Hemoragjia te Partizani është ndalur. Në javën e 7 të Superligës, pas 4 humbjeve radhazi, të kuqtë fituan 0-1 kundër Flamurtarit me autogolin e Lorenc Trashit. Një sukses që i dha mundësinë trajnerit Kërnaja ta niste më fitore aventurën te Partizani.
“Ndjehem shumë mirë. Shumë i gëzuar për futbollistët nga i pari tek i fundit. Dhe ata që nuk luajtën, por janë pjesë e grupit. Më pëlqeu grinta dhe dëshira për të fituar dhe për të dalë nga kjo situatë,”-u shpreh Oltijon Kërnaja, trajner i Partizanit, për ‘Partizani Chanel’.
Lojtari i ndeshjes në Vlorë u shpall sulmuesi Vusal Isgandarli.
“Falenderoj shumë trajnerin, ekipin, drejtorin sportiv dhe stafin e Partizanit. Këto javë kanë qenë vërtetë të vështira, por rëndësi ka që këtë ndeshje e fituam dhe morëm 3 pikët,”-tha Vusal Isgandarli, futbollist i Partizanit.
Për Flamurtarin kjo ishte humbja e 5 në kampionat pas 7 javësh, teksa dy të tjerat janë barazim. Ndërkohë të dielën befasia ishte në Elbasan Arena, aty ku të besuarit e Gvozdenovic u mposhtën 1-2 me përmbysje nga Vora. Më herët Tirana barazoi 0-0 kundër Teutës, ndërsa me të njëjtin rezultat u mbyll Egnatia-Dinamo.
Pas javës së 7 feston Vllaznia, që falë suksesit 0-1 në fushën e Bylisit udhëheq e vetme Superligën. Shkodranët janë në kuotën e 16 pikëve, 2 më shumë se Egnatia e vendit të dytë, ndërsa Teuta dhe Elbasani plotësojnë zonën ‘final-four’. Në vendin e 9 është Tirana me 6 pikë, po aq sa Bylisi i vendit të tetë, ndërsa klasifikimin e mbyll Flamurtari me vetëm 2 pikë.