Edvin Ndreu është komanduar sot në detyrën e drejtorit të Policisë së Vlorës, pas ndryshimeve të fundit në strukturat drejtuese dhe largimit të Elidon Çelës. Ky i fundit u pezullua nga detyra pas ngjarjes në Zvërnec, ku gjatë protestave kundër ndërtimit të një resorti u regjistruan akte dhune dhe përdorim i lëndës spray ndaj protestuesve nga rojet private të kantierit.
Ndreu, i cili më herët mbante postin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Tiranë, do të drejtojë përkohësisht Policinë e Vlorës deri në një vendimmarrje të mëtejshme, siç raportojnë burimet e Report TV.
Kujtojmë se Elidon Çela u pezullua nga detyra më 30 maj, pas protestave të qytetarëve kundër projektit në Zvërnec. Sipas informacioneve të Report TV, pezullimi erdhi pas raportimit të gabuar lidhur me një nga protestuesit, i cili kishte pësuar dëmtime në trup nga punonjës të një shoqërie private.
Në njoftimin e Policisë së Vlorës thuhej se protestuesi ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, pretendim që më pas u kundërshtua nga Policia e Shtetit.
Përveç pezullimit të Çelës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, urdhëroi edhe nisjen e një hetimi disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës lidhur me menaxhimin e protestës.