Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, i cili ka mbetur pa paga tash pesë muaj, kalon nën kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë. Kështu ka bërë të ditur sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke theksuar se ky vendim është rezultat i dialogut konstruktiv për të siguruar funksionalitetin institucional dhe pagesat e prapambetura për punonjësit e Inspektoratit.
Nga ana tjetër, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, e ka cilësuar këtë hap si një përpjekje për shuarjen përfundimtare të organit ekzekutiv për zbatimin e gjuhës shqipe. Sipas Osmanit, ky është një sulm i qëllimshëm ndaj përdorimit të gjuhës shqipe dhe një tentativë për të minuar të gjitha arritjet e siguruara me shumë mund dhe sakrificë.
Osmani thekson se institucionet i refuzojnë inspektimet e Inspektoratit dhe se përdorimi i gjuhës shqipe po zhbëhet sistematikisht, duke filluar nga vulat zyrtare deri te dokumentet dhe mbishkrimet publike. Ai paralajmëron se vendosja e Inspektoratit nën Ministrinë e Drejtësisë, e cila sipas tij nuk e njeh gjuhën shqipe si zyrtare, paraqet hapin e fundit drejt shuarjes së institucionit të vetëm që ka për mision mbrojtjen e përdorimit të shqipes.(INA)