Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë me tone më të personalizuara rreth procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, gjatë një bisede në podkastin e tij “Flasim”. Rama rrëfeu tensionin fillestar dhe pasiguritë që kishte lidhur me pritshmëritë e vendeve anëtare të BE-së
Por sipas tij, ajo që ndodhi më pas ishte një “muzikë tjetër”, pasi liderë të rëndësishëm europianë nisën të japin sinjale pozitive për performancën e administratës shqiptare në procesin e screening-ut.
“Papritur filloi një tjetër muzikë… administrata shqiptare, e angazhuar në procesin e integrimit, u vlerësua nga liderët e BE,” – deklaroi ai.
Ai tregoi biseda direkte me krerë të vendeve anëtare të BE-së, duke cituar: “Kryeministri i Holandës më tha: ‘Edi, po dëgjoj fjalë të mira nga ekipi shqiptar, mbresat nga Brukseli janë shumë të mira’,” “Kryeministri i Danimarkës: ‘Ç’ndodhi me administratën tuaj? Se kam parë raportet e ministrisë së Jashtme për pjesën e proceseve të vendeve që duan të hyjnë, jeni on top.’”
Rama iu përgjigj edhe perceptimeve të shpeshta në publik për administratën si të korruptuar apo të paaftë. “Është një refren i përsëritur në pafundësi që ministrat, administrata…, hajdutët, hajdutët, të gjithë hajdutë,” – u shpreh kryeministri.
Megjithatë, ai pranoi se problematika ka, por theksoi se ajo që ndodhi gjatë screening e përmbysi perceptimin e tij personal për administratën publike. “Padiskutim që administrata ka hijet e veta, nuk diskutohet, do ishte komplet e pandershme që ne ta fshihnim këtë, por unë vetë personalisht kam pasur më shumë stres nga hijet e administratës e mjaftueshëm motivim për t’i dalë për zot,” – u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se “ora e të vërtetës” për të ishte momenti i fillimit të negociatave me Bashkimin Europian, kur nisi edhe procesi i screening-ut – një analizë në thellësi e gjendjes së institucioneve shtetërore shqiptare.
“Ora e të vërtetës për mua ishte momenti kur negociatat do të fillonin me screening, me gjithë diagnozën e shtetit shqiptar…”, – tha ai, duke shtuar se bëhet fjalë për një proces me një përmasë të jashtëzakonshme:
“Janë 1000 vetë nga ana këtej dhe 1000 nga ana andej që ulen përballë njëri-tjetrit me 36 grupe – në mos janë më shumë – dhe që i hyjnë deri në qelizë shtetit shqiptar… Aty ka shumë rëndësi si performon ti, si luan ti pjesën tënde.”
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb