Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor është në qendër të diskutimeve në Forumin Ekonomik të Delfit në Greqi, ku po merr pjesë edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.
Në nisje të axhendës së tij, Hoxha do t’i bashkohet ministerialit të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE-së, një takim i organizuar nga ministri i Jashtëm i Greqisë, George Gerapetritis, në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit evropian të rajonit.
Në fokus të këtij takimi është riafirmimi i mbështetjes për zgjerimin e BE-së, por edhe forcimi i bashkëpunimit politik mes vendeve të rajonit dhe unionit. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme, diskutimet në këtë takim synojnë të hedhin baza për hapa të tjerë përpara, edhe në prag të Presidencës greke të Këshillit të BE-së.
Pjesë e debatit pritet të jenë edhe çështje konkrete që prekin rajonin, nga siguria energjetike dhe ndërlidhja rajonale, te integrimi në transport dhe teknologjinë digjitale.
Gjatë qëndrimit në Delfi, ministri Hoxha do të zhvillojë edhe një takim me homologun e tij grek, George Gerapetritis.
Po ashtu, ai do të marrë pjesë në disa panele diskutimi kushtuar sfidave dhe prioriteteve rajonale e ndërkombëtare, ku një nga temat kryesore mbetet pikërisht zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Në këto diskutime, së bashku me homologë të rajonit dhe pjesëmarrës të tjerë, Hoxha pritet të theksojë rëndësinë që ka integrimi i Ballkanit Perëndimor për një Evropë më të sigurt dhe më të fortë.