Situata e krijuar nga moti i keq në jug të vendit mbetet problematike. Në Çukë të Sarandës, argjinatura e lumit Bistricë është çarë dhe si pasojë janë përmbytur 5 banesa dhe qindra hektarë tokë bujqësore. Katër barinj kanë mbetur të izoluar në një stallë me dele. Përmbytje raportohen edhe në zonën e Shalësit, ku lumi i Pavllës ka dalë nga shtrati pranë urës në Vilë, duke izoluar 6 fshatra të njësisë administrative Markat
Situata paraqitet kritike edhe në Vlorë. Niveli i lumit Vjosa ka arritur në 8.25 metra, ndërsa pritet ende rritje për shkak të prurjeve nga Tepelena dhe Memaliaj. Në Mifol dhe Novoselë ka përmbytje të tokave bujqësore. 10 banesa në fshatin Fitore, pranë Urës së Mifolit, dhe 7 të tjera në Novoselë janë përmbytur, ndërsa banorët janë evakuuar.
Edhe në Fier situata është e rënduar. Në fshatrat përgjatë Vjosës, Kashisht, Çerven dhe Ferras, ka prezencë të ujit në tokat bujqësore brenda argjinaturës, ndërkohë që niveli i prurjeve në lumin Seman vijon të rritet. Nën ujë ndodhen ende edhe puset e ujit të pijshëm që furnizojnë stacionin e Kafarajt, duke shtuar rrezikun për furnizimin me ujë të sigurt në zonë.
Fier/ Uji hyn në oborret e 30 banesave në Kashisht, Çerven e Ferras! Evakuohet një familje në Çerven! Lumi Seman del nga shtrati në fshatin Kallm
Si pasojë e prurjeve të larta të lumit Vjosë, situata në qarkun Fier paraqitet e vështirësuar. Niveli i ujit ka arritur në 7.3 metra në urën e Mifolit, duke mbetur në pikë kritike, ndërsa lumi ka dalë nga shtrati në fshatrat Kashisht, Çerven dhe Ferras, por ende brenda argjinaturave.
Rënia e fuqisë tërheqëse të detit po pengon shkarkimin e ujit, çka sjell shtim të prezencës së tij në tokat bujqësore, ku në Kashisht dhe Çerven janë përmbytur rreth 50–60 hektarë. Në Çerven është evakuuar një familje me dy anëtarë, ndërsa uji ka hyrë në oborret e 30 ndërtesave në zonat brenda argjinaturës në Kashisht (5 banesa), Çerven (4) dhe Ferras (21).
Si masë paraprake, është bërë stakimi i pompave në stacionin e ujit të pijshëm në Kafaraj, prej nga furnizohet qyteti i Fierit. Edhe lumi Seman paraqet prurje të larta dhe ka dalë nga shtrati në fshatin Kallm, por gjithashtu brenda argjinaturave, pa rrezikuar banesa.
Uji ‘hyn’ në Prokurorinë e Korçës, një pjesë e Maliqit pa energji elektrike! Evakuime në Sovjan, në Leshnjë ka bagëti të mbytura! Në Poloskë përmbytet një banesë
Prefektura e Korçës njofton se reshjet e dendura gjatë natës kanë shkaktuar probleme në disa zona të qarkut. Në Korçë, bodrumet dhe arkiva e Prokurorisë u përmbytën, por situata u stabilizua pas ndërhyrjes së ekipeve.
Në Maliq, reshjet shkaktuan defekt në një fider elektrik dhe mungesë energjie në një pjesë të qytetit, ndërsa në Sovjan u evakuuan banorë, bagëti dhe koshere bletësh. Raportohen bagëti të mbytura në Leshnjë, si edhe prezencë uji në oborre banesash pranë Vlocishtit. Lumi Dunavec është çarë në dy pika, duke përmbytur sipërfaqe bujqësore.
Në Pustec ka rrezik daljeje të përroit në rrugën Doganë–Goricë e Vogël dhe prezencë inertesh në aksin Zvezdë–Goricë. Në Devoll, situata paraqitet e rënduar në Progër, Mancurisht dhe Dobranj, ku është e nevojshme ndërhyrje urgjente për përroit që ka përmbytur tokat.
Rruga Miras–Arrëz ka pësuar shkarje dherash dhe gurësh, në Poloskë është përmbytur një banesë dhe në Qytezë raportohet tjetër shkarje dheu. Strukturat e emergjencave vijojnë punën në terren për normalizimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Lumi Osum del nga shtrati, përmbyt shëtitoren në Berat
Moti i keq i cili ka përfshirë vendin ditët e fundit ka bërë që lumi Osum të dalë nga shtrati në orët e para të mëngjesit.
Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga Report Tv, pedonalja e Beratit është nën ‘pushtetin’ e ujit.
Niveli i ujit ka arritur në 20 cm, teksa rrezikohen bizneset aty pranë. Këta të fundit kanë vendosur dhe thasë me rërë para dyerve të subjekteve për të shmangur futjen e ujit.
Forcat zjarrfikëse po punojnë për heqjen e ujit.
Reshje me intensitet të lartë në qarkun Gjirokastër, probleme në disa akse rrugore dhe furnizimin me energji elektrike
Gjatë natës, qarku i Gjirokastrës është përfshirë nga reshje me intensitet të lartë, të cilat kanë shkaktuar prezencë uji dhe inertesh në disa akse rrugore kryesore.
Probleme janë shënuar në aksin Kardhiq–Delvinë, pranë tunelit të Skërficës, në aksin Tepelenë–Gjirokastër, pranë zonës së njohur si Shkalla e Zezë, si dhe në rrugën Gjirokastër–Kakavijë, përballë fshatit Bularat. Falë ndërhyrjes së firmave kontraktore, të gjitha akset aktualisht janë të qarkullueshme.
Po ashtu, është monitoruar edhe niveli i lumit Vjosë, i cili në orën 06:30 ka arritur në 6.2 metra në urën e Memaliajt dhe 4.4 metra në urën e Përmetit.
Situata e motit ka shkaktuar probleme edhe në rrjetin elektrik. Fshatrat e zonës së Luftinjës dhe Buzit në Memaliaj mbeten pa energji, pasi përcjellësit e fiderave Miniera 1 dhe Maricaj vazhdojnë të jenë në kontakt me rrjedhën e lumit Vjosë. Edhe në Gjirokastër raportohet problem me furnizimin me energji në fshatin Lazarat.
Moti i keq/ Vjosa arrin në pikën 8.25 metra, 10 banesa të përmbytura në Novoselë dhe Fitore
Niveli i Vjosës ka arritur në pikën 8.25 metra. 3 banesa në fshatin Fitore prane urës së Mifolit dhe 7 Novoselë janë përmbytur
Ndërkohë edhe tokat bujqësore në këtë zonë janë nën ujë.