‘‘Çdo akt i tillë për të përjashtuar komunitete të caktuara minon parimet demokratike dhe gërryen besimin në institucionet e Kosovës”. Kështu thuhet ndër tjerash në reagimin e bërë nga shtetet e QUINT dhe Zyra e BE-së në Kosovë pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Në reagimin e tyre ata shprehin edhe shqetësimin që kanë me aktorët politikë për të kufizuar konkurrencën midis partive politike që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë para zgjedhjeve lokale më 12 tetorit.
QUINT në deklarimin që patën kërkuan nga Lëvizja Vetëvendosje, por edhe partitë e tjera që të përmbahen nga ‘’hapat e mëtejmë’’.
“Ne presim që qeveria në largim dhe të gjitha partitë politike të përmbahen nga hapat e mëtejshëm që mund të pengojnë regjistrimin e partive. Të gjitha procedurat duhet të kryhen strikt në përputhje me rregullat dhe mandatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në të njëjtën kohë, ne i inkurajojmë palët e prekura të shfrytëzojnë plotësisht Panelin e Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore për të kërkuar dëmshpërblim”.
Reagim pati edhe nga Brukseli. Bashkimi Evropian shprehu zhgënjim për vendimin dhe duke kritikuar qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë procesit të certifikimit.
Në një deklaratë të BE-së thuhet se përfshirja e plotë dhe gjithëpërfshirëse e zgjedhjeve të ardhshme është thelbësore për marrëdhënien e ardhshme mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Partitë politike që kanë përmbushur kriteret ligjore duhet të lejohen të marrin pjesë në zgjedhje dhe përfaqësuesit e zgjedhur të marrin mandatet e tyre në të gjithë territorin e Kosovës, përmes një procesi të lirë, të drejtë dhe gjithëpërfshirës”, thuhet në reagim.
Megjithatë, në këtë valë reagimesh mungoi ai i presidentes Vjosa Osmani.
Kjo e fundit, edhe pse janë bërë tashmë dy ditë prej se është zhvilluar mbledhja e KQZ-së, ajo s’ka reaguar fare.
Osmani s’ka bërë asnjë koment pavarësisht thirrjeve të qarta të SHBA-ve por edhe aleatëve të tjerë të Kosovës që pengimi i Listës Serbe të mos bëhet.
Ndryshe, Lista Srpska tashmë ka dorëzuar në PZAP ankesën për moscertifikimin e saj nga KQZ-ja. Po ashtu, duhet theksuar se edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit, KQZ s’e kishte certifikuar fillimisht Listën Srpska, por më pas PZAP kishte vendosur për të kundërtën.