Erald Maksuti ka njoftuar zyrtarisht largimin nga Apolonia. “Panorama Sport” ka zbuluar më parë se sulmuesi shkodran do të veshë fanellën e Flamurtarit, që ka blerë kartonin e tij.
Makuti ishte ndër lojtarët më të spikatur të edicionit të kaluar në Kategorinë e Parë. Luajti gjithsej 23 ndeshje në kampionat ku shënoi 12 gola.
21-vjeçari pritet të shtojë kualitetin e Flamurtarit, që po investon për një skuadër sa më dinjitoze. Maksuti ndërkohë e mbylli në Fier pas katër vitesh.
“Të thuash lamtumirë pas katër viteve në klubin Apolonia është një nga momentet më të vështira për mua. Sepse Apolonia nuk ishte thjesht një skuadër, ishte një familje. Ishte vendi ku dhashë gjithçka, ku u rrita si lojtar dhe si njeri, dhe ku ndjeva për herë të parë çfarë do të thotë të përfaqësosh diçka më të madhe se vetja. Këto vite kemi luftuar, kemi derdhur djersë, kemi përballuar sfida të vështira, por gjithmonë kemi qëndruar bashkë. Dua të falënderoj Presidentin Koço Kokëdhima, trajnerët për besimin, bashkëlojtarët për vëllazërinë dhe të gjithë ata që më ndihmuan të rritem çdo ditë.
Por një falënderim i veçantë i takon qytetarëve të Fierit. Ju falënderoj me zemër për mbështetjen e pakusht që na keni dhënë – në të mirë e në të keq. Entuziazmi juaj, duartrokitjet, fjalët e mira, ishin motivimi ynë më i madh. Ju jeni zemra e këtij klubi. Ju jeni arsyeja pse Apolonia është më shumë se një skuadër – është një krenari.
Nuk është e lehtë të largohem, por e bëj me kokën lart, me zemrën plot kujtime dhe me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje. Apolonia do të mbetet përherë pjesë e imja. Kudo që të shkoj, do të mbetem gjithmonë një bir i Fierit dhe i kësaj bluze. Ju dua dhe do të jem gjithmonë krenar që isha pjesë e kësaj historie. Erald Maksuti”, shkruan futbollisti shkodran.