Oficerë të Policisë së Kosovës kanë marrë pjesë në një trajnim për ndihmën e parë dhe ndërhyrjen emergjente mjekësore, të organizuar nga ushtarë të Komandës Rajonale-Lindje të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR). Trajnimi është zhvilluar në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut.
Sipas njoftimit të KFOR-it, programi është përqendruar në aftësi jetike të reagimit të shpejtë, si vlerësimi i personave të lënduar, hapja dhe menaxhimi i rrugëve të frymëmarrjes, si dhe evakuimi i viktimave nga situata të rrezikshme. Qëllimi kryesor ka qenë përmirësimi i aftësive të pjesëmarrësve për të ofruar ndihmë të menjëhershme në raste emergjencash dhe situata kritike.
KFOR-i thekson se aktivitete të tilla janë pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucionet lokale të sigurisë, duke synuar rritjen e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e efektivitetit në shërbim të të gjithë qytetarëve në Kosovë.
Në deklaratë rikujtohet gjithashtu mandati i misionit të NATO-s, i bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, i cili synon ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm, si dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët, në mënyrë të paanshme dhe të vazhdueshme.
Po ashtu, KFOR-i nënvizon se bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në përputhje me rolet dhe përgjegjësitë e secilit në fushën e sigurisë.