Adresimi i kritikave ndaj Gjykatës Kushtetuese nga kryetari i LVV-së Albin Kurti dhe i zyrtarët e tjerë të këtij subjekti politik duke e quajtur Kushtetuesen dhe gjyqtarët e saj si hije të opozitës kundër LVV-së, ka shtyrë ambasadën e Gjermanisë që përmes një reagimi publik të kërkoi nga përfaqësuesit politik që të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit.
“Ambasada Gjermane në Prishtinë thekson rëndësinë e pavarësisë gjyqësore si një gurthemel i sundimit të ligjit. Ne u bëjmë thirrje të gjithë akterëve politikë dhe institucioneve në Kosovë që të respektojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjithë gjyqësorit dhe të përmbahen nga çdo ndërhyrje, përfshirë sulmet personale”, thuhet në reagim.
Gjykata Kushtetuese ka shprehur shqetësimin e saj për deklarimet, sic i ka cilësuar të pamatura të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë. Pavarësisht kësaj, presidentja Osmani nuk është distancuar gjatë ditës nga kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarëve të saj. Madje ajo ka thënë se Kushtetuta nuk e ndalon që përfaqësuesit politik të komentojnë vendimet e gjykatës e as kritikat ndaj saj. Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, vlerëson se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të jenë të pakonsetueshme. Ndërsa, sulmet e përfaqësuesve politik i quan të papranueshme.
‘’Asnjë palë nuk ka të drejtë ta vë në pipëkëyetje interpretimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese’’, tha Bugaqku për rtv21
Hulumtuesi Bugaqku po ashtu kritikoi presidenten Osmani se në vlerësimet e saj u bazua në kornizën kushtetuese të viteve 2000-ta.
‘’Në atë kohë ka qenë administrues UNMIK-u. Unë u befasova se si presindentja nuk kishte argumente të praktikave kushtetuese pas shpalljes së pavarësisë”, deklaroi ai.
Analisti politik, Dorajet Imeri, thotë se përfaqësuesit politik nuk duhet të shohin zgjidhjen vetëm tek Gjykata Kushtetuese për zgjidhjen e krizës për formimin e institucioneve. Thotë se bashkëpunimi përmes konsensusit politik është i domosdoshëm”.
‘’Secila parti politik duhet ta shoh konsensusit si të vetmen rrugë që duhet të shkohet më tej”, tha Imeri për rtv21
Derisa Gjykata Kushtetuese ka vendosur mas të përkohshme për të mos vazhduar punën në Kuvend dhe që të mos fillohet me procedurat e formimit të Qeverisë, LVV-ja në mbledhjen e Këshillit të saj ka votuar kandidatin Albin Kurit për kryeministër.