Unë jam UÇK”. Kjo thirrje bëri bashkë mijëra shqiptarë në sheshin “Skëndërbej” në Tiranë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së. Imazhi i ish-presidentit Hashtim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit u shfaq krah bustit të heroit kombëtar Gjergj Skënderbeu, ndërsa përballë tij mijëra shqiptarë jehuan me thirrjet “liri dhe drejtësi për çlirimtarët”.
Protesta u zhvillua për 1 orë dhe nisi me himnin kombëtar shqiptar dhe bëri bashkë mijëra shqiptarë të cilët që prej orëve të para të mëngjesit vërshuan në kryeqytetin e shqiptarëve, Tiranën, për t’i dhënë mesazhin e qartë Gjykatës Speciale, se çlirimtarët e Kosovës po i mban padrejtësisht në qeli.
Këngët patriotike nuk munguan në protestë, ndërsa veteranët e UÇK-së udhëtuan nga Kosova të veshur me uniformën ushtarake, si dëshmi e gjallë e luftës për liri.
I pari që çeli protestën qe Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati
“Tirana sot është kryeqendra e Shqiptarëve. Sot nga kjo tokë i themi botës se nuk ishim kriminelë, por bijtë e këtij kombi që dhanë gjithçka për atdhe”, tha ai.
Megjithëse me një shëndet të rënduar, ish-Presidenti Alfred Moisiu mbajti fjalimin e tij para mijëra shqiptarëve në shesh, ku tha se liria nuk u dhurua, por u fitua me gjak. Akuzat e ngritura ndaj ish-krerëve të UÇK-së, bashkë me Ali Ahmetin i quajti të fabrikuara.
“Është koha të mos heshtim, por të ngremë zërin sa më lart për të ngritur vendin tonë. Nuk mund të pranojmë të nëpërkëmbet gjaku i shqiptarëve. Liria e Kosovës nuk është dhuratë, është fituar me gjak, me sakrifica dhe vendosmëri. I bëj thirrje drejtësisë të tregojë veten për t’u bërë mësim të gjithëve”, tha Ahmeti.
Ndërsa Mesazhi i Ali Ahmetit ishte i drejtpërdrejtë për qeverinë e Prishtinës, që në këtë protestë mungoi.
“Ka akoma në mesin tonë ca të pavetëdijshëm që i shërbejnë axhendave ruso-serbe në marrëdhëniet ndërshqiptare dhe mbjellin ndasi duke shpërndarë propagandën dashakeqe pa qenë fare të vetëdijshëm se po i shërbejnë Beogradit dhe Moskës. Liria e Kosovës nuk është arenë për politika individuale, partiake dhe zgjedhore. Liria e Kosovës nuk është pushkë për ndasi ndërshqiptare”, tha ai.
Djali i Hashim Thaçit, Endriti, e ndoqi nga afër, në krah të Taulant Ballës, kryebashkiakut të Prishtinës Përparim Rama dhe Ogerta Manastirliut.
‘Ju falenderoj të gjithëve për pjesëmarrjen, dua të falenderojë edhe zotin Rama që ka mbështetur këtë protestë dhe zotin Balla që është angazhuar dhe ka dhënë përkrahjen e tij maksimale’, tha ai.
Nga kjo protestë, një thirrje për t’i nderuar 4 liderët e UÇK-së iu bë edhe dy presidentëve të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Dua t’ju bëj një propozim publik se, përveç thirrjeve, duhen edhe akte konkrete. I propozoj presidentit Begaj që djemtë që ndodhen në Hagë të nderohen me Urdhrin e Flamurit. I propozoj presidentes Vjosa Osmani t’i nderojë me titullin më të lartë që ia jep Kushtetuta, si dhe Këshillit Kombëtar të Malit të Zi dhe atij në Preshevë,” deklaroi Haklaj.
Zemrat e pjesëmarrësve u ngritën herë pas here peshë nga këngët patriotike.
Kryeministri Edi Rama nuk ishte pjesë e tubimit, por një dhuratë e UÇK-së e solli figurën e tij në mes të sheshit. Reagimin e tij e pati në distancë, ku ndau një video nga protesta me mesazhin e shkurtër “zemra mal”.
Përfaqësuesit e lartë të opozitës munguan gjithashtu. I vetmi që u pa në thyerje të rregullit ishte Bujar Leskaj i Vlorës, si edhe Fatmir Mediu.
Pas tubimeve në Tiranës, Prishtinë e Hagë, mbështetja për 4 liderët e UCK-së do t’i mbledhë shqiptarët edhe në Shkup.





















Përveç Bujar Leskajt, edhe Aulon Kalaja injoron vendimin e Berishës: Merr pjesë në protestën për UÇK-në
Protesta në Tiranë/ Ish deputetja demokrate: Mbështesim plotësisht UÇK-në! Albana Osmani: Janë heronj
“Ne jemi këtu familjarisht, bashkë me Feritin, në mbështetje të UÇK-së, në mbështetje të udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të UÇK-së, sepse jam totalisht e bindur që qëndrimi i tyre në Hagë është totalisht i gabuar. Ata duhet të jenë në Kosovë, sepse aty e meritojnë. UÇK-ja ka luftuar vetëm për Kosovën dhe ne jemi totalisht në mbështetje të saj”,- tha Duka.
Edhe aktivistja Albana Osmani u bëri thirrje pernazheve publikë në Shqipëri që të përdorin famën që kanë edhe në shërbim të vendit e kauzave kombëtare.
“Mendoj dhe besoj që çdo shqiptar, edhe ata që kanë një profil publik, do të ishte gjë fantastike, respekt për vendin dhe për kombin, nëse do të përdorinin sado pak grimcë në të mirë të vendit. Këtë e besoj. Arsyeja pse jam këtu është se ata 4 burra që janë atje dhe shumë të tjerë që ranë në luftën për çlirimin e Kosovës, janë heronj. Janë ata që i dolën për zot vendit. Janë ata që mbrojtjën familjet nga shumë arsye”,- tha Osmani.
Protesta për UÇK në Tiranë, Balla: Kemi një qëndrim për luftën e drejtë të çlirimtarëve, sot foli populli
“Mesazh tregon qartë se jemi një komb, kemi një qëndrim sa i përket luftës së drejtë të çlirimtarëve të Kosovës dhe gjakut të derdhur nga populli shqiptar i Kosovës për çlirimin e Kosovës.”, tha Balla.
Pyetjes nëse do të donin më shumë figura nga Kosova si Albin Kurti apo Vjosa Osmani, Balla tha:
“Sot po flet populli.”
Ish-deputeti Haklaj: Të nderohen me urdhra të lartë ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë
“Dua t’ju bëj një propozim publik se, përveç thirrjeve, duhen edhe akte konkrete. I propozoj presidentit Begaj që djemtë që ndodhen në Hagë të nderohen me Urdhrin e Flamurit. I propozoj presidentes Vjosa Osmani t’i nderojë me titullin më të lartë që ia jep Kushtetuta, si dhe Këshillit Kombëtar të Malit të Zi dhe atij në Preshevë. Kjo do të ishte një mënyrë për t’i treguar botës mbarë se jemi një komb,” shtoi ai.
Protesta/ Shqiptari nga Kosova: Na bashkoi të gjithëve! Ish-krerët e UÇK do lirohen shumë shpejt, po akuzohen pa fakte
Ai theksoi se ish-krerët e UÇK do lirohen shumë shpejt pasi po akuzohen pa fakte.
‘Quhem Hysen Shala, jetoj në Zvicër që prej 37 vitesh. Është kënaqësi ti shohësh shqiptarët të bashkuar kështu. Uroj që të jemi sa më të bashkuar dhe më të fortë. Këtë forcë e ka frikë krejt rajoni. Nëse do të bëheshim bashkë të gjithë do të ishte shumë bukur. Ata do të lirohen së shpejti, sepse po i akuzojnë pa baza. Por ushtria ka luftuar për çlirimin e vendit dhe kjo është një krenaria gjithëkombëtare. Kjo protestë sot është një emocion i madh dhe i falenderojmë ata që e kanë bërë. Ne kemi qenë edhe në Hagë dhe nëse e nevojshme do të shkojmë edhe në Neë York’, tha ai.
Mijëra shqiptarë kërkojnë drejtësi, ja për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së dhe çfarë po ndodh me gjyqin në Hagë
Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm. Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.
Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë. Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.
Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët. Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve./REL
Protesta për UÇK-në në Tiranë, Kurti ‘mburret’ me qeverisjen e tij: Pasaporta e Kosovës është fuqizuar
“Pasaporta e Republikës së Kosovës më e fuqishme se kurrë më parë sipas raportit vjetor në Indeksin e Pasaportave Henley. Kosova ka kaluar nga vendi i 108-të në vitin 2021, në vendin e 65-të. Edhe në krahasim me vitin e kaluar Kosova ka pasur ngritje në raportin përfundimtar vjetor, gjersa kemi qenë në vendin e 68-të. Përveçse është rezultati më i mirë ndonjëherë në këtë indeks vjetor dhe dëshmi e forcimit të shtetësisë sonë, rankimi është tregues edhe i angazhimit tonë si qeveri në këtë mandat: nga liberalizimi i vizave me zonën Shengen e deri te puna intensive diplomatike me shumë shtete anekënd botës për të mundësuar lëvizjen e lirë. Me pasaportën tonë e cila po bëhet më e njohur ndërkombëtarisht, përfaqësohemi dinjitetshëm, udhëtojmë në më shumë vende pa viza dhe fuqizojmë republikën tonë”,- shkruan Kurti.
Falenderimi për Ramën, ja çfarë i dhuruan kryeministrit veteranët e UÇK-së në Tiranë
Djali i Hashim Thaçit nga protesta për UÇK në Tiranë: Faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen
‘Ju falenderojë të gjithëve për pjesëmarrjen, dua të falenderojë edhe zotin Rama që ka mbështetur këtë protestë dhe zotin Balla që është angazhuar dhe ka dhënë përkrahjen e tij maksimale’, tha ai.
Protesta për ish-krerët e UÇK, aktori Llesh Nikolla: Liria ka një emër, ajo quhet UÇK
‘‘Kosova po rënkon, peshojeni mirë këtë emër peshojini mirë këto varre, kërkojnë hakmarrje unë hakmarrjen se njihja ma mësove ti. Mi le nuset e reja e më përzure mijëra njerëz. Të vdekurit në varre thërrasin ku është liria, rilindasit thërrasin ku është pavarësia. Europë a e ke pyetur veten po të vinte shkjau ta bënte Londrën gropë do rrije t’i pa e çarë qiellin përmidis. Kosova jeton, gjallëron, liria ka emër, UÇK’, tha ai.
Protesta në Tiranë/ Ish presidenti Moisiu: Qarqet serbo-ruse fabrikuan akuzat për ish krerët e UÇK-së! Nuk mund të nëpërkëmbet gjaku shqiptar
Për ish presidentin shqiptar, akuzat ndaj liderëve historikë të UÇK-së janë të fabrikuara nga qarqet serbo-ruse, por bëri thirrje që të mos lejohet nëpërmkëmbja e gjakut të dëshmorëve shqiptarëe të rënë për lirinë e Kosovës.
“Të dashur qytetarë të Tiranës, Shqipërisë dhe Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Preshevës dhe Malit të Zi, të dashur bashkëkombës, sot jemi mbledhur këtu në zemër të Tiranës. Jemi mbledhur për të mbrojtur dinjitetin kombëtar, për të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po u bëhet bijve më të mirë të Kosovës dhe të kombit shqiptar, luftëtarëve të UÇK-së, që luftuan për lirinë e atdheut. Në vitin 2022, bashkë me presidentin Rexhep Meidani, Bamir Topi, Pandeli Majko, në dhomat e paraburgimit për të takuar personalisht presidentin Thaçi, me Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, në bisedë me këta burra kuptova dhe pashë se ata trima nuk ishin të frikësuar, por burra të vërtetë, qëndronin të qetë, të gatshëm për t’u sakrifikuar për të pasur luftën e UÇK-së pa njollat që padrejtësisht duan t’i japin ata që nuk i njohin mirë shqiptarët. Ata kanë bërë detyrën më të lartë që njeh historia bashkëkohore: çlirimin e Kosovës dhe mbrojtjen e popullit të vet. Unë besoj se drejtësia do të bëjë detyrën e saj dhe do të jetë në krahun e katër vëllezërve të UÇK-së. Janë burgosur pa prova, me akuza të fabrikuara në qelat e errëta serbo-ruse. Dua të theksoj se lufta e UÇK-së u mbështet fuqishëm nga NATO dhe SHBA, dhe nga partnerët e rëndësishëm perëndimorë. Komandantët udhëheqës të UÇK-së, dëshiroj të them se shqiptarët historikisht njihen si luftëtarë, por në tre raste janë shqiptarët që kanë luftuar për veten: në kohën e Skënderbeut, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe UÇK. Të dashur miq, është koha të mos heshtim, por të ngremë zërin sa më lart për të ngritur vendin tonë. Nuk mund të pranojmë të nëpërkëmbet gjaku i shqiptarëve. Liria e Kosovës nuk është dhuratë, është fituar me gjak, me sakrifica dhe vendosmëri. I bëj thirrje drejtësisë të tregojë veten për t’u bërë mësim të gjithëve. Lavdi dëshmorëve të UÇK-së, liri luftëtarëve të UÇK-së”,- tha Moisiu.
Mijëra shqiptarë kërkojnë drejtësi nga Tirana për ish-krerët e UÇK, Rama: Zemra mal! Begaj: Asgjë s’mund ta zhbëjë këtë trashëgimi sakrifice e heroizmi
“UÇK-ja është themeli i lirisë së Kosovës. Ajo është krenari e historisë sonë kombëtare. Askush nuk mund të zhbëjë këtë trashëgimi trimërie, sakrifice e heroizmi.”, ka shkruar presidenti Begaj.
Kryeministri Rama, ndonëse ishte një ndër mbështetësit më të zëshëm të protestës së organizuar nga veteranët e UÇK-së, nuk mori pjesë për të shmangur sipas tij politizimin e saj. Në një reagim që bëri dje në përgjigje të akuzave të LVV, tha mes të tjerash se “….do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj.”
Në mbyllje të protestës reagoi edhe kreu i AAK, Ramush Haradinaj, teksa shkroi: “Tirana UÇK. Liri për Çlirimtarët.”
Protesta pro UÇK, Gucati: Nga Tirana t’i themi botës se nuk ishim kriminelë, por bij që dhanë gjithçka për atdhe
“Ne sot protestojmë për të ngritur zërin për drejtësi, jemi këtu për të mbrojtur luftën e shenjtë të UÇK, për të mbrojtur gjakun e atdheut për liri dhe nderin e çlirimtarëve tanë. UÇk nuk ka nevojë me dëshmuar se ka qenë ushtri çlirimtare. Këtë e ka dëshmuar historia, populli dhe varret e Dëshmorëve të Kombit. Gjykatat e padrejta po përpiqen na barazuar viktimën me xhelatin, duan të njollosin luftën tonë të shenjtë për liri. Nuk do të lejojmë të njollosin emrat e komandantëve tanë. Kjo protestë nuk ka lidhje me politikë. Kjo është protestë për popullin shqiptar. Ne kërkojmë drejtësi dhe baraza para ligjit. Tirana sot është kryeqenra. Sot nga kjo tokë i themi botës se nuk ishim kriminelë, por bijtë e këtij kombi që dhanë gjithçka për atdhe.”, tha Gucati.
Bujar Leskaj nuk zbaton urdhrin e Berishës, merr pjesë në protestën e UÇK-së
Protesta për ish-krerët e UÇK në Tiranë, Përparim Rama: Të qëndrojnë të fortë, do të lirohen shumë shpejt
‘Unë besoj në drejtësi, besoj në liri dhe besoj se ata janë të pastër, besoj në pastërinë e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata duhet që të qëndrojnë të fortë sepse do të lirorohen shumë shpejt’, tha ai.
Tiranë/ Nis me Himnin kombëtar protesta në mbështetje të ish krerëve të UÇK-së
Ish-presidenti Alfred Moisiu mbërrin në shesh për protestën pro ish-krerëve të UÇK-së
Tirana jehon kuqezi, Report Tv sjell pamjet me dron nga protesta për ish-krerët e UÇK-së
Me flamurin e UÇK në duar, djali i Hashim Thaçit krah Taulant Ballës në sheshin Skënderbej
FOTOLAJM/ ’O të vdesim o të rrojmë, çlirimtarët t’i lirojmë’! Pankarta në protestën e UÇK-së: Gjykatë raciste

Gjithashtu bëhet thirrje për mos të bëhet barazim me viktimës me agresorin barbar.
’O të vdesim o të rrojmë, çlirimtarët t’i lirojmë! Gjykatë raciste serbe-ruse! Stop barazimit të viktimës me agresorin barbar’.
Protesta për UÇK, veterani: Ja si i kërkova kryeministrit Rama mbështetje për tubimin
“Iniciativa ka qenë e imja. Kjo iniciativë ka buruar para një muaji kur jemi kthyer nga Haga me këta djem. Unë jam kthyer në kryeministri dhe kam patur kërkesën për shtetin shqiptar që të bëni protestë shumë të madhe këtu në Tiranë, pas Tiranës dhe një në Shkup dhe kabineti tha do t’ia përcjellim kryeministrit Edi Rama këtë mesazh tëndin dhe pas dy javësh u dha lajmi që do bëhet kjo protestë e madhe”,- tha ai.
“Dy ditë e dy netë kam udhëtuar, vetëm në tre vende kam ndaluar nga 2 orë sepse kam pasur problem me këmbën. Policinë e shtetit shqiptar e falenderoj sepse gjithmonë e kam pasur përkrahje dhe popullin shqiptar e falenderoj shumë”,- shtoi Pllashaniku.
Një tjetër veteran paralajmëroi nëpërmjet mikrofonit të Report Tv se nëse liderët historikë të UÇK-së dënohen në Hagë, reagimi do të jetë i dhunshëm.
“Ky është organizim perfekt. Është dashur të organizohet më herët. Zëri ynë është të jemi sa më të bashkuar, sa më të afërt. Jo t’i urrejmë çlirimtarët siç po i urrejnë disa politikanë në Kosovë. Kjo është vdekje për ata njerëz. Të të sjellin lirinë dhe t’i urresh. Vdekje për ne është. KJo është krenari gjithëkombëtare. Zëri ynë duhet të dëgjohet në të gjithë botën. Të jehojë në të gjithë botën. Këtu është vendi i Skënderbeut dhe prej këtu duhet të jepet mesazh i qartë që ne luftojmë për demokraci të Ballkanit dhe të Europës dhe për çdokund. Ishalla nuk na idënojnë çlirimtarët sepse do të na e shohë sherrin e gjithë Europa”,- tha veterani i UÇK-së.
Protesta për UÇK në Tiranë, Ulsi Manja: Nuk është politike, kush ka gjak shqiptari duhet të jetë këtu
‘Është impresionuese protesta e sotme. Kjo nuk është një protestë politike, është protesta e shqiptarëve, kush ka gjak shqiptari do të duhet që të jetë sot këtu në këtë shesh’, tha Manja.
‘Prej tyre jemi formuar si shtet”/ Protestuesit në sheshin ‘Skënderbej’: Gjykata Speciale na ka vjedhur Presidentin dhe kreun e Kuvendit
“Ata janë gjithçka për Kosovën, janë arkitekte për Kosovën. Ne pa ta nuk jemi as të formuar as si shtet. Kjo është diçka shumë e vogël që në mund të bëjmë që ata të jenë shumë shpejt në mesin tonë dhe të jenë aty ku u takon. Na e kanë vjedhur presidentin dhe kreun e Kuvendit. Nuk ka shtet pa ta. Ju e shihni sot, nuk kemi qeveri, nuk kemi as shtet”, tha ai.
Ndërsa një tjetër protestues, tha se Kosova është shtet falë drejtuesve të UÇK-së. Ndërsa më tej hodhi akuza ndaj Gjykatës Speciale se po i mban drejtuesit e UÇK-së me dëshmi të falsifikuara.
“Falë tyre kemi shtet, falë tyre sot Kosova lëviz lirshëm. Falë tyre, fëmija im sot në shkollë. Çdo arritje që është bërë sot në Kosovë, është bërë falë tyre, duke filluar nga ushtria, policia etj. Një herë e përgjithmonë, drejtësia te shkojë në vendin e vet. Ne kemi pasur padrejtësira të tjera ndaj drejtuesve të UÇK-së. Të gjithë i kanë marrë në mënyrë të padrejtë në pyetje. Tani kjo Gjykatë Speciale me dëshmi të falsifikuar prej Serbisë”, tha ai.
Gjithashtu një pjesëmarrës në protestë tha se nuk kishte ardhur për politikanët në protestë.
“Nuk kam ardhur për politikanët shqiptarë, se janë të gjithë të korruptuar, por kam ardhur si gjak shqiptari”, tha ai.
Një protestues tjetër bëri thirrje për lirimin e krerëve të UÇK-së.
“Flas në emrin tim dhe në emrin e këtyre, le të lirohen të pafajshmit”, tha ai.
Ndërsa një tubues tjetër për pjesë marrje në protestë.
‘Iu bëj thirrje të gjithë atyre që janë shqiptarë, të na bashkëngjiten në protestë’.
Veteranët e UÇK-së rreshtohen para memorialit, nderojnë Skënderbeun
Protesta pritet që të nisë në orën 17:00.
‘O Hashim ti ku je, krejt studentat këtu i ke’, studentët nga Kosova bëhen pjesë e protestës në ‘Sheshin Skënderbej’
‘UÇK, UÇK, Hashim Thaçi. O Hashim ti ku je krejt krejt studentët këtu i ke’, thonin ata.
Protesta pritet të nisë deri në orën 17:00, teksa raportohet për pjesëmarrje të madhe në tubimin e sotëm.
Në prag të protestës në Tiranë për ish-krerët e UÇK-së, qytetarët në Kosovë: Ky tubim do të ngrejë alarmin për lirimin e tyre
“Ata njerëz nuk e meritojnë të vuajnë atje dënimin. Mendoj se kjo protestë do të ngrejë alarmin për lirimin e tyre”, tha një qytetare.
“Çlirimitarët tanë po mbahen atje (Hagë) padrejtësisht. E gjithë bota e dinë se ata janë të pafajshëm”, tha një tjetër.
“Na kanë marrë njerëzit më të shenjtë që ne kemi, padrejtësi më të madhe nuk ka”, tha një qytetar tjetër.
“Po shkojmë në mënyrë paqësore për të protestuar”, theksoi një protestues.
Në prag të tubimit për ish-krerët e UÇK, mblidhen protestuesit e parë në Sheshin Skënderbej
Protesta për UÇK-në, bllokohet për dy orë qarkullimi në ‘Bulevardin e Ri’ në Tiranë
Burime për Report Tv, bëjnë me dije se në ‘Bulevardin e Ri’ do të parkohen automjetet e protestuesve që do të vjnë nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare.
Policia bën me dije se drejtuesit e automjeteve, duhet të zgjedhin akset alternative .
Morinë/ Me uniforma dhe kalojnë kufirin në këmbë, veteranët e UÇK-së nisen masivisht drejt Tiranës për protestën
Protesta do të nisë pasditen e sotme dhe është organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që ndodhen në Hagë.
Protesta/ Dhjetëra makina me flamuj kuqezi dhe simbole të UÇK-së drejt Tiranës, qytetarët e Kosovës dynden drejt kryeqytetit

Për shkak të fluksit të lartë të mjeteve, Policia Rrugore ka shtuar prezencën përgjatë aksit për të garantuar qarkullim normal dhe për të shmangur bllokimet e mundshme të trafikut.
Tubimi në Tiranë pritet të zhvillohet gjatë orëve të pasdites, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje paqësore dhe respektim të rendit publik
Protesta në ‘Sheshin Skënderbej’/ Me qeleshe dhe simbolin e UÇK edhe Tetova drejt Tiranës: Presim ish-krerët të lirohen
“Jemi tre bashkëluftëtarë që po vijmë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK. Ata po mbahen padrejtësisht atje. Ne jemi pjesëtar të Ushtrrisë Çlirimtare Kombëtare dhe do të përkrahim vëllezërit tanë. Presim ata të lirohen”, thanë ata teksa në kokë mbanin qeleshe me simbolin e UÇK-së.
‘Shkodra Marshon’, Bashkia autobusë falas për protestuesit që do vijnë në Tiranë për protestën e UÇK-së

“Shkodra marshon për Kosovën! Për protestën gjithëkombëtare në Tiranë, janë vënë autobusë në dispozicion për të gjithë qytetarët që duan të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje madhështore.
Nisja: ora 13:30
Sheshi para Bashkisë
Shkodra, qyteti i zemrës së madhe dhe historisë së lavdishme, ngrihet sot në krah të vëllezërve tanë të Kosovës për dinjitetin, lirinë dhe drejtësinë e UÇK-së”, shkruan Beci.
‘UÇK zemra e Kosovës’, me këngë patriotike, shqiptarët e Kosovës nisen me autobusë drejt Tiranës për protestën e UÇK-së
Protesta për ish-krerët e UÇK-së/ Me flamuj kuq e zi dhe këngë patriotike, qytetarët e parë nga Kosova drejt Tiranës: Kërkojmë drejtësi për çlirimtarët tanë
“Kërkojmë drejtësi për çlirimtarët tanë; Jemi nisur për Tiranë për protestën e organizuar nga veteranët e UÇK. I urojmë kthim sa më shpejt në Kosovë; Po shkojmë në Shqipëri për protestën. Urojmë që t’ia arrijmë qëlllimit për t’i liruar thanë disa prej qytetarëve nga Kosova për Report Tv teksa po kalonon në pikën kufitare të Morinës