Vendosja e fasadave moderne mbi objekte historike, pa pëlqim, paraqet shkelje të ligjit dhe konsiderohet degradim i trashëgimisë kulturore. Kështu thanë nga Ministria e Kulturës pas shqetësimeve të ngritura nga aktivistët e kulturës për mënyrën e restaurimit të objekteve kulturore në Tetovë.
Nga Ministria e Kulturës thonë se çdo ndërhyrje mbi një objekt që paraqet trashëgimi kulturore duhet të bëhet duke respektuar plotësisht autenticitetin, vlerën historike dhe rëndësinë kulturore të tij.
“Ndërhyrje siç janë rinovimi, restaurimi apo adaptimi, duhet të kryhen mbi bazë të elaboratëve profesionalë dhe projekteve të miratuara nga institucioni kompetent. Vendosja e fasadave moderne mbi objekte historike, pa pëlqim, paraqet shkelje të ligjit dhe konsiderohet degradim i trashëgimisë kulturore”, thanë nga Ministria e Kulturës.
Nëse deri tani nuk janë ndërmarrë masa të mjaftueshme, sipas ministrisë kjo ka ndodhur për shkak të mjeteve të kufizuara buxhetore, mungesës së koordinimit mes pushtetit lokal dhe atij qendror si dhe mosrespektimit të procedurave ligjore nga ana e disa investitorëve dhe pronarëve privatë.
Nga Ministria e Kulturës thonë se kanë plane për formimin e ekipeve profesionale për vlerësimin e gjendjes së objekteve të rrezikuara si dhe tërheqjen e fondeve përmes programeve dhe fondeve ndërkombëtare për trashëgimi kulturore (UNESCO, fondet e BE-së).
“Ministria nuk mbështet mbulimin e objekteve historike me fasada moderne, por për restaurimin e tyre profesional, autentik dhe ligjor. Trashëgimia kulturore në Tetovë ka vlerë të madhe dhe çdo qytetar ka të drejtë, por edhe obligim, të marrë pjesë në ruajtjen e saj”, thanë nga Ministria e Kulturës.
Pak ditë më parë, nga organizata HUTA ngritën shqetësime për mënyrën joprofesionale se si Komuna e Tetovës dhe Ministria e Kulturës po i trajtojnë objektet në qytet.
Roni Kadriu nga kjo organizatë theksoi se edhe dy objektet e vjetra te Gjimnazi i Tetovës që po restaurohen po bëhen në formën joadekuate.
“Ndërtimi është duke u mbuluar me stiropol, nuk është bërë ndonjë plan adekuat për restaurimin e të njëjtës, kemi fasadë të betonizuar dhe plastifikuar në vend të restaurimeve me metoda tradicionale, kjo nuk është restaurim por shkatërrim i trashëgimisë kulturore”, tha Kadriu.
LEXO: Trashëgimia kulturore e Tetovës në rrezik, institucionet akuzohen për qasje joprofesionale (Video)
Një nga të punësuarit e kompanisë që realizon punimet, edhe pse nuk deshi të flasë para kamerës, na tha se fasada nga jashtë do të bëhet siç ka qenë dhe se do të ruhet pamja e vjetër.
Nga Komuna e Tetovës nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.
Kujtojmë se në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, në pjesën e kulturës përmenden investime dhe rikonstruime për Kalanë e Tetovës, Teqenë Arabati Baba, Ura e Kazazëve, por asnjëra nga këto nuk është realizuar në terren.