Granati prej 500 mijë eurosh mund të humbet nëse nuk dorëzohet dokumentacioni i nevojshëm te një kompani franceze që dëshiron të angazhohet në sanimin e stacionit të pastrimit të ujërave të Jugohromit dhe të nisë aktivitetet përgatitore për pastrimin e deponisë me krom gjashtëvalent, e cila rrezikon burimin e ujit të pastër Rashçe, raporton Portalb.mk.
Organizata qytetare “Eko-svest” alarmoi se afati për përfitimin e mjeteve të grantit skadon këto ditë, pas së cilës ekziston rreziku që ato të humbasin.
“Pas rikthimit në vëmendje të rrezikut që deponia toksike me krom gjashtëvalent në Jegunoc të ndotë burimin e ujit Rashçe, Qeveria vendosi të ndërmarrë masa për parandalimin e ndotjes. Aktualisht ekziston një donator që mund ta financojë përmes grantit hapin e parë: sanimin e stacionit të pastrimit dhe aktivitetet përgatitore për pastrimin e deponisë me krom gjashtëvalent. Por, që të krijohet mundësia për financim, ministri duhet ta dorëzojë dokumentacionin e nevojshëm. Afati është i shkurtër, ndërsa ‘Eko-svest’ kërkon nga ministri që urgjentisht t’i dorëzojë dokumentet e nevojshme, në mënyrë që të mos humbet mundësia e financimit të këtij projekti. Ky është hapi i parë drejt zgjidhjes së përhershme të problemit”, thonë nga organizata.
LEXO: Eko-svest kërkoi nga ministri i Mjedisit të ndërmarrë urgjentisht masa për zgjidhjen e problemit me Jugohromin
Ekologët thonë se, nëse nuk respektohet afati, nuk do të ketë ndihmë financiare dhe, rrjedhimisht, do të vazhdojë rreziku nga ndotja e mëtejshme.
Zgjidhjet për deponinë me krom gjashtëvalent u propozuan përmes studimit të përgatitur nga GIM për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për këtë pikë të nxehtë industriale në vend.
Ujërat nëntokësore në afërsi të deponisë së Jugohromit janë të ndotura deri në 100.000 herë mbi vlerat e lejuara të kromit gjashtëvalent. Mbi 7.300 tonë të kësaj mbetje jashtëzakonisht kancerogjene, të depozituara vetëm një kilometër larg fshatit Jegunoc, rrezikojnë ta ndotin përgjithmonë burimin Rashçe dhe ta lënë Shkupin pa ujë të pastër për pije.
Mbeturinat industriale, të hedhura për dekada në një sipërfaqe prej 7,5 hektarësh, treten në ujë, por pavarësisht këtij rreziku, vazhdojnë të qëndrojnë të pambrojtura.
Deponia, e cila bën pjesë në pikat e nxehta industriale në vend, përmban 2,2 milionë tonë mbeturina të depozituara në periudhën 1963–2016, prej të cilave rreth 7.388 tonë janë krom gjashtëvalent.
Një katastrofë ekologjike është vetëm çështje kohe nëse nuk ndërmerren urgjentisht masa për zgjidhjen e përhershme të problemit. Deponia ndodhet vetëm 50 metra larg lumit Vardar dhe 80 metra larg burimit që furnizon Rashçen, burimin e ujit të pijshëm me rëndësi strategjike shtetërore. Ajo ndodhet brenda zonës mbrojtëse të këtij burimi.
Deponia përmban sasi të mëdha të mbeturinave të rrezikshme, të cilat treten lehtësisht në ujë, por mbetet e pambrojtur.
Stacioni i pastrimit të ujërave, nën kompetencat e Ministrisë së Mjedisit Jetësor, ku duhet të mblidhen dhe të pastrohen ujërat nëntokësore, është joadekuat dhe nuk ka kapacitet të mjaftueshëm. Edhe funksionimi i sistemit të drenazhimit është i diskutueshëm.
Për këtë arsye, shpesh ndodh që nga deponia të derdhen në lumin Vardar sasi të mëdha uji të kontaminuar, që arrijnë nga 50 deri në 100 metra kub në ditë.