Shuhet në moshën 89-vjeçare regjisori i madh, Dhimitër Anagnosti. Lajmin e trishtë e ka bërë me dije vajza e tij, Juna Anagnosti, e cila ka shkruar se pas një lëngimi të gjatë, iu bind ligjit të jetës.
“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës! Lamtumirë babush!”, ka shkruar ajo krahas një fotoje që ka publikuar në rrjete sociale.
Për ndarjen e tij nga jeta kanë reaguar figura të artit dhe politikës. Kryeministri Edi Rama shkruan se iku ‘babai i kinemasë shqiptare’, autori i shumë skenareve që shenjuan rrugën e kinematografisë. Presidenti Bajram Begaj shprehet se “Plejadës së artistëve të mëdhenj shqiptarë iu shkëput sot një tjetër yll”. Ish presidenti Ilir Meta u shpreh se trashëgimia e tij do të mbetet monument i pavdekshëm.
Ai do të varroset në Vuno të Himarës, në vendlindjen e tij, ku ka kërkuar që të prehet. Anagnosti ishte një nga mjeshtrat më të mëdhenj të kinematografisë. Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, fitoi mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. ]
Ai është regjisor i filmave që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e qytetarëve si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit”, dhe shumë të tjerë.
Anagnosti kishte pasion edhe letërsinë. Ai botoi dy libra, romanin “Koburja nga Europa” (2017) dhe “Ulliri pema e dhembjes” (2019), në të cilin, i cili zbulon dy jetët e tij, atë të shkrimtarit dhe kineastit.
Për cilësitë e tij të rralla artistike, qëndrimin qytetar si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit” dhe është vlerësuar me dekoratat “Nderi i Kombit” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Përveç artit, ai ka dhënë kontribut edhe në politikë. Ka shërbyer si deputet i PD-së (1991-1996). Në 12 prill 1992, u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen
Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.
Anagnosti ishte i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti.
Begaj: Lamtumirë Dhimitër Anagnosti! Plejadës së artistëve të mëdhenj iu shkëput një yll
“Plejadës së artistëve të mëdhenj shqiptarë iu shkëput sot një tjetër yll.
Lamtumirë, Dhimitër Anagnosti!
Shqiptarët do të vazhdojnë të magjepsen nga arti yt i madh”, u shpreh Presidenti.
Postimi i Bajram Begajt
Lamtumirë Dhimitër Anagnosti! Meta: Përjetësisht i nderuar mes korifejve më të mëdhenj, frymëzim për gjeneratat e ardhshme

“Në panteonin e kulturës kombëtare dhe artit të kinemasë shqiptare, Artisti i Popullit, Dhimitër Anagnosti, do të mbetet përjetësisht i nderuar mes korifejve më të mëdhenj.
Kineast dhe regjisor i shquar, skenarist e mendimtar, ai na la trashëgim një vepër të ndritur, që do të vazhdojë të frymëzojë gjeneratat e ardhshme, duke u bërë metaforë emblematike e historisë së kinematografisë shqiptare dhe model frymëzues i një brezi krijuesish idealistë e patriotë.
Filmat e Anagnostit, edhe pse të krijuar në një kohë të caktuar historike, falë vizionit e talentit të tij të jashtëzakonshëm, mbeten vepra universale që përcjellin mesazhe të përjetshme dhe gjithmonë aktuale.
Me pikëllim të thellë u shpreh familjes dhe komunitetit të artistëve ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të këtij personaliteti të rrallë të artit dhe kulturës sonë kombëtare, i cili i dha emër e dinjitet kinemasë shqiptare dhe lartësoi identitetin tonë kulturor.
Trashëgimia e tij e vyer do të mbetet një monument i pavdekshëm në kujtesën e kombit.
Të prehet në paqe! I paharruar kujtimi!”, shkruan Meta.
Ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit, Rama: Babai i kinemasë shqiptare, u prehsh në paqe Grand Master
Dhimitër Anagnosti
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të regjisorit Dhimitër Anagnostit. Përmes rrjeteve sociale, kreu i qeverisë e cilëson Anagnostin si babain e kinematografisë shqiptare, ndërsa kujton se si e ka njohur regjisorin e madh.
“Babai i kinemasë shqiptare, autori i shumë skenarëve që shenjuan rrugën e kinematografisë sonë të re në një kohë tejet të vështirë për ëndrrat krijuese, regjizori i plot filmave të arrirë dhe i filmit kult “Lulëkuqe mbi mure” që ka mbetur sot e gjithë ditën si kryetitulli i ekranit të historisë së filmit shqiptar, mjeshtri i shumërespektuar nga i madh e i vogël dhe vunjotësi kryeneç që mezi e priste verën për t’u arratisur nga qyteti e shkuar poshtë, tek shtëpia e fëmijërisë në Vlorë, e më vonë tek kasollja e tij buzë detit në Jalë, Barba Taqo siç e njoha unë kur isha fare i vogël e ai ende shumë i ri apo Dhimitër Anagnosti, siç e njohin të gjithë dashamirët e filmit dhe tërë ata që e deshën a jo, ndërroi jetë pasi jetoi gjithnjë me kokën lart
Lamtumirë Barba Taqo, u prehsh në paqe Grand Master”,- shkruan Rama.
Përparim Kabo: U shua institucioni Dhimitër Anagnosti! Përulem me respekt për artin që na fale
Profesori Përparim Kabo thotë se me ndarjen nga jeta të regjisorit Dhimitër Anagnosti u shua një institucion arti. Në një reagim në rrjete sociale, Kabo shprehet se iku fanari i madh i ‘detit’ të filmit shqiptar, ndërsa shton se përulet me respekt për artin që ka lënë pas.
“U shuajt fanari i madh i detit të filmit, filozofi ynë i pelikulës Dhimitër Anagnosti. Sa fat që ishim bashkëkohës me të dhe shijuam artin e tij.” Komisari i Dritës”, ” Dueli i Heshtur”, ” Plagë të Vjetra”, ” Në shtëpinë tonë”, “Malet me blerim mbuluar”, dhe më tej me kryevepra si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrall nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, ” Gurët e shtëpisë sime”, “Gjoleka i biri i Abazit”. Mbeti skenar e më tej u kthye në roman një ngjarje shumë interesante titulluar: “Koburja nga Europa”.
Dhimitër Anagnosti ndërtonte figura filmike tejet organike, larg zbukurimeve si fiksion, kombinonte mrekullisht fizionominë dhe karakterin e artistit me tipologjinë dhe tiparet e personazhit. Filmi tij refuzoi deklarimet sepse ai si rrallë kush kombinoi imazhin me lojën, episodin, ngjarjet dhe tërësinë arkitektonike të filmit krejt organikisht.
U shuajt institucioni Dhimitër Anagnosti. Të përunjem me respekt për artin që na fale. Të falënderoj nga zemra për kohën e bisedave, telefonatave dhe mundësisë për një intervistim kur shkruajta shkrimin me titull: “Të faleminderit Anagnosti ynë”. Çfarë boshllëku po lë pas ” Felini” ynë. Deti Jonë nga sot do jetë i trishtuar, malet e jugut diçka do të murmurisin me erën, ullinjtë do të heshtin këtë vjeshtë.
Ndofta tani si shpirt engjëllor, brigjeve të tjera deteve të eterit, sheh gjemitë e Anagnostëve që u nisën deteve dhe s’u kthyen më. Sa e dhimbshme do të jetë që tani e tutje për Rozën, trëndafilin tënd të jetës që nga viti 1965 që e shihnim pranë jush, do e takojmë pa Ty, i paharruari, filozofi i kinematografisë shqiptare Dhimitër Anagnosti.
Me lotë në sy të themi qofsh me dritën e pasosur!
Panteoni i të Mëdhenjëve ju pret asaj bote të paqtë!
MIRENJOHJE, MIRENJOHJE, MIRENJOHJE!”, ka shkruar Kabo.
Ndarja nga jeta e Dhimitër Anagnostit, Mevlan Shanaj: Humbje e madhe, kinemaja do jetë e varfër pa të!

Aktori dhe regjisori Mevlan Shanaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të Dhimitër Anagnostit. Në një postim në rrjete sociale, ai shkruan se ishte mjeshtër i ndërtimit të karaktereve shqiptare.Ai shkruan se Shqipëria ka pësuar një humbje të madhe, dhe se kinemaja do të jetë e varfër pa të.
“Lamtumirë “diktatori i së bukuŕës”, maja e arritjeve artistike të ekranit shqiptar!Lamtumirë mjeshtri i ndërtimit të karaktereve shqiptare! Nuk ka më Anagnost ekrani, nuk ka një të dytë si ai! Shqipëria sot ka pësuar një humbje të madhe, sa e varfër kinemaja pa ty Anagnost! Sa të pasur na e ke lënë dijen për jetën shqiptare! Ngushëllime Roza, Juna, Era!”, ka shkruar ai.
Profil/ Kush ishte Dhimitër Anagnosti, realizoi 14 filma dhe 10 dokumentarë! Fitues i shumë çmimeve shqiptare e të huaja, shërbeu si deputet dhe ministër Kulture në vitet ’90
Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze u nderua me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjeti të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin u zgjodh edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Në 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen.
Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë. Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.
Veprat artistike:
Gjoleka, djali i Abazit (2006)
Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
Përrallë nga e kaluara (1987)
Gurët e shtëpisë sime (1985)
Kujtime nga Gjirokastra (1983)
Vëllezër dhe shokë (1982)
Në shtëpinë tonë (1979)
Monumenti (1977)
Lulëkuqet mbi mure (1976)
Kur hiqen maskat (1975)
Cuca e maleve (1974)
Përjetësi (1974)
Motive nga dita e diel (1973)
Malet me blerim mbuluar (1971)
Parafabrikatet (1970)
Plagë të vjetra (1968)
Duel i heshtur (1967)
Komisari i dritës (1966)
Njeriu kurrë nuk vdes (1961)