Pesidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar në rrjetet sociale pas ngjarjes tragjike në Shkodër, ku kapiteni 51-vjeçar Arben Anamali humbi jetën pasi shpëtoi nga mbytja dy turistë
Kreu i shtetit e cilësoi Anamalin si një shembull heroizmi dhe modeli shoqëror që duhet nderuar.
“Nderim përjetë Arben Anamalit, kapitenit 51-vjeçar nga Shkodra për aktin heroik të shpëtimit të dy turistëve nga mbytja, duke dëshmuar një model shoqëror dhe shpirt heroik,” shkruan Presidenti Begaj.
Ai shprehu gjithashtu solidaritetin e tij me familjen e të ndjerit:
“Jam pranë familjarëve të tij në këto momente të vështira dhimbjeje.”
Ngjarja ka prekur opinionin publik, ndërsa shumë qytetarë dhe figura publike kanë vlerësuar aktin e jashtëzakonshëm të kapitenit që sakrifikoi jetën për të shpëtuar të tjerët.
Edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ka reaguar pas ngjarjes së rëndë. Ai bën me dije se vijojnë kërkimet për trupin e pajetë që prej pasdites së djeshme, ndërsa shton se ndodhet pranë familjes në këto momente të vështira.
“Ky mëngjes është i trishtë për Shkodrën. Që prej mesditës së djeshme, forcat polumbare të FNSH-së, në bashkëpunim me punonjës të Bashkisë Shkodër, po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të kapitenit të anijes turistike në liqenin e Shkodrës, Arben Anamali. Strukturat do të jenë të angazhuara edhe gjatë ditës së sotme për të bërë të mundur gjetjen e trupit të Arbenit, kapitenit që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar turistët që po rrezikonin jetën. Fatkeqësisht, ky akt heroik u kthye në një tragjedi për të, për familjen dhe për të gjithë ata që e njohën. Jam pranë familjes Anamali në këto momente të vështira.
/vizionplus.tv