Kombëtarja shqiptare e futbollit është në përgatitje të fazës play-off të Kupës së Botës. Në 26 mars 2026 kuqezinjtë përballen me Poloninë në gjysmëfinale, por duket se trajneri Sylvinho ka rezervuar surpriza për grumbullimin e ardhshëm.
Emri i ri në ekip do jetë Stavros Pilios, mbrojtësi 24-vjeçar që luan me AEK-un e Athinës në Superligën e Greqisë. I lindur në Rhodos, Pilios është me origjinë shqiptare nga prindërit dhe kjo i jep mundësinë të bashkohet me kuqezinjtë.
“Sport FM” në vendin fqinj e bën fakt kontaktin e Sylvinhos me futbollistin, i cili si shok ekipi ka edhe gardianin kuqezi, Thomas Strakosha. Nuk është çudi që të ketë qenë Strakosha ai që ka sugjeruar mbrojtësin e majtë në ekip.
Kush është Stavros Pilios?
I lindur në ishullin Rhodos më 10 dhjetor 2000, Stavros Pilios është i biri i dy prindërve me origjinë nga Dropulli që kanë emigruar herët në vendin fqinj. Fillimisht ai spikati si mbrojtës i majtë te Pas Janina, për të kaluar më pas për një sezon te Iraklis. Verën e 2023 AEK-u i Athinës i besoi të riut dhe e afroi në ekip. Gjatë kësaj kohe, Stavros Pilios ka luajtur me verdhezinjtë në 48 paraqitje, duke shënuar një gol dhe dhuruar gjashtë asistime. Vlera e tij në ‘Transfermarkt’ është 1.2 milion euro.
Njësoj si Mario Mitaj, i cili doli po nga AEK-u, edhe Stavros Pilios po ndjek të njëjtën rrugë teksa këtë sezon ka bërë 15 paraqitje.
Dëmtimi i Naser Alijit
Fasha e majtë e prapavijës duket në alarm pas dëmtimit dhe operacionit të pritshëm të Alijit, andaj kërkimi për një mbrojtës të denjë ka bërë që Sylvinho t’i hedhë sytë te Stavros Pilios, me këtë të fundit që me gjasë do jetë risia e Kombëtares.
Stavros Pilios