Pretendimet e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, për rritje të qarkullimit të bizneseve në gjashtë mujorin e parë të këtij vitit janë rrëzuar.
Njohësit e proceseve ekonomike dhe përfaqësuesit e partive politike “opozitare” kanë dëmtuar argumente e ministrit Murati, i cili e ushtron edhe mandatin e deputetit. Ata kanë argumentuar se rritja e qarkullimit të bizneseve ka ndodhur vetëm për shkak të rritjes së çmimeve.
Sipas tyre, shpjegimet e zyrtarit të qeverisë janë propagandë.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Arben Mustafa, i ka bërë me dije rritja e qarkullimit të bizneseve në kushtet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve nuk tregon asgjë për gjendjen reale të ekonomisë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Mustafa ka shkruar se pretendimet e Muratit janë cinizëm dhe shkëputje nga realiteti.
“Ish-ministri i financave i një qeverie që çdo ditë po e shkatërron sektorin privat, sot paska folur për rritje të qarkullimit të bizneseve. Në kushtet, * kur bizneset po goditen rëndë nga rritja e dhunshme e çmimit të energjisë elektrike, * kur deficiti tregtar po thellohet dhe * kur bizneset po humbin sigurinë për të investuar në Kosovë, të flasësh për performancë të mirë të ekonomisë, nuk është gjë tjetër veçse cinizëm dhe shkëputje nga realiteti”, ka shkruar ai, duke treguar se gjendje reale e ekonomisë është e qartë për çdo qytetar.
“Rritja e qarkullimit të bizneseve në kushtet e rritjes së vazhdueshme të çmimeve nuk tregon bash asgjë për gjendjen reale të ekonomisë. Gjendja reale e ekonomisë është shumë e qartë për çdo qytetar: fatkeqësisht, sot në Kosovë flitet vetëm për varfërim dhe humbje besimi për një jetë më të mirë”, ka shkruar Mustafa.
Edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rrukiqi, mendon njëjtë.
Në profilin e tij në Facebook”, ai ka shkruar se qarkullimit të bizneseve në 4 vitet e fundit ka ndodhur vetëm për shkak të inflacionin.
“Nuk mujta pa reagu. Edhe kesha shumë. Deputeti i paska marrë shembuj kafet (kafja nuk është produkt i domosdoshëm), për me e shpjegu fuqinë blerëse. Një pyetje e kam për deputetin. Me këtë “logjikë”: a i bjen që tash në vend të 100 bukëve, po i blejmë veç 50 (po ushqehemi më pak), ose në vend të 100 litrave qumësht, po i blejmë vetëm 50 litra qumësht (nuk po i ushqejmë mjaftushëm fëmijët) ??? Rritja e qarkullimit të biznesve në 4 vitet e fundit, ka vetëm një shpjegim: INFLACIONI”, ka shkruar Rukiqi.
Pretendimet e Muratit
Deputeti i VV-së, Hekuran Murati, i cili sipas Gjykatës Supreme po e ushtron në mënyrë të kundërligjshme pozitën e ministrit në detyrë të Financave, ka pretenduar se qarkullimi i bizneseve për 6 muajt e parë të vitit 2025 ka shënuar rekord.
Ai ka bërë me dije se kjo është bërë e mundur në saje të mbështetjes se bizneseve nga qeveria.
“Qarkullimi i bizneseve për 6 muajt e parë të vitit 2025 ka shënuar rekord prej 💶 10.7 miliardë eurove. Kjo paraqet një rritje prej 📈10.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur kjo shifër ishte 9.7 miliardë euro. Si Qeveri jemi përkujdesur që të rrisim mbështetjen për bizneset duke: – Përmirësuar qasjen në financa përmes rritjes së kapitalit në Fondin për Garanci Kreditore – Subvencionuar punësimin e të rinjve përmes Superpuna – Subvencionuar kreditë investive – Rritur mbështetjen për sektorin e bujqësisë – Rritur fuqinë blerëse të familjeve përmes rritjes së pagave, pensioneve, e shtesave për fëmijë – Paguar me kohë dhe pa vonesa faturat e detyrime ndaj bizneseve”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ndaj pretendimet të tilla ka reaguar avokati Arianit Koci.
Duke komentuar në statusin e Muratit, Koci ka hedhur poshtë pretendimet e ministrit në detyrë të financave.
Ai ka thënë se rritja e çmimeve e rritë edhe qarkullimi.
“Ministër, rritja e çmimeve e rrit edhe qarkullimin – këtë e dinë edhe studentët e vitit të parë të ekonomisë. Sidoqoftë, qarkullimi nuk është tregues i mirëqenies. Na tregoni: me këtë shtrenjtim, a po jeton qytetari më mirë se vitin e kaluar, apo shporta e tij është zvogëluar? Pa rritje të prodhimit real, apo rritje të qarkullimit në sasi, këto shifra janë vetëm pasqyrim i inflacionit – dhe inflacioni nënkupton një gjë të thjeshtë: qytetarët po varfërohen, ndërsa ju e shisni si sukses. Nëse jam gabim, ju lutëm me demantoni!”, ka komentuar Koci.
Duke iu përgjigjur avokatit, Murati është munduar të shpegoi pretendimet e tij.
Por, shpjegimi i tij ka nxitur reagime qesharake.
“Avokat, qe një ilustrim: Kafja ka qenë 1 euro dhe me 100 euro pagë ke mujtë me i ble 100 kafe. Nëse kafja rritet në 2 euro, dhe ti me 100 euro pagë mundesh me i ble veç 50 kafe tash (në vend të 100 kafeve), a është rritë qarkullimi apo është zvogëlu sasia e kafeve që ke ble? Qarkullimi mbetet 100 euro siç ka qenë më parë, mirëpo ty të është zvogëlu sasia e kafeve që ti blen. Inflacioni e zvogëlon sasinë e blerjes/fuqinë blerëse. Qarkullimin e rritë rritja e të ardhurave të familjes/fuqisë blerëse, jo inflacioni. Por pa merak, të njejtin gabim konceptual e bëjnë edhe ekonomistët e LDK-së”, ka shkruar ai.