Mosdisatancimi i Ministres në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla, nga deklaratat e Fatos Gecit për ish-krerëve të UÇK-së ka nxitur reagime të ashpra në vend.
Pajtimi i me dëshirën e bashkëpartiakut të saj që të dënohen me burgim të përjetshme ish-krerët e UÇK-së, ka bërë që të dënohen gjuha e saj.
Zyrtarët e lartë të PDK-së dhe shoqëria civile kanë nxjerr në pah sulmet e pushtetit aktual ndaj UÇK-së.
Sipas tyre, Gërvalla dhe disa njerëz të pushtetit nuk janë të vetëdijshëm për pasojat që mund t`i sjell Kosovës dënimi i ish-krerëve të UÇK-së.
Sekretarja e PDK-së, Vlira Çitaku, ka thënë se tani edhe ministrja e Drejtësisë ua uron ish-krerëve të UÇK-së burgimin e përjetshëm.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se pushteti aktual po e sulmon qëllimisht UÇK-në.
“Ka me të mbulu turpi, Donikë. Çfarë neverie. Çfarë gërrdije. Me qenë Ministre e Jashtme e Republikës së Kosovës, me përfaqësu këtë shtet para botës, e sot si Ministre e Drejtësisë me ua uru burgimin e përjetshëm Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit. Kjo dhemb. Thellë. Sepse në fakt, ju nuk po sulmoni vetëm katër njerëz. Ju po doni me dënu UÇK-në, luftën çlirimtare dhe krejt sakrificën mbi të cilën është ndërtu kjo Republikë. Ata burra mund t’i mbani larg Kosovës fizikisht, por nuk mund ta burgosni historinë. Nuk mund ta zhbëni sakrificën, gjakun dhe idealin e mijëra grave e burrave që u ngritën për liri. Marre ju qoftë”, ka shkruar ajo.
Edhe kandidatja për deputete e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e ka dënuar gjuhen e Donika Gërvallës.
Ajo ka bërë me dije se Serbia nuk ka pasur nevojë të lobojë kundër Kosovës kur e ka pasur Gërvallen.
“Që nga paraqitja e parë e Donikës në Kombet e Bashkuara, Serbia s’ka pasur më nevojë të shpenzojë miliona për lobim kundër Kosovës sepse ajo këtë punë e ka bërë vetë më mirë se kushdo. Ky rol vazhdoi deri në mbledhjen në të njëjtin institucion, ku u falënderua publikisht nga Dacici për “bashkëpunimin” dhe qasjen e saj. Nga një profil i tillë nuk mund të pritet mbrojtje për UÇK-në. PËRKUNDRAZI”, ka shkruar a
Kurse, ish-kandidati i AAK-së për deputet, Artan Demhasaj, ka deklaruar se pushtetit aktual asnjëherë nuk e ka mbrojtur luftën çlirimtare.
“Kjo jo vetëm që e respekton atë narrativë kundër krerëve të UÇK-së, por me vite ka vepruar në sinkron me të. Sa herë është sulmuar lufta çlirimtare, këta kanë heshtur ose kanë duartrokitur në prapaskenë. Dalëngadalë po ju bien maskat e po shihet fytyra e vërtetë politike. Sot mundohen me u paraqit si patriotë, ndërsa dje e relativizonin sakrificën e atyre që lanë gjithçka për lirinë e Kosovës. Krerët e UÇK-së nuk janë në Hagë pse luftuan për pushtet, por pse luftuan kundër regjimit serb për lirinë e këtij populli”, ka shkruar ai, duke shtuar se marrëzia ka emër.
“E vërteta nuk mbulohet me propagandë. Ata që sakrifikuan për Kosovën do të dalin faqebardhë, ndërsa ata që u munduan t’i njollosin, do të mbesin të njohur për hipokrizi e përçarje. Prandaj, marrëzia, manipulimi dhe pafytyrësia kanë emër”, ka shkruar ai.
Çka tha Gërvalla?
Ministrja në detyrë e Drejtësisë dhe bashkëkryetarja e partisë “Guxo” ka komentuar për deklaratat e kandidatit për deputet të partisë Guxo, Fatos Geci,, i cili ka thënë se lutet që ish-krerët e UÇK-së të dënohen me burgim të përjetshem nga Gjykata Speciale.
Në emisionin “Këndi i Debatit”, në Tëvë1, ajo ka thënë se e respekton atë cfarë thotë Fatos Geci.
“Fatosi, në përgjithësi familja Geci nga Llausha, ka një histori të dhimbshme të pasluftës dhe gjatë luftës. Edhe unë pa dashur të bëjë avokatin, e as gjykatësin e Fatos Gecit, unë e respektoj atë çfarë thotë Fatosi, sepse e respektoj përvojën dhe biografinë e familjes së tij. Mendoj që ajo pjesë e historisë sonë më të re është pjesë e historisë së Republikës së Kosovës, pjesë e një sakrifice të jashtëzakonshme që kanë bërë disa familje të mëdha në Kosovë. Kështu që Fatos Geci është njëri nga zërat e ndryshëm në këtë listë”, ka thënë Gërvalla.
Pas reagimeve të shumta, ajo sot ka publikuar pjesën e intervistës ku flet për këtë çështje.
Gërvalla sërish nuk është distancuar nga deklaratat e kandidatit të partisë Guxo për deputet.
Në profilin e saj në Facebokk, ajo ka shkruar se Fatos Geci është një prej zërave të ndryshëm në listën për deputet.
“Ne kemi personalitete të ndryshme në listë, jo me të gjithë pajtohem, jo me të gjithë ndaj mendime të njëjta. Fatos Geci është një prej zërave të ndryshëm në këtë listë”, ka shkruar Gërvalla.