I ftuari i kryeministrit, përveçse me origjinë nga Berova, në vitin 2021 u pajis me pasaportë dhe shtetësi ruse dhe u dekorua personalisht nga Putini për kontributin e tij në kulturën ruse. “Fuqia e butë” e Millosh Bikoviq-it është me rëndësi për Rusinë – ai shërben si një fytyrë e njohur dhe e pëlqyeshme që nuk e kritikon Rusinë, gjë që në epokën e izolimit ndërkombëtar ka shumë vlerë. Popullariteti i tij e bën kulturën ruse “të qasshme” dhe “miqësore” për publikun ballkanik. Ukraina, nga ana tjetër, e akuzon se ka marrë pjesë në produksione dhe filma të xhiruar në Krime – gadishulli ukrainas që Rusia e aneksoi në vitin 2014 – dhe se ka mbështetur pushtimin rus të vendit, transmeton Vërtetmatësi.
Kryeministri Hristijan Mickoski këtë javë në Instagram, me fotografi, e “kurorëzoi” takimin e tij me aktorin serb (dhe rus) Milosh Bikoviq. Mickoski publikoi se e kishte pritur Bikoviq-in për një bisedë rreth investimeve të ardhshme në një kompleks hotelierik dhe rekreativ në Berovë, prej nga Bikoviq e ka origjinën.
I ftuari i kryeministrit, përveçse me origjinë nga Berova, në vitin 2021 u pajis me pasaportë dhe shtetësi ruse dhe u dekorua personalisht nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, për kontributin e tij në artin dhe kulturën ruse. Dhe jo vetëm kaq – emri i tij është objekt debatesh, pasi Ukraina e cilëson si person përmes të cilit Rusia realizon të ashtuquajturën “fuqi të butë”. Ky është një koncept sipas të cilit shtetet – në këtë rast Rusia – e përdorin kulturën dhe ndikimin e saj për të fituar simpati jashtë vendit dhe në këtë mënyrë për të realizuar interesat e veta. Prandaj, për Ukrainën nuk ishte e parëndësishme kur në vitin 2024 televizioni HBO shpalli se Bikoviq do të ishte aktor në sezonin e tretë të serialit popullor “The White Lotus”.
Atëherë, përmes kanaleve zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ukraina shpërndau një mesazh proteste, duke e pyetur televizionin HBO “nëse është në rregull për produksionin e tyre të punojnë me një njeri që mbështet gjenocidin dhe shkel të drejtën ndërkombëtare”, duke iu referuar Bikoviq-it.