Çmimi i naftës në tregjet e huaja është ulur me 20% krahasuar me vitin e kaluar. Por sipas Bankës së Shqipërisë, kjo rënie e dukshme nuk është reflektuar në tregun shqiptar. Të dhënat dëshmojnë se çmimi i naftës në vend, ka rënë me vetëm 6 përqind, ndonëse dhe leku ka fituar ndjeshëm terren ndaj dollarit.
Në prill të këtij viti, çmimi i naftës në Shqipëri, shënoi uljen e fundit të regjistruar, duke zbritur në 173 lekë nga niveli i 175 lekëve, ku kishte qëndruar pandryshuar prej 6 muajsh (nga tetori 2024). Një ulje prej vetëm 1.2 përqind.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vetëm në krahasim me tremujorin e parë të vitit, në periudhën prill-qershor, nafta në tregjet ndërkombëtare ishte ulur me 10.4 përqind.
“Çmimet e karburanteve gjatë këtij tremujori, veçanërisht në muajin maj, vendet e BE-së përjetuan rënie të dukshme, lëvizje kjo që nuk gjeti pasqyrim në tregun vendas. Tregu global i naftës u karakterizua nga një kërkesë e ngadaltë dhe një ofertë e lartë, dinamika që u përkthyen në çmime më të ulëta. Nga ana tjetër, prania e vazhdueshme e tensioneve tregtare nga ekonomitë më të mëdha të botës, ndikoi në ngadalësimin e normës rënëse të çmimeve të naftës gjatë këtij tremujori”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.
Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar, rënia e çmimit të naftës në tregjet botërore ka qenë edhe më e thellë sipas bankës.
“Çmimi i naftës Brent u kuotua rreth mesatares 67.8$ për fuçi gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025, çmim ky rreth 20.1% më i ulët se një vit më parë”, thuhet në raport.
Në Shqipëri, qershorin e vitit të kaluar, nafta shitej me 184 lekë për litër. Diferenca vjetore krahasuar me këtë vit është -11 lekë ose vetëm 6% më lirë.
Edhe treguesi referenc i naftës së përpunuar, Platts, sipas të cilit importojnë kompanitë në Shqipëri, konfirmojnë rënien e ndjeshme të çmimeve në tregjet e huaja.
Të dhënat e grumbulluara nga Report TV, flasin për një ulje mesatare vjetore në tremujorin e dytë, prej afro 15 përqind, të çmimit me të cilin është blerë nafta jashtë.
Nga 830 dollarë 1 ton naftë në prill 2024, zbriti në 626 dollarë në 2 prill këtë vit.
Maji i vitit të shkuar nisi me 751 dollarë toni, këtë vit ishte 690 dollarë.
Kurse qershori vjet ishte 772 dollarë/ton, ndërsa këtë vit 705 dollarë. Pra edhe pse diferenca në çmime është e lartë, në Shqipëri reflektimi në çmim më të ulët është minimal.
Por përveç luhatjeve në bursë, një tjetër faktor që do të duhej të ishte reflektuar në çmimin me pakicë në Shqipëri, është dhe zhvlerësimi i dollarit.
Në raport me qershorin e vitit 2024, dollari amerikan, monedha me të cilën bëhen transaksionet për blerjen e naftës, është zhvlerësuar me 10%, nga 94 lekë, në 84 lekë këtë qershor.
Pra, tregtarët po shpenzojnë 10% më pak për të importuar naftën nga jashtë, dhe sikur vetëm këtë tkurrje të dollarit të kishin reflektuar në çmimin e karburantit, duhet të ishte shumë më i lirë.
Në strukturën e çmimit me të cilin tregtohen karburante 103.4 lekë janë taksa dhe 69.6 lekë çmimi real i naftës.
Mbi këtë të fundit, do duhej të ishte reflektuar të paktën rënia e naftës së përpunuar dhe zhvlerësimi i dollarit.
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar në korrik se po punon që të jetë edhe vetë shteti pjesë e tregut të importit të naftës në tregjet e huaja, me synim që të ulet çmimi për qytetarët shqiptarë, dhe për të krijuar Rezervën Shtetërore të Naftës përmes Albpetrol.