Pas aksionit për shembjen e objekteve pa leje në Theth, ‘furtunë’ edhe në policinë e Shkodrës. Shkarkohet nga detyra drejtori i policisë vendore, Fatmir Lleshaj dhe shefi i komisariatit, Nik Nikolla. Pezullohet shefi i stacionit të policisë në Theth. Ndaj tij nis edhe një hetim disiplinor.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Fatmir Lleshaj, dhe shefi i Komisariatit, Nik Nikolla janë shkarkuar nga detyra. Shefi i stacionit policor në Theth është pezulluar nga detyra, dhe ndaj tij ka nisur hetim disiplinor për shkelje të rëndë. Shkak janë bërë ndërtimet pa leje në Theth dhe zaptimi i hapësirave publike. Në krye të policisë së Shkodrës është komanduar Gentian Berberi.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në një deklaratë, paralajmëroi edhe drejtuesit e qarqeve të tjera që do të mbajnë përgjegjësi nëse konstatohen shkelje. Ai tha se nëse një drejtues policor nuk e di sesa veprime pa leje janë ndërmarrë, nuk mund të rrijë më në detyrë.
“Ky është një mesazh i qartë edhe për të gjithë Drejtorët Vendorë të Policisë në qarqe që do të mbajnë përgjegjësi direkte nëse symbylljen apo padijen mbi territorin të vartësve të tyre, nuk e konstatojnë ata vetë përpara se ta konstatoj unë apo përpara se sa ta ketë konstatuar i gjithë komuniteti! I ftoj edhe njëherë qytetarët që çdo rast abuzimi, neglizhence apo sjelljeje të papërshtatshme nga punonjësit e Policisë ta denoncojnë menjëherë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.”, u shpreh Proda.
Proda theksoi se përveç pezullimit të shefit të stacionit të Thethit, nën hetim disiplinor është vendosur edhe inspektori i zonës dhe specialisti i krimeve, për të cilët tha se nuk e meritojnë të jenë pjesë e policisë së shtetit. Teksa njoftoi pezullimin e shefit të Thethit, Proda theksoi:
“Besoj se ky funksionar me mosveprimin e tij të pajustifikueshëm e ka zgjedhur rrugën e vet për të mos qenë më pjesë e Policisë së Shtetit, nuk gjej dot asnjë arsye që ai ta veshë me uniformën blu – pavarësisht denoncimit të bërë nga Policia në prokurorinë e Shkodrës, konkretisht referimi për ndërtimet pa leje në një zonë të mbrojtur, fatkeqësisht për këtë rast në mënyrë të çuditshme Prokurorja e çështjes u mjaftua me mosfillim procedimi.”
Proda paralajmëroi dhe kërkoi bashkëpunim me bashkitë, dhe qytetarët që të denoncojnë çdo rast të mundshëm shkeljeje apo abuzimi nga ana e punonjësve të policisë. Paralajmëroi gjithashtu dorë të hekurt edhe për ata që shkelin rregullat e parkimit. Ky fenomen i shëmtuar, tha Proda, duhet të zhbëhet me çdo kusht.
“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Strukturat policore do të kryejnë veprimet hetimore duke e trajtuar parkimin e dyfishtë si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal.”, deklaroi Proda.
Këto lëvizje vijnë në një kohë kur autoritetet ka nisur një aksion kundër zaptimit të hapësirave publike. Në Theth, ka nisur shembja e 80 objekteve pa leje, ndërsa pati edhe protesta të banorëve të zonës. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ‘furtunë’ nëse nuk do të lirohen hapësirat publike në vend.
Drejtori i policisë së Shkodrës Fatmir Lleshaj dhe shefi i komisariatit Nik Nikolla
Proda i prerë me shoferët shkelës: Parkimi i dyfishtë jo më ‘shkelje e lehtë’, do konsiderohet bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve
“Dua të ndaj me publikun dhe të paraqes para çdo strukture policore disa pika që janë të panegociueshme dhe prioritare për ditët, javët e muajt në vazhdim: Lirimi nga zaptimet arbitrare i hapësirave të përbashkëta publike në të gjitha qytetet e mëdha, është një detyrë e pandashme për çdo strukturë të policisë. Hapësirat publike u takojnë qytetarëve dhe komunitetit, e askush nuk ka të drejtë t’i përvetësojë.
Do të ketë kontroll të përditshëm dhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo neglizhencë nga cilado strukturë e policisë që ka për detyrë të parandalojë apo godasë këto paligjshmëri, pa pritur që problematika të bëhet e patolerueshme si në rastin e Thethit.
Bashkitë, komunitetet dhe qytetarët i ftoj të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë e Shtetit dhe të denoncojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë çdo rast indiference apo abuzimi nga ana e punonjësve të policisë apo çdo strukture tjetër inspektimi që ka për detyrë kontrollin e territorit”, tha Proda.
Një tjetër pikë të rëndësishme që preku Proda në deklaratën e tij ishte edhe parkimi i dyfishtë në rrugë, duke theksuar se nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Tashmë, Proda thotë se parkimin e dyfishtë do të trajtohet si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal, i cili parashikon dënim me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet
“Parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një “shkelje e lehtë” thjesht administrative, por si një bllokim i kalimit të mjeteve që cenon sigurinë e qytetarëve dhe kufizon dhunshëm të drejtën e tyre për të lëvizur lirisht. Strukturat policore do të kryejnë veprimet hetimore duke e trajtuar parkimin e dyfishtë si vepër penale bazuar në nenin 293 të Kodit Penal.
Ky fenomen i shëmtuar dhe i rrezikshëm do të zhbëhet, me çdo kusht. Me të gjithë respektin për drejtuesit e automjeteve, qyteti është në radhë të parë i këmbësorëve dhe megjithë mirëkuptimin për vështirësitë e parkimit, rruga është për të qarkulluar, jo për të parkuar në mes të saj”, tha Proda.
Neni 293 i Kodit Penal
Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit
Vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Shkarkimi i drejtorit të Policisë së Shkodrës, komandohet Gentian Berberi! Ikën nga Kukësi

Gentian Berberi është drejtori i komanduar i Policisë së Shkodrës, pas shkarkimit të Fatmir Lleshajt, bëjnë me dije burime për gazetarin e Report Tv, Sokol Dema. Berberi ikën nga drejtimi i Policisë së Kukësit dhe komandohet në Shkodër.