Kombëtarja shqiptare ka vijuar përgatitjet për ndeshjet e shtatorit në ditën e dytë në kampin stërvitore në Malaga të Spanjës.
Trajneri Silvinjo ka vendosur të ftojë në skuadër portierin e Kombëtares U-21, Simon Simoni, pasi Elhan Kastrati nuk do të jetë i gatshëm për arsye dëmtimi.
Kastrati, i cili ka një dëmtim në gju, është paraqitur në grumbullim, ku i është nënshtruar analizave dhe vizitave nga stafi mjekësor, që ka konkluduar se futbollisti nuk mund të jetë i gatshëm për ndeshjet me Gjibraltarin e Letoninë dhe se ka nevojë për trajtim mjekësor.
Simoni do të mbërrijë në kampin kuqezi në orët në vazhdim dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit Silvinjo për miqësoren ndaj Gjibraltarit dhe ndeshjen e kualifikueseve të Botërorit 2026 ndaj Letonisë në Tiranë.
Sa i përket grupit, kanë mbërritur gjatë ditës Enis Çokaj dhe Cristian Shpendi, të cilët janë stërvitur rregullisht me skuadrën. Seanca stërvitore ka zgjatur pak më shumë se një orë dhe i gjithë ekipi gëzon formë të mirë.
Ditën e nesërme në ora 17:00 do të mbahet konferenca zyrtare e trajnerit Silvinjo, ndërkohë që në orën 18:00 do të zhvillohet seanca zyrtare stërvitore.
Shqipëria do të luajë më 4 shtator ndeshje miqësore ndaj Gjibraltarit në transfertë në orën 18:00.
Kurse më 9 shtator kombëtarja do të presë Letoninë në “Air Albania” për sfidën e kualifikueseve të Botërorit 2026.