“Gjatë vizitës sime në Austri realizova takim zyrtar me deputetin në Këshillin Kombëtar të Austrisë dhe përfaqësuesin e Partisë Socialdemokrate të Austrisë, z. Robert Laimer, në kuadër të thellimit të bashkëpunimit dypalësh dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet dy vendeve tona.
Në fillim të takimit, shpreha ngushëllimet dhe solidaritetin e thellë për tragjedinë që ndodhi në qytetin Graz, duke përcjellë mbështetjen dhe afërsinë e sinqertë të popullit tonë ndaj qytetarëve dhe familjeve të prekura nga ky rast tragjik.” tha ministri Limani.
Biseda ishte e fokusuar në mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit në fushat e politikës sociale, punësimit, fuqizimit të të rinjve dhe mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve. Z. Laimer ndau praktikat e suksesshme austriake në zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të mbrojtjes sociale, duke theksuar rëndësinë e sigurimit të barazisë sociale dhe kushte të denja puna për të gjithë qytetarët.
Angazhimi i z. Laimer për përmirësimin e dialogut ndërparlamentar dhe nxitjen e partneritetit institucional është shumë i rëndësishëm. Me këtë rast theksova edhe përkushtimin tonë për zbatimin e reformave të qëndrueshme që do të kontribuojnë në përmirësimin e standardit të jetesës, mbështetjen e kategorive të cenueshme dhe krijimin e mundësive të reja për punësim, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë.
Të dyja palët shprehën gatishmëri për të punuar së bashku në projekte në fushat e trajnimit profesional, përfshirjes sociale, zhvillimit të shërbimeve moderne sociale dhe mbështetjes së grupeve më të cenueshme në shoqëri.
Në fund të takimit u theksua rëndësia strategjike e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të vendit tonë, si një garanci për stabilitet të qëndrueshëm shoqëror, zhvillim ekonomik afatgjatë dhe përafrim të politikave kombëtare me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian.