Që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, mbajtja e qenve është parë me mosmiratim në Iran.
Pronarë të arrestuar dhe qen të konfiskuar për shkak se janë shëtitur në publik.
Autoritetet iraniane kanë zgjeruar ndalimin për shëtitjen e qenve në hapësirat publike dhe kanë ndaluar gjithashtu transportimin e tyre me makinë në të paktën 18 qytete, duke përmendur arsyet e rendit publik dhe sigurisë. Masa pasqyron një politikë të vjetër të regjimit të Teheranit, i cili e konsideron mbajtjen e kafshëve shtëpiake si një zakon perëndimor “jo-islamik”, sipas BBC-së.
Kjo masë, e cila pasqyron një urdhër të policisë të vitit 2019 që ndalonte shëtitjen e qenve në kryeqytetin Teheran, është zgjeruar javën e fundit në të paktën 18 qytete të tjera. Gjithashtu është ndaluar transportimi i qenve në automjete.
Që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, mbajtja e qenve është parë me mosmiratim në Iran. Autoritetet i konsiderojnë qentë si “të papastër” dhe i lidhin ata me ndikimin kulturor perëndimor. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për t’i dekurajuar, numri i pronarëve të qenve është në rritje, veçanërisht tek të rinjtë, dhe kjo sjellje perceptohet si një formë rebelimi kundër regjimit kufizues të Iranit.
Qytete si Isfahan dhe Kerman kanë futur së fundmi ndalesa të tilla, sipas agjencisë së lajmeve AFP. Një zyrtar nga qyteti Ilam, në perëndim të vendit, ku ndalimi u aplikua të dielën, deklaroi se ndaj atyre që nuk respektojnë rregullat e reja do të merren “masa ligjore”, sipas mediave lokale.
Megjithatë, zbatimi i këtyre kufizimeve ka qenë i paqëndrueshëm në të kaluarën, dhe shumë pronarë qensh vazhdojnë t’i shëtisin qentë në publik, si në Teheran, ashtu edhe në pjesë të tjera të vendit. Nuk ka një ligj kombëtar që ndalon në mënyrë të qartë mbajtjen e qenve, por prokurorët lokalë mund të nxjerrin ndalesa që zbatohen nga policia.
“Shëtitja e qenve është një kërcënim për shëndetin publik, qetësinë dhe sigurinë,” deklaroi Abbas Najafi, prokurori i qytetit Hamedan, për gazetën shtetërore *Iran*.
**Pronarë të arrestuar dhe qen të konfiskuar sepse u shëtitën në publik**
Shumë njerëz tani zgjedhin t’i nxjerrin qentë për shëtitje natën, në zona të izoluara, ose t’i transportojnë me makinë për të shmangur zbulimin. Politikanët e regjimit islamik e konsiderojnë mbajtjen e kafshëve shtëpiake si jo-islamike. Shumë liderë fetarë besojnë se prekja e qenve ose kontakti me pështymën e tyre është “najis”, që do të thotë i papastër.
Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, ka deklaruar më parë se mbajtja e një qeni, përveç rasteve kur përdoret për ruajtje, gjueti ose mbrojtje, është “e dënueshme”.
Në vitin 2021, 75 parlamentarë dënuan mbajtjen e qenve, duke e përshkruar atë si një “problem shoqëror shkatërrues” që mund të “ndryshojë gradualisht mënyrën e jetesës iraniane dhe islame”.
Ministria e Kulturës dhe Udhëzimit Islamik ndaloi në vitin 2010 reklamat për kafshët shtëpiake ose për produktet e tyre, dhe në 2014 u propozua një nismë ligjore në Parlament për gjobitjen dhe madje për rrahjen me kamxhik të atyre që shëtisin qentë e tyre, por projektligji nuk u miratua.
Pas shtypjes së fundit, kritikët pretendojnë se policia duhet të përqendrohet në sigurinë publike, në një kohë kur krimi i dhunshëm po ngjall gjithnjë e më shumë shqetësim, dhe jo të targetojë pronarët e qenve dhe të kufizojë liritë personale.
Mbajtja e qenve, mosrespektimi i ligjit të detyrueshëm të hixhabit, pjesëmarrja në festa të ndaluara dhe konsumimi i alkoolit kanë qenë prej kohësh forma të rezistencës së heshtur ndaj regjimit teokratik të Iranit.