Situata vijon problematike në qarkun Lezhë dhe Vlorë. Në Tale të Lezhës, është dëmtuar argjinatura e lagunës dhe uji ka depërtuar drejt zonave të banuara. Në Vlorë, lumi Vjosa ka arritur në kuota maksimale te ‘Tregu’ dhe për pasojë rrezikohen tokat bujqësore.
Vijojnë problematikat në disa zona të vendit si pasojë e motit të keq. Qarku i Lezhës ka kaluar një tjetër natë të vështirë për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Në zonën e Tales, rritja e nivelit të ujit në lagunë ka dëmtuar argjinaturën, duke bërë që uji të depërtojë drejt zonave të banuara. Gjatë natës, mjetet e tonazhit të rëndë kanë punuar pa ndërprerje për të forcuar argjinaturën dhe për të minimizuar pasojat.
Situatë problematike paraqitet edhe në Mirditë, ku aksi rrugor Rrëshen–Bukmir ka pësuar shembje në disa pika, duke rrezikuar bllokimin e qarkullimit. Punëtorët dhe mjetet kanë punuar gjatë gjithë natës për të mbajtur rrugën të hapur dhe të kalueshme.
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, dhe Prefekti i Qarkut Lezhë, Taulant Malshi, u shprehën se ky segment ka pasur prej kohësh probleme të përsëritura, të cilat janë përkeqësuar më tej nga reshjet intensive. Rruga Rrëshen–Bukmir është një arterie kryesore që i shërben qindra banorëve dhe lidh fshatrat e Njësisë Administrative Kaçinar me qendrën urbane.
Edhe në qarkun e Vlorës situata paraqitet e rënduar. Lumi Vjosa ka arritur kuotën maksimale dhe ka dalë nga shtrati në zonën e tregut pranë Urës së Mifolit, duke rrezikuar përmbytjen e tokave bujqësore.
Ndërkohë, në qarkun e Fierit, pavarësisht reshjeve intensive gjatë natës, situata për momentin paraqitet nën kontroll. Prefektura njofton për rritje të prurjeve në Përmet dhe Memaliaj, të cilat pritet të reflektohen gjatë mesditës edhe në zonën e Fierit. Vjosa paraqet rrezik daljeje nga shtrati drejt tokave bujqësore, por sa i përket akseve rrugore, ato janë aktualisht të kalueshme dhe pa problematika.
Vlorë/ Lumi Vjosa në kuotë maksimale, del nga shtrati te tregu pranë Urës së Mifolit, rrezikon tokat bujqësore
Situata vijon të jetë problematike nga moti i keq në Vlorë. Lumi Vjosa ka arritur në kuotën maksimale dhe ka dalë nga shtrati në pjesën e tregut pranë Urës së Mifolit. Rrezikohen që të përmbyten tokat bujqësore.
Ndërkohë, situata në qarkun e Fierit paraqitet jo problematike sa i përket reshjeve të rëna gjatë gjatës, të cilat kanë qenë intensive. Sipas informacioneve nga Prefektura e Fierit, ka një shtim të prurjeve në Përmet e Memaliaj , që mund të reflektohen gjatë mesditës në zonën e Fierit.
Vjosa rrezikon që të dalë nga shtrati drejt tokave bujqësore, ndërkohë sa i përket akseve rrugore, janë të kalueshme dhe pa problematika.