Në Bled të Sllovenisë sot kanë filluar punimet e Forumit Strategjik të Bledit 2025, një nga platformat më të rëndësishme të dialogut ndërkombëtar për paqe, siguri dhe bashkëpunim global.
“Me ftesë të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, po merr pjesë në edicionin e 20-të jubilar të Forumit Strategjik të Bledit, që mbahet më 1 dhe 2 shtator 2025, me temën “Një botë e pakontrolluar” (A Runaway World),” thuhet në njoftim.
Ministrja Gërvalla do të jetë folëse në një nga sesionet qendrore, ku do të prezantojë vizionin e Republikës së Kosovës për forcimin e multilateralizmit dhe ndërtimin e besimit në një kohë të pasigurt globale.
Gjatë forumit, Ministrja Gërvalla do të zhvillojë takime dypalëshe me homologë të vendeve pjesëmarrëse, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe aktorë të shoqërisë civile, me synim forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe avancimin e interesave të Republikës së Kosovës.
Forumi i Bledit është një platformë e rëndësishme globale për debatin rreth sfidave të sigurisë, zhvillimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar./Arbresh.info/