Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, priti në një takim Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Tiranë, Gabriel Cremades Ventura. Gjatë takimit, të dy zyrtarët diskutuan rreth zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe çështjeve të brendshme.
Ministri Hoxha vlerësoi kontributin e Spanjës në përmirësimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit dhe Institutit të Policisë Shkencore. Ai theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Spanjës janë të qëndrueshme dhe bazohen në vlera të përbashkëta, me theks të veçantë në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe pastrimit të parave.
Gjatë bisedës u vlerësua gjithashtu niveli i lartë i shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit në hetime dhe operacione të përbashkëta mes autoriteteve të dy vendeve.
Një tjetër temë me interes ishte propozimi për vendosjen e bashkëpunimit ndërmjet Akademisë së Sigurisë dhe Shkollës Kombëtare të Policisë së Spanjës. Ky bashkëpunim synon të krijojë një urë të re në fushën e arsimit dhe trajnimit policor.