Probleme në disa qarqe për shkak të motit të keq. Në Lezhë, reshjet e dendura të shiut prej mesnatës kanë krijuar probleme në disa zona. Sistemi i kanalizimeve në qytet nuk ka arritur që të përballojë sasinë e madhe të prurjeve, duke sjellë vërshim të ujërave në bllokun e banimit “11 janari” të lagjes “Besëlidhja”.
Niveli i ujit arriti deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve. Prezencë uji pati edhe në disa pika të rrugës Lezhë-Shëngjin, ndërsa një pemë u rrëzua dhe vështirësoi qarkullimin. Gjithashtu, kanali i ujërave të larta në Zadrimë doli nga shtrati për shkak të prurjeve të mëdha të ujit dhe përmbyti disa hektarë tokë bujqësore në zonën e Kallmetit.
Probleme raportohen edhe në bashkinë e Kurbinit. Vërshimi i ujit solli probleme në qytetin e Laçit, ndërsa përmbytje raportohen edhe në Gjorm dhe Zheje. Në disa zona ka mungesë të energjisë elektrike, kryesisht në fshatra. Grupet e OSHEE-së ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defekteve, ndërsa bashkitë kanë angazhuar mjete dhe punonjës për largimin e inertëve dhe normalizimin e trafikut.
Në Hecet e Qafe Mollës dhe Ulzës prurjet janë rritur ndjeshëm, por sipas autoriteteve nuk është arritur niveli kritik që kërkon hapjen e portave, ndersa situata po mbahet nën monitorim te vazhdueshem nga strukturat e Mbrojtjes Civile.
Problematike situata paraqitet edhe në Fushë-Krujë, kryesisht në fshatrat Bilaj, Murqinë dhe Mallkuc. Në Murqinë uji ka mbuluar sipërfaqe të mëdha arash. Shumica e kanaleve janë të vjetra dhe pa pastruar dhe nëse reshjet vazhdojnë me intensitet, përveç sipërfaqeve të tokës, mund të rrezikohen edhe banesa.
Në Vlorë, po ashtu era e fortë ka rrëzuar disa pemë në zonën e Skelës dhe Pyllin e Sodës.
Probleme me energjinë elektrike raportohen edhe në Fier për shkak të erës së fortë. Zonat e prekura janë nënstacioni i Poçemit në Mallakastër, fideri i Matkës në Roskovec, në Mbrostar dhe Gorishovë.
Moti i keq/ Ministria e Mbrojtjes: Situatë meteorologjike e qetë, pa probleme serioze! Në Lezhë dhe Fushë Arrëz ka ndërprerje të energjisë
Ministria e Mbrojtes njofton se situata meteorologjike në vend paraqitet e qetë dhe pa probleme serioze në nivel kombëtar. Ministria raporton ndërprerje të energjisë elektrike në Lezhë dhe Fushë Arrëz. Në Lezhë, ndërprerja e energjisë u shkaktua pas rrëzimit të një peme në aksin Lezhë-Shëngjin, e cila dëmtoi linjat elektrike. Ndërsa në Fushë-Arrëz, problematikat me energjinë u shkaktuan nga era e fortë.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
Situata meteorologjike në vend paraqitet kryesisht e qetë, me reshje me intensitet të ulët deri mesatare dhe pa probleme serioze në nivel kombëtar.
Në qarkun e Shkodrës, reshjet intensive që ranë dje, pasdite dëmtuan segmentin rrugor Breg Lumi–Theth, ku 9 persona dhe 5 mjete mbetën të bllokuar. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave bashkiake, Policisë së Shtetit dhe efektivëve të FA, personat u evakuuan me sukses. Rruga mbetet e bllokuar dhe po pastrohet nga inertet, me mbështetjen e 10 efektivëve të FA.
Në bashkinë Fushë Arrëz janë raportuar ndërprerje të energjisë për shkak të erës së fortë.
Në qarkun e Lezhës, në aksin Lezhë–Shëngjin është rrëzuar një pemë, e cila ka dëmtuar linjat elektrike dhe ndërprerë energjinë. Në rrugën Lezhë–Balldren ka prezencë inertesh dhe forcat operacionale po punojnë për pastrimin e saj.
Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika nga moti.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 24 orët e ardhshme priten reshje të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të intensifikohen në formë shtrëngatash. Nga pasditja deri në orët e para të mëngjesit, reshje të shumta priten edhe në Lezhë, Durrës dhe Tiranë, të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Parashikohet mjegull dhe shikueshmëri e reduktuar në zona luginore.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë, në koordinim të strukturave për përballimin e pasojave të mundshme nga moti i keq. Ju lutemi banorëve të zonave, ku mund të paraqiten probleme të kontaktojnë me autoritetet vendore!
Moti i keq/ Era e fortë rrëzon pemë në zonën e Skelës dhe pyllin e Sodës në Vlorë! Në qarkun e Fierit disa zona pa energji elektrike
Vendi ynë që prej orëve të natës është përfshirë nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Kështu si pasojë e erës së fortë disa pemë janë rrëzuar në zonën e Skelës dhe në zonën e pyllit të Sodës.
Ndërkohë në disa zona rurale të qarkut të Fierit ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Problemet me furnizimin janë paraqitur në nënstarcionin e Poçemit në Mallakastër, fideri i Matkës në Roskovec, në Mbrostar dhe Gorishovë.
Grupet e punës ndodhen në terren për rikthimin e energjisë.
Reshjet në vend/ Situatë problematike edhe në disa fshatra të Krujës, tokat nën ‘pushtetin’e ujit
Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin tonë këtë të martë kanë sjellë një situatë mjaft problematike në të gjithë ultësirën e bashkisë Krujë, kryesisht në fshtarat Bilaj, Murqinë, Mallkuc etj.
Në fshatin Murqinë, uji ka mbuluar sipërfaqe të mëdha arash.
Nëse reshjet do të vijojnë me të njëjtin intensitet, përveç arave rrezikojnë që uji të futet në biznese e banesa, për shkak se kanalet e kullimit nuk funksionojnë.
Lezhë/ Kanali i ujërave të larta në Zadrimë del nga shtrati, përmbyt disa hektarë tokë bujqësore
Moti i keq ka shkaktuar probleme në Lezhë. Nga prurjet e shumta të ujit ka dalë nga shtrati kanali i ujërave të larta të Zadrimës në zonën e Kallmetit, duke përmbytur disa hektarë tokë bujqësore.