Egnatia do të përballet me Vllazninë kryesuese të martën dhe para kësaj ndeshje ka folur zv/ trajneri i rrogozhinasve, Julian Brahja.
Ai ka diskutuar rreth përgatitjeve, gjendjes së skuadrës dhe pritshmërive për këtë përballje të rëndësishme. Brahja thekson se skuadra është përgatitur maksimalisht si nga ana fizike, ashtu edhe nga ajo psikologjike, duke e parë ndeshjen nuk vetëm si test sportiv, por edhe si një moment që vërteton karakterin dhe pjekurinë e ekipit. Ai vlerëson kundërshtarin, por kërkon qetësi, përqendrim dhe zbatim të detyrave në fushë.
Brahja, Egnatia përballet me Vllazninë kryesuese, si e shihni këtë sfidë në aspektin sportiv dhe psikologjik?
Ndeshja me Vllazninë këtë javë është e fortë dhe e bukur për t’u parë nga të gjithë. Ne e vlerësojmë Vllazninë për çfarë ka treguar deri më tani. Jemi përgatitur gjithë javën si në aspektin psikologjik, ashtu edhe në atë tekniko-taktik dhe besojmë se do të japim më të mirën e mundshme.
Çfarë ka theksuar trajneri Tetova gjatë përgatitjeve?
Theksi është përqendrimi në detyrat e secilit lojtar që do të jetë në fushë. Ekipi na ka lënë të kuptojmë se janë të fokusuar në zbatimin e detyrave.
Egnatia ka një mbrojtje ndër më të fortat në kampionat. Cili është sekreti?
Mbrojtja po bën shumë mirë duke pësuar shumë pak gola, por nuk duhet harruar se merita është e gjithë ekipit. Nuk mund të veçoj vetëm repartin e mbrojtjes, i gjithë ekipi punon shumë mirë në të dy fazat e lojës.
Sa i përket sulmit, herë pas here ka munguar konkretizimi. Si po punohet në këtë drejtim?
Ne jemi të kënaqur me punën që bëjnë sulmuesit. Edhe pse në disa ndeshje ka munguar saktësia para portës, e rëndësishme është të vazhdojmë pa humbur durimin dhe të fitojmë ndeshjet.