Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës shumë shpejt do të furnizohen me veshmbathje dhe pajisje të reja.
Ministria e Mbrojtjes, e udhëhequr nga ministri në detyrë, Ejup Maqedonci, ditë më parë ka arritur të finalizojë tenderin e radhës me kontratë, shkruan IndeksOnline.
Fillimisht për kontratën në fjalë janë ndarë 217,000.00 euro, megjithatë, vlera e përgjithshme e kontratës ka kaluar shifren e paraparë.
Për tenderin “Furnizim me veshmbathje dhe pajisje për PU (SUFSK1001) për nevojat e FSK-së”, nga buxheti i shtetit janë ndarë 275,649.70 euro.
Tenderi në fjalë i është besuar operatorit ekonomik “Sodex Group” Sh.P.K.
“AK i MM, ka për qellim qe të lidhe një kontratë me një OE, qe do të ketë kapacitet të kryej Furnizim me veshmbathje dhe pajisje për PU (SUFSK1001) për nevojat e FSK-së. Furnizimet duhet të behet sipas specifikimit teknik te kërkuar të përcaktuar në dosjen e tenderit me qellim të ngritjes se operacionalitetit dhe efikasitetit ne kryerjen e detyrave sipas misionit të FSK MM-së.”, thuhet mes tjerash në përshkrimin e shkurtër të kontratës. Kohëzgjatja e kontratës publike kornizë është bërë për 36 muaj.